“Pranverën që vjen inaugurohet autostrada që bashkon Tiranën me Elbasanin”
Kryeministri Berisha inauguron në Elbasan, shkollën e mesme profesionale “Salih Çeka”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se pranverën e ardhshme inaugurohet realizimi i një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, autostrada Tiranë – Elbasan. Në vijim të turit të inaugurimeve të shkollave të reja në mbarë vendin, shefi i ekzekutivit deklaroi nga qyteti i Elbasanit ku mori pjesë në përurimin e shkollës së mesme profesionale, “Salih Çeka”, se me ndërtimin e autostradës, Tirana dhe Elbasani shndërrohen në rajonin më të fuqishëm të tregut në Shqipëri dhe në rajon.
Duke u ndalur tek vëmendja e qeverisë ndaj arsimit, Berisha tha se shkolla e mesme profesionale “Salih Çeka”, sjell një risi në sistemin arsimor profesional të vendit, përbën një investim prej 1 milion e 200 mije euro, financuar me fonde të BE. Me një kapacitet prej 1000 nxënësish shkolla ofron mundësinë e arsimimit nëpërmjet programeve bashkëkohore, në një sërë degësh si atë të hoteleri-turizëm, informatikë, ndërtim, hidraulikë, konfeksione, mobilieri, etj. Kryeministri Berisha i shoqëruar në këtë vizitë, nga ambasadori i delegacionit të BE, Ettore Sequi, nënkryetari i parlamentit, Ardian Turku, ministri i Arsimit Myqerem Tafai, kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdiu, etj, u takua me stafin pedagogjik të shkollës, si dhe me nxënës e prindër të mbledhur me këtë rast.
Më pas, Kryeministri Berisha iu drejtua me një përshëndetje të gjithë të pranishmëve, ku falënderoi dhe shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian delegacionit të BE dhe ambasadorit Sequi, si dhe të gjithë taksapaguesve të BE për dhuratën që i bënë jo vetëm qytetit të Elbasanit, por të gjithë sistemit arsimor në vene.
Duke e cilësuar, si një prej shkollave më moderne të vendit, Berisha tha se kjo shkollë profesionale përbën një hap të madh në përshtatje me kërkesat e tregut në qarkun e Elbasanit dhe në mbarë Shqipërinë. Kryeministri vuri në dukje se ky vit shënon një rritje prej 23 për qind të përfshirjes së nxënësve në arsimin profesional duke theksuar se shkollimi i fëmijëve në shkollat profesionale është një mundësi shumë më e madhe dhe një përgatitje shumë më e mirë për të ardhmen e tyre.
Kryeministri garantoi gjithashtu se qeveria e drejtuar prej tij do të bëjë gjithçka për shkollimin, punësimin dhe realizimin e perspektivës evropiane për qytetarët shqiptarë.
Ambasadori Ettore Sequi: Arsimi profesional garanton të ardhme
Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi i bëri apel nxënësve të zgjedhin arsimimin profesional si një garanci për të ardhmen e tyre. Sequi theksoi se shkolla profesionale që përurohet, është sipas standardeve të BE-së.
Sipas tij, BE ka investuar për arsimin profesional në Shqipëri që nga viti 2006, 8.2 milionë euro, sepse arsimi profesional sjell ndryshime në vend dhe punësim. “Arsimi profesional është tepër i rëndësishëm dhe garanton të ardhme prandaj dhe Bashkimi Evropian i kushton vëmendje dhe insiston në zhvillimin e mëtejshëm të tij. Që nga viti 2006, BE-ja ka investuar 8.2 milionë euro në arsimin profesional në mënyrë që të rritet aftësia e punësimit për ata që përfundojnë arsimin profesional”, u shpreh Sequi gjatë përurimit të shkollës së mesme profesionale “Salih Çeka”, investim prej 1 milion e 200 mije euro, financuar me fonde të BE.