Pranvera Sallata, prestigjatoria e vetme femër në Shqipëri

"Duhet të jesh e shkathët. Të dish të manipulosh me duar, të jesh pak e kujdesshme, të kesh veti improvizuese. Mbi të gjitha të ruash sekretin e punës tënde"
Sekretet e magjisë!
Çdo kënd e ka munduar fakti se çfarë fshihet pas personave që nga një shami nxjerrin një pëllumb. Apo kur në një kuti vendosin një person dhe kësaj kutie i bien kryq e tërthor me 14 shpata dhe pas mbarimit të numrit personi del po ai që ishte.
Misteri që mbart profesioni i prestigjatorit i bënë gjithmonë e më shumë kuriozë të gjitha ata që përballen me të. Të jesh prestigjator nuk është ndonjë gjë e çuditshme, por, femër në Shqipëri është vetëm një, ajo quhet Pranvera Sallata.
Pranvera ka 42 vjet që punon në Cirkun e Tiranës dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka mbajtur publikun në peshë me magjinë e saj. E ka filluar si akrobate por, pas një problemi me babanë e saj u desh të shkëputej 6 vjet e gjysmë nga cirku dhe kur u rikthye, nuk tentojë më për akrobacinë, por me "magjinë".
Mori mësime dhe u trajnua, sigurisht, duke pasur disa dhunti të sajat. Sipas Sallatës, jo çdo kush mund të bëjë numra shpejtësie dhe të luajë në atë lloj formë. Sipas saj, bërja e "magjisë" ka disa sekrete, të cilat njerëzit që e shohin nuk duhet t'i dinë se në të kundërt, çfarë u pa!
Pranvera, sa kohë u bë që jeni pjesë e Cirkut të Tiranës dhe cili është numri i parë që keni realizuar?
Kam që në 1968, gati 42 vjet, që kur kam qenë 8 vjç që jam pjesë e kësaj arene. Numrin e parë që kam realizuar ka qenë ai me një shkop Bambuje, i cili është dru i fortë kinez që mbahet në shpatulla dhe hipin artistët lart, e kam ekzekutuar së bashku me një partnere.
Më pas, kam bërë ushtrime me rritje vështirësie dhe pas tre vjetësh kam realizuar ushtrime me bashkëshortin tim, Pavli Sallatën, i cili dhe ai atëherë ishte pjesë e cirkut. Kam vazhduar deri në vitin 1975, me profile të ndryshme. Karrierën time e kam filluar si akrobate, më pas gjërat morën një rrjedh tjetër.
Çfarë rrjedhe?
Unë e stopova këtë aktivitet për 6 vite, për shkak të fatkeqësisë që më ndodhi me babanë, të cilin e futën në burg në atë kohë. Ka qenë viti 1975, ku sapo u fejova me Pavlin. Pas 6 vitesh e gjysmë, morëm pafajësinë të gjithë si familje dhe u rikthyem përsëri në cirk. Rikthimi im ishte i vështirë për të arritur atje ku isha, pasi përmasat e mia kishin marrë forma të tjera, u bëra nënë.
Cirkun po ta lesh një ditë të lë një vit e jo më ta lësh për një periudhë aq të gjatë kohë. Por, me shtytjen e babait dhe bashkëshortit, të cilët gjetën një profil që unë do të mundja ta realizoja, dhe ishin numrat e shpejtësisë. Vazhdova duke bërë prezantuesen dhe prestigjatoren. Ishte Ali Duma, prestigjatori i parë në Shqipëri që më ka mbajtur afër dhe me ka trajnuar.
Pse pikërisht prestigjatore dhe a kishit pasur ju kontakte më parë me ketë fushë?
Sigurisht që jo. Duhet që të kishe të dhëna e më pas të merrje përsipër për të bërë prestigjatoren. Im atë evidentoi që unë kisha të dhëna për tu marrë me këtë gjë.
Për çfarë të dhënash e keni fjalën?
Duhet të jesh pak e shkathët. Të dish të manipulosh. Pothuajse të gjithë numrat e mi janë manipulime me duar dhe pak numra bëj me aparatura, duhet të jesh pak e kujdesshme, të kesh veti improvizuese.
Se kur e merr një numër për ta punuar mund të mos e punosh ashtu siç është fiks, por të mundohesh edhe të japësh diçka nga vetja. Unë kam dhe kontakte me një djalë prestigjator që jeton në Greqi, Emiliano. I cili me sjell numra dhe ndihmojmë njeri-tjetrin.
Si ia morët dorën?
Ka qenë e vështirë por, duke u praktikuar. Duke e bërë një figurë disa herë. Për shembull, kam një numër me litar, të cilit i bëj nyjën, vetëm për atë kam punuar 5 muaj. Ajo është thjesht manipulim, duhet t'i gjesh vetëm formën se si ta bësh.
Si ishin hapat e parë në këtë fushë, duke qenë se jeni e vetmja femër në Shqipëri?
Po, për momentin jam e para, por shpresoj që të dalin dhe prestigjatore të reja. Ishte pak e vështirë, pasi kishte njerëz që të shikonin si magjistare dhe kjo nuk tingëllonte bukur për mua. Mua më vjen më mirë kur më shohin si artiste.
