E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera e hershme

Pranvera e hershme apo temperaturat e larta në kohën menjëherë pas dimrit, përveç që do të ndikojnë në prodhimin e produkteve bujqësore sa më kualitative, mund të ndikojnë edhe negativisht.

Ekspertët bujqësorë rekomandojnë kujdes nga bujqit dhe ndërmarrjen e disa masave. Posaçërisht për ato kultura bujqësore që mbillen në vjeshtë.
Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, thotë se në këto temperatura, rekomandohet që fermerët të bëjnë plehërimin plotësues te sipërfaqet e mbjella me grurë.

“Temperaturat e larta e thithin lagështinë nga toka. Prandaj plehërimi plotësues është një masë obliguese për kulturat bujqësore që mbillen në vjeshtë”, tha Rusinovci.

Ndërkaq, për të mbjellat pranverore, Rusinovci thotë se fermerët qysh tash duhet t’i përvishen punës. Para se ta bëjnë mbjelljen në prill, fermerët duhet të përgatiten dhe të krijojnë një shtresë para mbjelljes.

“Me këto përgatitje mbjelljet pranverore në prill do të jenë shumë më kualitative”, thotë Rusinovci.

Nga ana tjetër, këtë kohë tropikale e ka pasuar edhe zgjerimi i sipërfaqeve të gjelbëruara. Ministria e Arsimit dhe ajo e Bujqësisë nënshkruan marrëveshje për zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen dhe krijimin e një ambienti të shëndoshë. Kjo marrëveshjeve përmban kornizën e punës si dhe përgjegjësitë e palëve në lidhje me zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara nëpër hapësirat shkollore në kuadër të aksionit “Java e Gjelbër”, që është pjesë e projektit tradicional për mbëltimin e fidanëve me moton “Një banor, një fidan”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›