E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranvera Italiane vjen në Shqipëri

Miqësia Evenimenti më i madh promovues mes dy vendeve u çel zyrtarisht dje

Dy popuj, një det, një miqësi. Me këto fjalë prezantohet në Shqipëri “Pranvera Italiane”, evenimenti më i madh me karakter promovues i realizuar ndonjëherë në marrëdhëniet mes dy vendeve, që do të zgjasë nga muaji mars deri në qershor 2010, në qytetet kryesore të Shqipërisë.

Kjo nismë e Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, do të shërbejë për të evidentuar dhe për të nxitur më tej potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, në shumë fusha e sektorë prioritarë, siç janë ekonomia, tregtia, energjetika, infrastruktura, transportet, kultura dhe shoqëria civile.

Ceremonia e çeljes zyrtare të “Pranverës Italiane” u zhvillua në ambientet e rezidencës së ambasadorit italian në Tiranë. Në fjalën e mirëseardhjes, ambasadori Saba D’Elia e vuri theksin në kuadrin e privilegjuar të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, që dëshmohen qartë nga vizita e fundit e Kryeministrit Berisha në Itali, si dhe nga vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, në Tiranë më 12 prill.

Gjithashtu, ambasadori D’Elia vuri në dukje lidhjet tradicionale kulturore e ato të miqësisë që ekzistojnë mes dy popujve, të cilat përbëjnë një urë të pazgjidhshme të këtyre marrëdhënieve. Ai e cilësoi këtë projekt të hapur ndaj ideve e nismave dhe ftoi, me këtë rast, të gjitha subjektet shqiptare e ato italiane të marrin pjesë aktivisht për realizimin e veprimtarive të ngjeshura të kësaj stine.
Ndërsa zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, falënderoi qeverinë italiane për ndërmarrjen e kësaj iniciative që përmes spektrit të gjerë të konferencave e debateve me karakter ekonomik, integrues dhe zhvillimor, do të dëshmojë partneritetin parësor strategjik, politik e ekonomik me Italinë fqinje e mike. Në këtë kuadër, ai përshëndeti veprimtaritë që do të ndërmerren me rastin e 20-vjetorit të Kooperacionit për Zhvillim, themelimin e Forumit të Dialogut ndërmjet Shoqërive Civile Shqiptaro-Italiane, por edhe diskutimet mbi projekte të përbashkëta për zhvillimin e ekonomisë dhe të infrastrukturës në Shqipëri.

Meta vlerësoi rolin edhe kontributin e veçantë të komunitetit shqiptar në Itali në marrëdhëniet e forta mes dy vendeve duke theksuar se: “20 vjet më parë kishim një det që na ndante, ndërsa sot kemi një det që na bashkon, e mbi të gjitha një projekt të përbashkët: Europën e Bashkuar, me Shqipërinë dhe Ballkanin si pjesë të saj, një herë e përgjithmonë.”

“Pranvera Italiane 2010 - Dy popuj, një det, një miqësi” do të zgjasë nga muaji mars deri në qershor 2010, në qytetet kryesore të Shqipërisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›