E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon dëshminë ish- e dashura e Klodian Saliut

BANDA e Durrësit
"Klodi më kërkoi mua që të njihesha me Marselin dhe të lidhesha me të e t'i tregoja se ku lëvizte". Viktima u ekzekutua pas largimit të femrës


Bashkëpunëtorja e drejtësisë nuk përmendi në seancë, Berishën, Doklen e Taullain, ndryshe nga sa kishte bërë në prokurori


TIRANË- Vajza e bukur, ish-"Miss Skrapari", V.J, bashkisë, e njohur edhe si ish-e dashura e Klodian Saliut, rrëfeu dje për tri orë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, njohjen me ish-të dashurin e saj Klodian Saliu, i vrarë tashmë, lidhjen e saj me Marsel Sotirin, vrasjen e tij, si dhe njohjen me pjesëtarët e tjerë të "bandës së Durrësit".


Me kërkesë të prokurorit Anton Martini, para gjykatës doli me cilësinë e dëshmitares së mbrojtur, V. J, që sipas akuzës, ishte rrëmbyer për 18 muaj nga të pandehurit Indrit Taullaj dhe Endrit Dokle. Kjo me qëllim për të mos dëshmuar në polici në lidhje me vrasjen e Marsel Sotirit. Dëshmia e saj, solli replika dhe debate të ashpra mes prokurorit dhe avokatëve.


Këta të fundit pretendonin, se prokurori Martini sugjestiononte dhe ushtronte presion me pyetjet drejtuar dëshmitares me inicialet V.J. Vetë ajo tregoi njohjen me Klodian Saliuni në vitin 1999 dhe pranoi se ishte përdorur nga i dashuri tashmë i vrarë si "karrem" për ta futur në kurth Marsel Sotirin.


"Me Klodian Saliun jam njohur në vitin 1999, kur erdhëm nga Skrapari në Durrës. Në atë kohën isha 17 vjeçe dhe pas disa takimeve u lidhem bashkë. Gjatë kësaj kohe, Klodi shoqërohej me Arjan Pajan dhe Ilir Xhungën, të dy ata i vranë. Klodi kishte hasmëri me Marsel Sotirin, pasi ai kishte tentuar ta vriste në një pritë, por Klodi kishte shpëtuar.


Kështu vendosi bashkë me dy vëllezërit të organizohej e të merrte hak. Për këtë, më kërkoi mua që të njihesha me Marselin dhe të lidhesha me të e t'i tregoja se ku lëvizte,- u shpreh dëshmitarja. 27- vjeçarja bionde, e veshur me një xhup lejla e me një një bluze ngjyrë rozë, një palë pantallona xhins e atlete të bardha, vijoi rrëfimin.


Sipas akuzës, gjatë hetimit, dëshmitarja kishte deklaruar se Saliu shoqërohej nga Indrit Taullaj, Lulëzim Berisha dhe të tjerë. Në dëshminë e saj, V. J, konfirmoi, se ishte detyruar nga i dashuri të lidhej me Marsel Sotirin, i cili u vra në nëntor '99, vetëm pak minuta pasi ishte ndarë prej saj në plazh në Durrës.


Dëshmia e saj, më pas u përqëndrua në përshkrimin e vendit ku ndodhi vrasja, mjetet që kishte Klodian Saliu e Marsel Sotiri, si dhe shpjegoi se një ditë pas kësaj ngjarjeje kishte ikur në Itali.


Largimi u konfirmua një ditë më parë edhe nga e motra e saj, G.J. që tregoi në gjykatë se e motra kishte ikur në Itali një muaj pas vrasjes së Marsel Sotirit. Në dëshminë e saj, ish-"Miss Skrapari" nuk përmendi rrëmbimin e saj, duke përsëritur kështu për të disatën herë "devijimin" nga deklarimet e dhëna gjatë hetimit në prokurori. Devijimi vazhdoi edhe kur prokurori Martini i tregoi asaj një foto të Marsel Sotirit, e cila pohoi se fotoja nuk ngjante me Marsel Sotirin.


Rreth orës 14:00 të pasdites, prokurori i kërkoi gjykatës ndërprerjen e seancës për të vazhduar javën tjetër për shkak të një angazhimi tjetër hetimor. Kjo kërkesë, irritoi avokatët që kundërshtuan, duke kërkuar vazhdimin e seancës gjyqësor me pyetjen e njërës nga dëshmitaret kryesore të këtij procesi.


