E Shtunë, 31 Tetor 2026

Migjeni vjen në ABC

Sot (e premte), duke filluar në orën 12:00, në Kinemanë ABC jepet premiera e filmit dokumentar ‘Migjeni, ky uragan’, në skenar të Tefta Radi dhe në prodhim të RTSH-së. Dokumentari mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë pasur kontakte me shkrimtarin e madh, kanë qenë kolegë me te, si dhe të ish nxënësve të Migjenit, që numërojnë mbi ’90 vite mbi supe.

Këta janë njëherazi dhe dëshmitarët e vërtetë dhe të fundit të viteve '30.

Në dokumentar nuk mungojnë edhe dëshmitë e trashëgimtarëve të familjes Nikolla, mbesës Angjelina Ceka dhe nipit Gjergj Pero. Mjaft fakte interesante sjellin edhe studiuesit Moikom Zeqo, Adriatik Kallulli e të tjerë.

Pas një pune hulumtuese, përmes këtij dokumentari vijnë edhe fakte të reja e të panjohura më parë. Të gjitha se bashku zbulojnë shkrimtarin Millosh Gjergj Nikolla, që jetoi pak, por la pas një vepër të plotë që u parapriu kohërave. Figura e tij vjen në dokumentar si një qenie e madhe sociale, me gjenialitetin e mendjes, të penës, me historitë e dhimbjes e të dashurisë.

Një vend të rëndësishëm zënë edhe interpretimet e aktorëve shkodranë Enver Hyseni, Merita Smaja e Paskualina Gruda.

Të pranishëm në premierën e dokumentarit do të jenë veç grupit realizues, edhe studiuesi Moikom Zeqo, mbesa e shkrimtarit, znj. Ceka e të tjerë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›