Prapë me 200 petrita komunistë?!
(Pse 20, pse 200, pse në aq konspiracion e fshehtësi të frikshme, pse në atë vend, pse përdhoset institucioni i shenjtë i grevës së urisë, pse me mish e qofte e jo me bukë...)
200 petritat socialistë (20 deputetë dhe 180 fërshëllyes në dispozicion të tyre) kaluan shtatë ditë nën e pranë çadrave të sulltanit të ri, rrëzë a buzë mureve të kështjellës, m’u në mesin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë (jo në Krujë). Do të ishin 200 se kanë frikë të jenë 20 dhe ato 20 duan hyzmeqarë o të keqen. Pastaj nuk do të ishin të besueshëm tek komunistët nëse nuk do të tregonin se janë si të kohës së Miladinit 200 petrita komunista lule. Rrëzë kështjellës ka dalë një problem i madh. Mbeturinat e ushqimeve të zgjedhura të ngrëna pak shpejt që të mos shohin shumë njerëz, kanë filluar të mbledhin do lloj mizash që po i sulmojnë pushuesit e çadrave, po ju hyjnë në trup dhe po u shkaktojnë kruarje të madhe, bezdi të madhe.
Të lëmë mizat e ta shohim grevën drejt.
Grevë e shëmtuar. Si kinezë janë veshur të gjithë me një uniformë, hanë të gjithë të njejtat gjëra nga mënyja e pasur, flasin njëlloj, qeshin njësoj, vuajnë njësoj, tremben njësoj, shohin me frikë njësoj a është dakord ai i gjati. Njësoj, njësoj, njësoj.
është e pabesueshme, jashtëzakonisht e pabesueshme se si munden ta mbajnë të fshehtë procesin e ngrënies teksa njerëzia shohin se drejt tyre shkojnë tenxhere e tepsia me qofte, mish e pilaf konserva, tasa, kanoçe etj etj.
është e pabesueshme, jashtëzakonisht e pabesueshme, se si u bënë gati 200 petritat pushtues të sheshit tonë të përbashkët, si u bënë gati për një orë ta themi nga koha kur hynë në atë mbledhje gjasmë rrufe e shumë të rëndësishme të para shtatë ditëve dhe deri në momentin që ngrehen çadrat, prunë nevojtoret dhe bënë gati infrastrukturën.
Babaramo në emisionin e tij “5 pyetje...” u tregua i sinqertë kur pyeti drejtuesin e opozitës se si e bëtë organizimin me gjithë atë komoditet kaq shpejt, në kaq fshehtësi sa as gazetarët nuk e kishin nuhatur... Një gjë që kishte së paku dy javë e bërë gati, e mirëpërgatitur dhe e mirëorganizuar.
E thjeshtë, për ju që dyshoni e nuk besoni. Gjithçka e kishin organizuar dhe bërë gati në fshehtësi të plotë, me disiplinë të hekurt, ish sigurimsat e shtetit. Dyshoni sa të doni. Por ai organizim është i atij kalibri i asaj dore. Askush nuk kishte ditur gjë për një organizim greve (bërje a blerje çadrash, ngarkime e shkarkime, listime individësh, përgatitje furnizimesh me ujë, fruta edhe ekzotike, ushqime, me ilaqe, me ... me të tëra çfarë i duhen suitës së sulltanit të vogël) ku ishin të përfshirë së paku 100 njerëz në Tiranë. Kjo është për t’u lavdëruar. Kjo fshehtësi është për t’u admiruar.
Pse greva aty në mes të sheshit? Që të bëhen më interesantë, të tërheqin më shumë vemendje me këtë shoun e tyre të shplarë pasi nuk besojnë as vetë në shenjtërinë e grevës së urisë. Po të besosh në grevën e urisë, në shenjtërinë e saj, atë mund ta bësh kudo ku nuk cënon askënd tjetër, ku nuk ia cënon lirinë askujt tjetër, ku nuk prish rregullin e mënyrën e jetesës së askujt tjeter që e ka mënyrën e tij të jetesës, që nuk u shkakton mungesa fëmijëve nëpër shkolla ose njerzve për në punë me bllokimin e trafikut të qytetit.
Po të besosh në shenjtërinë e grevës së urisë duhet kujtuar shembulli i fundit i ndjeri Pjetër Arbnori. Kjo s’është grevë urie por është grevë ku s’durohet uthi prej së ngrëni, kjo është grevë për mos me u la e me të ardhë era thartinë prej llomit e zhulit. Unë nuk besoj më në greva urie. U ka ikë në Shqipëri koha, vakti, moda, u ka dalë boja e u ka ra kallaji.
