PS voton sot rezolutën e shumicës për vizat

Grupi parlamentar Socialist do të jetë sot i pranishëm në momentin e votimit të rezolutës për liberalizimin e vizave. Vendimi u mor dje nga deputetët e këtij grupi, të cilët vendosën unanimisht që të jenë pjesë e kësaj seance, por vetëm kur të kalojë për votim rezoluta në fjalë. Grupi vendosi që të mbahet edhe një fjalim, ku do të shprehet vullneti i padiskutueshëm i selisë rozë për këtë proces me mjaft rëndësi për shqiptarët dhe më pas do largohet nga salla. Deputetët socialistë pritet të rikthehen vetëm në seancën e datës 18 mars, nëse mazhoranca bie dakord që të pranojë dy nismat e saj ligjore. Miratimi i dy nismave do i jepte fund një herë e mirë, të paktën siç kanë bërë me dije socialistët, bojkotit dhe protestave, pasi përmes tyre garantohet transparenca e zgjedhjeve.
Deputetët socialistë kanë marrë pjesë në seancën e datës 25 shkurt, ditë kur thyen edhe bojkotin për të bërë betimin, si dhe në seancën e datës 4 mars, vetëm në momentin e miratimit të kalendarit të Kuvendit, ku u përfshinë për miratim dy nismat e saj ligjore. Por pas kësaj seance, demokratët shfrytëzuan një tjetër lëvizje për të rikthyer opozitën në Parlament në seancën e sotme, duke prekur një çështje me mjaft rëndësi nga shqiptarët. Kryetari i Grupit parlamentar Demokrat, Astrit Patozi, publikoi një rezolutë për vizat, duke ftuar opozitën ta miratojë. Në këtë kuadër, selia rozë rimori në shqyrtim mundësinë e rifutjes në Parlament. Ndaj grupi vendosi dje të shkojë sërish në seancë, por vetëm në momentin e miratimit të rezolutës. PS ka bërë me dije se nuk do të hyjë në Kuvend deri në momentin e miratimit të dy nismave të saj ligjore. Por nga ana tjetër ajo ka lajmëruar se nëse nuk ndodh kështu, atëherë qeveria do të përballet me protesta në të gjithë vendin, deri sa mazhoranca të pranojë vullnetin e popullit për të hapur kutitë e për t’u bërë transparenca e zgjedhjeve.
Dy nismat ligjore janë ende duke u diskutuar në Komisionin e Ligjeve, por deri në datën 18 mars duket se do vendoset se çfarë rrjedhje do të kenë zhvillimet politike në muajt në vijim.
Pritet që sot deputetja Arta Dade, njëherësh edhe sekretare për marrëdhëniet me jashtë në selinë rozë, të mbajë një fjalim në Parlament për liberalizimin e vizave.