Kam pas bashkëpunime edhe me drejtuesin artistik, Fatos Roshin, dhe ka pas njerëz që i kanë ardhur Fatosit dhe i kanë kërkuar që ne t'i bënim një magji, kanë pas problemet e tyre familjare dhe Fatosi i ka thënë që ne nuk jemi magjistar për të tilla gjëra, ne jemi artistë cirku. Gjithashtu, ka raste që kanë ardhur spektator me gjarpër, duke më thënë se nuk do të lejojmë të bësh magji, pasi kur ke një gjarpër pranë nuk mund të bësh dot, dhe nuk më ka penguar aspak kjo, kam bërë numrin normalisht.
Cili është numri më i vështirë që keni realizuar?
Numri më i vështirë është ky që po ekzekutoj tani. Është një numër me litar, duhet të marrë xhaketën nga Kllouni edhe ta vesh me litar të lidhur. Kam muaj të tërë që e punoj, kërkon një shpejtësi perfekte, për 4-5 sekonda duhet të jem e lidhur.
Po ku bazoheni ju dhe nga niseni kur filloni të praktikoni një numër?
Po kemi dhe ne literaturat tona, bazohemi në libra. Unë nuk arrij dot t'i bëj vetë këto. Sigurisht që na duhen aparatura, dhe një aparaturë bën 8 mijë dollarë. 3 fjongo që bleva unë bëjnë 75 euro.
Kur thoni që duhet shpejtësi, tek spektatorët nuk duket kjo lloj shpejtësie, ku është sekreti?
Kjo është pra, duhet interpretim. Duhet të jesh shumë e shpejtë.
Ka numra të vçantë apo të vështirë, si puna e atij të futjes së një personi në një kuti dhe ne të kalojnë disa shpata?
Po, po, e kam bërë atë numër ku kam një kuti, në të cilën fus 14 shpata. Nuk mund të jap më tej detaje, pasi këtu dallon që unë jam artiste dhe ata që më shohin janë spektator. Disa gjëra janë profesionale, nuk tregohen.
Si e përkufizoni profesionin tuaj?
Interesant, të bukur, shumë profesional dhe i rrezikshëm se, nëse më dështon numri, unë jam e dështuar gjithë vitin. Po më doli hilja nuk do të mundem ta bëj të shfaqja e radhës.
Ia keni treguar ndonjërit sekretin apo hilen?
Joo. Asnjërit. Shpesh orkestrantët më vijnë e më luten, duke më thënë që na i trego, por jo.
Personat që bëjnë këtë punë duhet të kenë dhunti të vçanta, a mund ta realizojnë të gjithë këtë?
Duhet të kenë patjetër dhunti të vçanta, jo të gjithë mund ta bëjnë. Ka të bëjë shumë dora e madhe për t'i manipuluar dhe fshehur objektet dhe duhet të jesh e mprehtë për të ditur se si do ta manipulosh dhe njëkohësisht të kesh shumë besim te vetja.
E keni bezdi kur ju pyesin vazhdimisht, pasi është një profesion që të ngjall kuriozitet?
Është pak e bezdisshme, por unë ashtu si manipuloj punën, mundohem të manipuloj dhe njeriun, gjejë mënyrën e duhur për t'ia shpjeguar.
E keni ndjerë ndonjëherë veten në vështirësi gjatë një numri?
Po, ka pasur disa, por një herë një artiste më bëri një defekt te numri dhe e ndjeva veten shumë keq, por nuk e kuptoi spektatori, dhe më e forta është se as artistja nuk mori vesh gjë. Unë nuk reagova fare, vazhdova të bëj një numër dhe më interesant, e kapën vëmendjen tek ajo dhe nuk u mor vesh çfarë ndodhi.
Cili është numri që e mbani si më të vçantin apo më të bukurin?
Aa, është numri i rrathëve. Kam tetë rrathë me, të cilat luaj, i hap dhe i mbyll disa herë dhe në përfundim i ngjis të tetët dhe i nxjerr të ngjitura të tetët në një. Sa herë që e bëj ndjej kënaqësi.
Ju ka kërkuar ndonjëri, duke ju thënë më bëj nja 1 milion lek se me duhen?
Joo, nëse do të bëja këtë, do të bëja mrekulli në familjen time dhe çdo kush do ishte shumë i lumtur që të më kishte shoqe. Po t'i kisha bërë këto gjëra, do isha bërë vetë super e pasur. Por jo, këto gjëra nuk bëhen.
Jeni e lumtur që e keni vazhduar këtë?
Shumë e lumtur!
Misteri
Për Pranverën ka qenë gjithmonë e vështirë t'i kthejë përgjigje të tjerëve për numrat që realizon. Pasi të gjithë pyesin, po si? Ajo ka një profesion që ngjall kuriozitet dhe habi në të njëjtën kohë.
Si mund të nxjerrësh nga një shami një trëndafil. Si mund të bësh që një person të rrijë në ajër pa pasur ku të mbështetet, e si të shfaqësh e të zhdukësh një objekt aty për aty. Të gjitha këto pyetje i bën çdokush që shikon një numër të tillë, ndërsa përgjigja asnjëherë nuk është e qartë.