E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevisti, Hazani: Shkodra mbështet lëvizjen tonë

Kryetari i degës së Partisë Socialiste të Koplikut tregon manipulimet e zgjedhjeve në këtë qark, si një ndër arsyet se pse është bërë pjesë e grevës së urisë


TIRANË - Nga zona e tij, Kopliku, është vetë i pestë që prej 13 ditësh ndodhen të ngujuar në çadrën ku opozita në emër të transparencës së zgjedhjeve është gati të vetëflijohet.


Nazmi Hasani, kryetari i degës së partisë Socialiste për këtë zone, është një ndër to. Por, burri rreth të 50-ve thotë se nuk është i vetëm në këtë sakrificë. Që në nisje të lëvizjes së opozitës ka pasur mbështetjen e vendasve që sipas Nazmiut janë dëshmitarë të vjedhjes së votave në zonën e Shkodrës.


Nazmiu të rrëfen se në Shkodër, më shumë se çdo kund tjetër presioni i ushtruar nga autoritet shtetërore ka qenë prezent në të gjitha qendrat e votimit. Ai rrëfen se janë parë deputetë të mazhorancës që ushtronin presion mbi komisionerët, ndërkohë që militantët kanë mbajtur të rrethuara qendrat e votimit.


Se i kanë parë sytë situata të tilla, Nazmiu nuk e ka menduar dy herë të bëhej pjesë e sakrificës sublime që opozita ndërmori në emër të transparencës së zgjedhjeve të vitit 2008. Vendimit të tij i janë bashkuar menjëherë pesë banorë të thjeshtë të zonës së tij.


Kështu nisi greva e urisë për koplikasit, ndërsa tashmë në ditën e 13-të, Nazmiu të thotë me plotë gojën se çdo njeri prej tyre është mishërim i mijëra qytetarëve, që çdo
ditë protestojnë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".


Ndaj dhe Nazmi Hasani thotë se nuk ndihet me i vetëm, por se një qytet i tërë mbështet sakrificën e tyre. Kjo i bën shkodranët më të fortë ndaj dhe duket se sfilitja e urisë nuk rëndon aspak mbi shëndetin e tyre.


Të thonë se janë malësorë të fortë dhe si e do zakoni i malësorit burrat nuk koriten fort kollaj. Kjo është ajo që flitet mes Nazmiut, Veselit, Qemalit dhe Vaslliut, të cilët i sheh të bashkuar kokë më kohë që mposhtin urinë me rrëfime trimërie të malësorëve të zonës.


Ora 02:30

Pas mesnate Hasan Sula, 30 vjeç, nga Tirana ka lënë kampin e grevistëve. Në ditën e 13 të grevës së urisë Sula ka shfaqur probleme të mëdha shëndetësore dhe mjekët kanë vendosur ta çojnë atë për një trajtim më të specializuar në spital.

Ora 11:10

Martin Kasa nga Tirana detyrohet të lërë çadrat e grevës së urisë dhe të niset me shpejtësi drejt spitalit "Nënë Tereza". Ai është transportuar me urgjencë në spital, pasi shëndeti i tij u përkeqësua së tepërmi në orët e para të ditës.


Ora 12:30

Partia Demokratike deklaron se kreu socialist, Edi Rama, po kërkon të marrë pushtetin me dhunë. Deklarata u bë nga deputeti demokrat Gjergji Papa, i cili gjithashtu theksoi se me veprimet e ditëve të fundit PS-ja po kufizon mundësinë e dialogut.


Ora 13:12


Deputetja socialiste, Ledi Shamku, ndërpret grevën e saj të urisë. Pas 13 ditëve grevë urie shëndeti i saj është rënduar së tepërmi dhe mjekët e çadrës kanë vendosur ta çojnë në spital. Shamku shënon dhe rastin e 30 të grevistëve që kanë lënë çadrat e grevës.


Ora 13:15

Kreu socialist, Edi Rama, mbërrin në QSUT dhe viziton grevistët që janë shtruar në spitalin Infektiv. Pas vizitës, ai deklaroi për mediat se opozita është e vendosur për të çuar në fund këtë kauzë, ndërsa shprehu shqetësimin për sjelljen e policisë.


Ora 15:30


Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i dërgon një letër tjetër kreut të PS-së, Edi Rama, ku i ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Në letrën e tij të katërt, Vocaj thekson se bllokimi i bulevardit është i paligjshëm dhe se tubuesit po rëndojnë trafikun në Tiranë.


Ora 18:30.

Nis protesta e 14 e opozitës në bulevardin kryesor të kryeqytetit. Kryetari i opozitës, Edi Rama, deklaroi se opozita nuk tërhiqet nga kauza e saj.


Ora 22:15


Një tjetër grevist lë grevën e urisë. Brahim Ceka, 61 vjeç, nga Postriba e Malësisë së Madhe u dërgua në spital. Brenda pak minutash, një tjetër grevist shfaq probleme shëndetësore, ato të diabetit. Ymer Murati, 43 vjeç, nga Tirana, dërgohet me urgjencë në spitalin infektiv në QSUT.


Kreu i PPE-së, Volonte: Aksioni politik i Ramës, kontradiktor


TIRANË - Presidenti i Partive Popullore Europiane, Luka Volonte, tha dje se me aksionin politik që po ndjek opozita dhe kreu i saj, Edi Rama, mund ta skualifikojë politikisht të majtën.


Veprimet e kryesocialistit Rama, sipas Volontes, janë në kundërshtim me atë çka ka kërkuar Këshilli i Europës dhe Asambleja Parlamentare. Presidenti i PPE-së vuri në dukje se greva e urisë që ka ndërmarrë opozita nuk është përputhje me atë që ajo ka deklaruar më parë.


"Veprimet e zotit Rama në këto muajt e fundit janë krejtësisht të pajustifikueshme. Rama po gabon dhe në planin institucional, pasi po jep përgjigje kontradiktore me çka i ka kërkuar Këshilli i Europës.


Asambleja parlamentare ka thënë që, debati bëhet në Parlament dhe bojkoti është i papranueshëm. Iniciativa e grevës së urisë është në kundërshtim me atë që ka deklaruar se do të bëjë',- tha dje Volonte, pas takimit të zhvilluar me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Ai nënvizoi më tej se fakti që Rama, së bashku me disa drejtues të Partisë Socialiste, nuk janë futur në grevë urie, tregon sipas Volontes, se ky vendim politik është pa rezultat dhe që, sipas tij, mund të prodhojë vetëm dëme tek qytetarët shqiptarë.


Presidenti i Partive Popullore Europiane, i bëri apel kryetarit të opozitës që të reflektojë ndaj udhëzimeve që ka dhënë Këshilli i Europës për të hyrë në Parlament, pasi në këtë kundërt, qëndrimi joinstitucional, sipas tij, do ta skualifikonte opozitën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›