VLERAT E FSHEHURA DHE KONCEPTET
Fuqia e njeriut është e jashtëzakonshme. Kështu njeriu i fortë dhe i madh në ndikim, njeriu që i beson fuqisë së tij, rritet në shoqëri, në grup dhe realizon veprën e vet si individ, brenda grupit, duke formuar konceptet dhe pastaj duke mbajtur qëndrimet e veta. Pra, vlerat që njeriu zotëron ndikojnë mbi konceptet. Ne shpesh, duke mbajtur parasysh këto dukuri, i quajmë njerëzit “të pjekur” ose “të papjekur”, “të korrigjueshëm” ose “të pakorrigjueshëm”, mendërisht të shëndetshëm ose të sëmurë.
Abraham Maslou, psikolog i personalitetit dhe socialpsikolog, është i njohur për përshkrimet e tij jo vetëm të bukura dhe bindëse, por edhe tejet interesante e mbresëlënëse, teksa hedh mendimet e veta plot ndjenjë për njerëzit e “vetaktualizuar”, të cilët ecin përpara për të përmbushur fuqinë e tyre njerëzore. Shpesh kjo dukuri ndodh për shkak të nevojave njerëzore për mbijetesë, shpëtim, përqasje nga vetënderimi. Maslou, i udhëhequr nga vlerat njerëzore zgjodhi personalitete të njeriut të vetaktualizuar: brenda spontanitetit, autonomisë në veprimtari e sjellje, në mistifikim, në punën e përditshme. Dhe ai nuk u mor nga ana e jashtme duke përshkruar fuqitë njerëzore të njohura botërore, nga Aleksandri i Madh, Napoleoni, apo Xhon Rokfeleri. Maslou merret me njerëzit e thjeshtë dhe personalitetin e tyre, duke matur fuqinë njerëzore dhe ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në shoqëri. Qoftë edhe e një njeriu të vetëm, por me një ndikim të hatashëm social.
Le t’i shohim konkretisht te njerëzit dhe veprimi i tyre jetësor. Kam parasysh poetin Simon Vrusho, arkeologun amator, Frederik Sinjari, agronomin Syrja Berati, ose një rritës pylli, i cili vetëm mbillte pemë dhe sot thirret “pylli i Xhakos”. Një studiues, për shembull, e gjen këtë fuqi te shkencëtari kroat, albanologu i njohur, Milan Shuflaj, i cili ka sjellë për ne në shqip veprën e tij për shqiptarët në bashkëjetesën me fqinjët serbë e grekë. Kurse Prof. Dr. Leonard Prifti në librin e tij të fundit (ende të pabotuar) “Shqiptarët, grekët e serbët” ngrihet me fuqinë e arsyes e të shkencës pikërisht kundër Milan Shuflajt! Por një drejtues mund të sjellë edhe shkatërrim me fuqinë e tij, aq më tepër kur bashkohet fuqia e tij krijuese e shkencore me atë drejtuese. Ky mund të jetë edhe ministër i një sfere të caktuar dhe trashëgon të mëparshmin në po atë krah politik. Forca shkatërruese ka të bëjë me faktin që, nëse i pari ka bërë një reformë, ky i dyti e hedh poshtë reformën në emër të çuarjes përpara të saj. Këshillat psikologjike të njeriut përfaqësojnë vlerat vetjake të tij dhe këto vlera pastaj ndikojnë në formimin e koncepteve të qarta. Përfytyroni tani “lumin” e këshilltarëve të shumtë të politikës dhe të administratës sonë dhe mua, ndërkohë, më vijnë ndër mend personazhet – këshilltarë të romaneve të Dostojevskit! Për gjithçka një këshilltar! Do të ishte e habitshme dhe në çdo rast vetëm fuqia e njeriut, e vlerave dhe e koncepteve të tij nuk do të dukej gjëkundi. Vlerat e fshehura, për shembull, rrjedhin nga kërkimet socialpsikologjike të bazuara mbi konceptet. Merrni me mend që për të njëjtin problem një këshilltar u jep një përfundim a këshillë të caktuar dhe këshilltari tjetër u flet për “arat në mal”. “Shumë mamie e nxjerrin fëmijën çyryk!” thotë fjala e urtë.
Gjykimet tona të bazuara mbi vlerat janë shpesh të fshehura brenda gjuhës së psikologjisë sonë shoqërore. Kjo është një gjuhë e përditshme, e cila përshkruan të njëjtat gjëra herë me “fjalë të vërteta”, herë me “fjalë hakërruese”. Kështu ne mund ta quajmë një militant partie si “ushtar të bindur”, por në raste të tjera si “njeri të madh e të fuqishëm”! Të tillë pamje (nga ana e gjuhës së përdorur) merr edhe drejtuesi, lideri i partisë.
Të gjitha përcaktimet dhe konceptet burojnë nga vlera të caktuara dhe në çdo rast përmbajnë një mesazh të fshehur. Ndërkohë, duhet të mbajmë parasysh se jo gjithnjë vlerat e fshehura janë edhe të këqija, përderisa ato mbajnë të fshehur një fuqi të caktuar njerëzore, një fuqi që bëhet përcaktuese në jetë, në profesion, në politikë.
#