Por ndjehem keq për këtë shfaqje, për këtë shou, ndjehem keq se jam kohanik i kësaj kohe absurdi dhe nuk do të di, nëse do jem gjallë, t’ua shpjegoj fëmijëve nesër se pse e çfarë e kush bëri, si. Si qytetar më dhemb shpërdorimi dhe abuzimi me qytetarët dhe kurrë nuk u binda dot për gati një vit se kanë ndonjë të drejtë themelore që po ju shkelet. Dhe deklarojnë me mburrje se ata që janë në grevë dhe ata të cilët 200 petritat përfaqësojnë qenkan qytetarë të këtij vendi, bile dhe qytetarë që nga koha e pordhës ku s’ka patur qytet kund ndër ne dhe populli tjetër që nuk përfaqësohet nga 200 petritat qënkan katundarë dhe të trashë. Kësaj i thonë që morrat i thonë kokës së njeriut, kur erdhe ti kokë këtu. Dhe s’merret vesh a morrat shkuan tek koka apo koka shkoi te morrat.
Opozita është në dorë të ish-Sigurimit të shtetit, drejtohet e menaxhohet në aktet e saj prej asaj kaste që të bënte e po na bën gjëmën. Kujt s’i ka ikë kujtesa e s’e ka mbyt harresa, vini re se po luhet skenar i njohur. 1997 është në tryezë. Shumë aktorë janë të njejtë. Ata më bishtshkelurit nga ishsigurimi janë në fushë, janë thirrë nën armë, janë gatitu. Ata që kanë bërë burg për përdhunime nxënësesh e janë shkruar si të burgosur politikë se kanë dashur të vrasin e ta rrëzojnë udhëheqjen, si ai i Urës së Gjolit...
Ata sërish, edhe pas 20 vjetëve demokraci në rritje e maturim, (çudi ky numri 20 i deputetëve.... grevistë prej uthit), nuk hoqën dorë nga përdorimi që u bën ustai. Dhe dalin, si në ’97, me thirrje drejt sheshit, me thirrje për shtrirje e masivizim të grevës në tërë Shqipërinë...
Ej bela po thotë sulltani i vogës, nuk po tundet Tirana, nuk po pjerdh Tirana se çfarë po bëhet në mes të sheshit të madh të saj. Normal që nuk tundet Tirana kollaj. Ndaj o burra të shpërndahemi shesheve, fshatrave, qytezave e qyteteve të tjera të Shqipërisë.
E pse thonë njerëzia? Për kutitë ku qenkan votat? Po kush fiton nga ato vota nëse pëmbysen. Sulltani i vogël me 200 petritat e tij. Populli gishtin nga pas do fitojë. Kjo është e vjetër sa bota. Këto janë përralla. Nuk shoh as bindem se ka motiv, shkak, arsye që të ndjej dhimbje apo simpati për këtë greve. Sa më shumë mediat e kontrolluara bëjnë hatanë se po bëhet nami, aq më pak beson mileti. Se kjo puna me mediat është kështu, duke dashtë me e puthë opozitën, po e kafshojnë, po e përjargin. Ej, shqiptarët nuk janë më të kohës së qepës. E thotë për interes të tij ndonjë mentar i grevës këtë gjë. Po kujt t’ia thotë mor aman? Një gjë që s’shkon fare, aq sa shkon era e këmbëve apo çorapeve të palara, apo era e gojës me dhëmbë të prishur e të palarë dhjetë vjet, është oratoria e politikanëve pa elektorat, e atyre që nuk ua japin votën as gratë e as dashnoret. Na dërdëllisin mos o zot si baballarë të kombit. Normal që nuk kanë asnjë përgjegjësi, më rrove të rrova brisku i berberit. Dhe njerzia rrinë tek tuk gojëhapur. Ej njerëz, vezë me dy të kuqe nuk bën kush. Një politikan matet me votat që merr. Kur populli të fshin, nuk të pjerdh as si individ e as si forcë politike që përfaqëson, ik struku në shtëpinë tënde dhe shkruaj kujtime e fërshëlle. Politikani matet me sa vota merr. Vetëm tek ne ndodh që politikanët pa vota, pa parti, pa asgjë në torbë, hanë miza më shumë se ata që kanë marrë përgjegjësinë nga populli për tu drejtuar. Ata janë që kanë pushtuar mediumet, emisionet, lajmet.
Dhe besojeni se edhe kjo s’është e pamenduar hollë nga ishsigurimi i shtetit. Të kriojohet bindja se këtu 15 njerëz dinë të flasin, të debatojnë, të opinionojnë, të mentojnë... Basëm turke... thonim dikur. Përveç Edi Ramës, nuk i ka hije askujt nga ato folësa që dërdëllisin që të dalin e të na vrasin sytë e të na çjerrin veshët aty. Pse del e flet para 50 apo 100 mijë vetëve mos mendo se u bërë i rëndësishëm e fitove poena. Thjeshtë u përdore dhe kaq dhe ke fatin e atij njëpërdorimshit apo të çamçakëzit që do t’i mbetesh ndokujt në shuallin e këpucës. E të ndodh si një fatziu një natë tek Arjan çani kur i tha Rama, “mjaft më llangose or ditëzi, se mileti duan të më dëgjojnë mua e jo ty tek më lavdëron e më llangos kaq bajatisht”. Fati i çamçakëzit....