Avokatët pretenduan, se ndërprerja e seancës do t'i jepte kohë prokurorisë për ta përpunuar dëshmitaren V.J. e cila, sipas tyre, nuk po thoshte atë për të cilën e kishte thirrur prokuroria. Pas kësaj kërkese, seanca u ndërpre për të vazhduar të enjten e ardhshme në orën 9:00 të mëngjesit, ku pritej vazhdimi i rrëfimit të dëshmitares.


Avokati Ponari: Do kallëzoj penalisht avokatin Ilia për fyerje. Avokati i Berishës pretendon se është provokuar i pari nga Ponari

Incident mes avokatëve të "bandës" së Durrësit,

Kërkesa e avokatit Remzi Ponari, i caktuar kryesisht nga gjykata për mbrojtjen e të pandehurit në mungesë Osman Kërpuzi, për pushim irritoi avokatin Ilia Ilia që mbron të pandehurin Lulëzim Berisha, duke shkaktuar një konflikt me fyerje dhe me sharje, e kërcënime nga avokati Ilia në adresë të avokatit Ponari.


Një situatë e tillë erdhi për shkak se sipas avokatit Ilia, Ponari e kishte fyer më parë në lokalin përballë gjykatës. Gjithçka nisi në seancë, gjatë pyetjes së dëshmitares V.J, kur rreth orës 12:40 minuta, pas tre orë shqyrtim gjyqësor, avokati Ponari kërkon 10 minuta pushim për nevoja personale. Në këtë moment avokatët e tjerë kërkuan vazhdimin e seancës gjyqësore, me pretendimin se avokati Ponari po luan lojën e prokurorit.


Kjo pasi sipas tyre ai kërkonte shtyrjen e seancës për të përpunuar dëshmitaren V.J, e cila nuk po përgjigjej sipas dëshirës së prokurorit. I menjëhershëm qe reagimi i avokatit Ponari që kundërshtoi, duke treguar sms-n e nisur në adresë të një miku të tij.


Gjykata vendosi ndërprerjen e seancës për një pushim 20 minuta. Në kafe, debatet vazhduan mes avokatëve Ponari dhe avokatit Ilia Ilia, si dhe familjarëve të Lulëzim Berishës. Këta të fundit, i kërkuan avokatit Ponari të mos bënte lojën e prokurorit.


Ponari mësohet të ketë mohuar pretendimet e tyre, duke i cilësuar ato si mashtrime të avokatit Ilia. Ky i fundit, pas kësaj nisi të shajë, fyejë e kërcënojë, duke shkaktuar thuajse konflikt fizik mes tyre. Falë ndërhyrjes së kolegëve të tjerë, gjendja është qetësuar. I pyetur për këtë gjest, avokati Ilia u shpreh se "Ponari me fyeu dhe u detyrova t'i përgjigjem".


Në të kundërt, avokati Ponari mohoi ta ketë fyer kolegun e tij, por pohoi se sot do të dorëzonte në prokurori një kallëzim penal ndaj kolegut për "fyerje e shpifje të kryera botërisht". Menjëherë sapo nisi seanca, avokati Ponari i shpjegoi gjykatës incidentin i cili u shkrua në procesverbalin e seancës gjyqësore.


Motra e missit i qëndron dëshmisë së para pak ditëve


Gjykata për Krime të Rënda në kryeqytet, gjatë seancës së djeshme gjyqësore në ngarkim të 16 të pandehurve të "Bandës së Durrësit", lejoi vetë të pandehurit dhe avokatët e tyre t'i drejtojnë pyetje dëshmitares G.J. e njohur, si motra e ish-"Miss Skraparit".


Prokuroria pretendon se V. J, është rrëmbyer për 18 muaj nga të pandehurit për të mos dëshmuar për vrasjen e Sotirit. Edhe gjatë seancës së djeshme, dëshmitarja G.J, mbajti të njëjtin qëndrim, se e motra ishte rrëmbyer nga Indrit Taullaj, Endrit Dokle dhe shokët e tyre. Sipas saj, të gjitha këto i kishte mësuar nga e motra, pas lirimit të saj, që më pas ishte dërguar në Itali.


Gjithashtu ajo konfirmoi sërish se e motra ishte përdorur nga Klodian Saliu si "karrem" për vrasjen e tij. Ndërkaq, avokatët ngritën pretendimin, se dëshmitarja V.J. është bashkëpunëtore në vrasje, pasi ka ndihmuar Klodian Saliun për të kryer vrasjen e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›