Preç Zogaj përfaqëson Shqipërinë në çmimet "Balkanika"

Poeti Preç Zogaj është përzgjedhur nga juria shqiptare e konkursit të përvitshëm letrar ndërballkanik "Balkanika" për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë ngjarje kulturore.
Vepra e botuar në vitin 2011 "Ngjarje në tokë" u përzgjodh nga shqiptarët për t'u paraqitur pranë jurisë ndërkombëtare të këtij çmimi. E botuar në shqip nga shtëpia botuese "Tirana & Times" dhe në anglisht nga University of Texas në Dallas (SHBA).
Juria shqiptare e "Balkanika", përbëhet nga kryetari Akademik - prof. Jorgo Bulo; prof. Ali Aliu, akademik; Piro Misha, studiues; Diana Çuli, shkrimtare - anëtare e jurisë së "Balkanikës" dhe Virgjil Muçi, shkrimtar.
Shtëpia botuese "Toena" është pjesë e organizimit të konkursit letrar të përvitshëm "Balkanika", që sivjet do të zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, në fillim të muajit nëntor, ku do të shpallet edhe shkrimtari më i mirë i Ballkanit.