E Hënë, 2 Nëntor 2026

Preç Zogaj: Kërkesa e PD-së për shkarkimin e Presidentit Begaj, më shumë një akt propagandistik

Analisti politik Preç Zogaj, gjatë emisionit “Trialog” në RTSH, komentoi nismën e Partisë Demokratike për të kërkuar shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj. Zogaj vuri në dukje se “megjithëse opozita është në të drejtën e saj për të shprehur qëndrime kundërshtuese ndaj Presidentit, duke përfshirë edhe kërkesën për shkarkim, nisma ka më shumë karakter politik sesa procedural.“

Zogaj e cilësoi të drejtë kërkesën e opozitës, duke argumentuar se opozita, sidomos PD-ja, e ka në traditë të saj të ketë marrëdhënie të ftohta edhe me presidentët që ka zgjedhur vetë, duke përmendur rastin e Bamir Topit.

Mungesa e numrave dhe precedenti

Megjithatë, Zogaj theksoi menjëherë mungesën e elementeve thelbësorë për suksesin e kësaj nisme.

“PD e di se kjo nuk shkon pasi ata kanë juristë. PD e para s’ka numra. Këto numëra nevojiten,” tha Zogaj, duke shtuar se logjika e numrave ka vlerë sidomos kur mungojnë argumentet shumë të forta.

Më tej, ai solli në vëmendje precedentin e rastit të ish-Presidentit Ilir Meta dhe opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, sipas Zogajt, e bën thuajse të pamundur kërkesën për shkarkim.

Akt politik dhe propagandistik

Për Zogajn, duke qenë se PD-ja i di këto vështirësi, nisma e tyre është kryesisht një veprim politik dhe propagandistik.

“PD duke i ditur këto ka bërë më shumë një akt politik, më shumë për të bërë publik mospajtimet që kanë me presidentin. Është akt propagandistik,” deklaroi analisti.

Ai theksoi se vendimi i vërtetë do të vijë nga Gjykata Kushtetuese më datë 31 tetor, e cila do të shprehet mbi dekretin e Presidentit, duke e zhvendosur fokusin e rëndësishëm nga kërkesa politike e opozitës drejt vendimit ligjor të institucionit të lartë të drejtësisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›