E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak ujë

Kosova nuk ka ujë të mjaftueshëm për të shuar etjen e dy milionë banorëve. Lumenjtë dhe liqenet e Kosovës nuk mjaftojnë për të plotësuar mungesën e ujit të pijshëm për të gjithë qytetarët.

Ekspertët vlerësojnë se në ato vende ku ka më pak se 1700 metër kub ujë për banor gjatë vitit, aty ka mungesë të ujit. Në mesin e këtyre vendeve është edhe Kosova.

Profesori i hidrologjisë në Universitet të Prishtinës, Ruzhdi Pllana, parashikon se Kosova në të ardhmen do të ballafaqohet me probleme shumë serioze nëse nuk do të ndërmerren masa për ndalimin e keqpërdorimit të ujit.

“Gabimisht mendohet se ujë ka me bollëk. Në vendin tonë gjendja me resurs ujor është jashtëzakonisht e keqe nga aspekti i degradimit. Shtretërit e lumenjve janë shndërruar në depo të bërllokut. Ka lloj-lloj mbeturinash. Është degraduar uji tërësisht. Gati askund nuk mund të përdoren lumenjtë për rekreacion. Ne kemi shumë-shumë procese negative në aspektin e shfrytëzimit joracional dhe ndotjes së ujit”, thotë profesori Pllana.

Në klasifikimin e vendeve të botës sipas pasurisë së ujit, sipas ekspertëve thuhet se ato vende ku një person harxhon më pak se 1 mijë metër kub ujë në vit pranohet si vend i varfër me ujë dhe ato që harxhojnë më pak se 2 mijë metra kub cilësohen si vende me pak ujë. Kurse ato vende të cilat për një person kanë më tepër se 8 mijë deri 10 mijë metra kub ujë në vit, pranohen si vende të pasura me ujë.

Edhe kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor në Kuvendin e Kosovës, Naser Rugova, thotë se Kosova është dukshëm më prapa sesa vendet e rajonit në aspektin e menaxhimit të resurseve ujore.

“22 marsi, Dita Botërore për Ujin, Kosovën e gjen të papërgatitur në të gjitha aspektet që i përkasin me menaxhim të ujit, qoftë të legjislacionit apo të strategjive nacionale. Ne duhet që realisht t’i qasemi këtij problemi që është regjional dhe global”, thotë Rugova, duke shtuar se në vend ka resurse të pakta të ujit dhe se ato nuk po menaxhohen mirë.

“Të gjitha këto alarmojnë për një vetëdije institucionale dhe për hartim të dokumenteve strategjike, që do të mendojnë për 20 e më shumë vite e jo vetëm ad hoc që të bëjmë strategji, të cilat nuk po gjejnë zbatim”, thotë ai.

Deputeti Naser Rugova bën të ditur se tashmë Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë Ligjin për Ujërat, mirëpo i cili, sipas tij, gjatë monitorimit të këtij ligji janë vërejtur mjaft mangësi për zbatimin e tij në praktikë.

Edhe pse Kosova ka pak ujë, zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal Prishtina pohojnë se ata pak ujë të pijshëm që kemi është i një cilësie të lartë. Sipas tyre, uji që rrjedh në krojet e kuzhinave tona mund të pihet pa ndonjë hezitim.

“Uji që vjen në krojet tona vjen nga dy fabrika për përpunimin e ujit në Albanik dhe dy liqenet akumuluese, Batllava dhe Badovci, është i një cilësie të lartë konform standardit të përcaktuar me një udhëzimin administrativ të UNMIK-ut. Ne asnjëherë nuk guxojmë të distribuojmë ujë të papastër, andaj si kompani garantojmë për një cilësi të lartë të ujit të pijshëm. Prandaj unë asnjëherë nuk e blej ujin, por e pi nga krojet”, thotë zëdhënësja e kompanisë së ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

Ajo pohon se kjo kompani për çdo ditë bën analizat e cilësisë së ujit në laboratorin e kompanisë së këtij ujësjellësi dhe në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Megjithatë, përkundër faktit që uji që vjen nga kjo kompani thuhet të jetë i pastër, ai mund të zhytet gjatë rrjedhës së tij nëpër gypat shumëvjeçarë që e përçojnë ujin deri te konsumatorët.

Këtë fakt nuk e mohon as zëdhënësja Mjeku, por se, sipas saj, ky nuk është problem i ujësjellësit pasi që gypat e vjetruar më shumë gjenden brenda ndërtesave kolektive që janë të ndërtuara para shumë vitesh.

Mirëpo, Mjeku paralajmëron se në këtë vit do të fillojë zbatimi i projektit për ndërrimin komplet të ujësjellësit të vjetruar, projekt ky i cili pritet të mbarojë në fillim të vitit 2013.

“Do të kemi cilësi të ujit shumë të lartë dhe furnizim me ujë pa ndërprerje për 24 orë”, pohon ajo.
Data 22 mars është shpallur prej vitit 1992 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si Dita Botërore e Ujit, ditë në të cilën në shumë vende të botës organizohen aktivitete me synim ndërgjegjësimin e opinionit për mbrojtjen, ruajtjen dhe përdorimin racional të burimeve ujore.

Fakte

-Sipas statistikave, në botë vetëm 3% e ujit është i freskët, ndërsa 97% ndodhet në dete dhe oqeane. Po ashtu, vetëm 1% e ujit që ndodhet në tokë është i pijshëm.

-Deri në vitin 2005 dy e treta e njerëzimit do të ndiejë mungesë serioze të ujit, paralajmërojnë ekspertët e Kombeve te Bashkuara, ndërsa, sipas parashikimeve, afrohemi në periudhën kur do të luftohet për ujë të pijshëm.

-Mbi 1.6 milionë njerëz vdesin në vjet për shkak të mungesës se ujit të pijshëm dhe ujit për mbajtjen e higjienës personale, ka konfirmuar drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çan.

-Nga viti 2005 deri në vitin 2015 në vijim është dekada botërore e ujit, e quajtur “Uji për jetë”. Qëllimi i kësaj dite është që të arrihet rëndësia e resurseve ujore dhe domethënia kritike e ujit për shëndetësi, bujqësi dhe civilizim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›