Preç Zogaj:E fshehta ime në diktaturën e ’80-s
Letërsi/Raportet me rrëfimin nga diktatura në romanin e ri të Preç Zogajt, “Gjyshi i tmerrshëm”
Janë 50 vjet bosh në Shqipëri, ku askush nuk e ka kuptuar pse ka jetuar, është mungesë ekzistence. Historia nuk rreh të thotë asgjë për këtë. Vetë njerëzit hezitojnë të rrëfejnë ose, më mirë, kanë frikë të thonë të vërtetën, aq personale, aq private, aq të fshehtë. Edhe vetë rrëfimi këtu injorohet nga misticizmi biblik - si një mënyrë për të pranuar fajet, për t’iu larguar mëkatit dhe për t’i dhënë frymës paqen. Vetiu çudit pyetja se kur është ndier gjallë njeriu në Shqipëri?! Për ta kuptuar këtë “të fshehtë” (si marrëveshje fjalësh) një nga shkrimtarët e njohur, por dhe aktivë të jetës publike në këtë vend, që ka jetuar rininë në kulmin e zymtësisë së viteve ’80, Preç Zogaj, nuk na vjen më aq poetik - ndonëse poezia nuk i ndahet - në romanin e ri “Gjyshi i tmerrshëm”.
Kur At Zef Pllumin e patën pyetur pse diktatura qe aq e egër dhe e gjatë; pse njerëzit ishin aq të nënshtruar dhe nuk mundën të dilnin nga ajo frikë; ai i qe përgjigjur me një fjali të vetme - ishte injorancë e madhe.
A mund të konsiderohet sot ajo kohë nën këtë vëzhgim të mprehtë të priftit katolik?! Çfarë ka qenë bosh brenda shqiptarëve që mbiu aq rrufeshëm, papritur, një manipulim total i trurit që u finalizua me ekzekutimin e mendimit - aty ku strehohen të gjitha të fshehtat e burimeve njerëzore, historia, dëshmitë, rrëfimet, dashuritë, urrejtjet, vetë kuptimi i jetës. Janë 50 vjet bosh në Shqipëri, ku askush nuk e ka kuptuar pse ka jetuar, është mungesë ekzistence. Historia nuk rreh të thotë asgjë për këtë. Vetë njerëzit hezitojnë të rrëfejnë ose, më mirë, kanë frikë të thonë të vërtetën, aq personale, aq private, aq të fshehtë. Edhe vetë rrëfimi këtu injorohet nga misticizmi biblik - si një mënyrë për të pranuar fajet, për t’iu larguar mëkatit dhe për t’i dhënë frymës paqen. Vetiu çudit pyetja se kur është ndier gjallë njeriu në Shqipëri?! Për ta kuptuar këtë “të fshehtë” (si marrëveshje fjalësh) një nga shkrimtarët e njohur, por dhe aktivë të jetës publike në këtë vend, që ka jetuar rininë në kulmin e zymtësisë së viteve ’80, Preç Zogaj, nuk na vjen më aq poetik - ndonëse poezia nuk i ndahet - në romanin e ri “Gjyshi i tmerrshëm”.
Është një dekadë, ’80 - ’90, që na propozon të njohim nga shkrimtari, të kuptojmë absurdin e një vazhdimësie diktatoriale që po shkonte si vagonë, të fundit, të mbetur rrugëve, që kërcëllitja e amortizimit është më e vrazhdë, që lëvizja është më e zhurmshme, më tmerruese. Kur çdo gjë ishte fikur, e destinuar për t’u shkatërruar - por çfarë kishte lënë pas?! Para se të përpiqemi të kuptojmë pse Zogaj ka zgjedhur këtë rrëfim kaq intim në romanin e tij, me një diabolizëm personazhesh, me një qartësi psikologjike vetëpranimi dhe mohimi të saj njëkohësisht - është për t’u ndarë një herë e mirë historikisht me këtë periudhë. Libri është politiko-sociologjik se sa rrëfim historik. Kushdo që do mundohet të gjejë ndonjë “të fshehtë” brenda tij do të grishet vetëm drejt pyetjeve kurioze, madje pa fund. Nuk është libër dilematik.
Jemi në një kohë kur individi si term dhe koncept fizik e kishte humbur gjithë kuptimin, aq më tepër po ta kërkosh këtë nëpër faqe librash apo poezi, del krejt jashtë natyre. Ndoshta ky është hendeku më i madh që është krijuar nga letërsia e asaj kohe - të na japë modele psikologjike, mënyra jetese të individit, kush është ai. Ndërkohë, këto bëhen kardinale në librin e Preç Zogajt. Nuk është nevoja të flasim në kushtet e një romani të mirëfilltë, siç mund ta quajmë letrar. Madje poetika e Zogajt e zbeh meditimin, por të ngul në ndjekjen intime të vëzhgimit intuitiv të psikologjisë së individit - çfarë po ndodh në transformimin e tij, pa shkak, si jeton kur ai mbetet bosh, si?! Ndjesia bosh të ndjek qysh nga faqja e parë e romanit, a thua se shkrimtari ka mbushur kot faqet me fjalë. Po si duket ky është një rreng për të çuar në kuptimësinë e abstraksionit të mendimit -në një kohë kur mungonte totalisht - për të kuptuar se si mund të funksiononte një shpirt pa ekzistencën e tij racionale, reale.
Madje në një moment, Zogaj duket sikur i bën thirrje kohës së tij, përmes disa ushtrimeve mendore - siç mund të kapet pick një pjesë e mishit apo siç mund të thirret njeriu, për të marrë vesh nëse rron pas një gjendjeje kome të gjatë.
Historia e romanit si duket merr shtysën nga një rubrikë televizive “Si të gjejmë njerëzit e humbur”, që është aktuale e këtyre ditëve të sotme. Është një histori fatale, dëshpëruese, tragjike për të cilën shkrimtari merr barrën më të rëndë për ta kumtuar. Ka një sugjestion hiri, fryme, të një trupi të vetëm, sepse vetëm nga kjo nënlëkurë mund të rrëfehet ngjarja, në të kundërt, i gjithë romani që flet në gjuhë të tretë, nuk do të krijonte aq natyrshëm surealin e vet. Është vetë autori që na prezanton ngjarjen, familjen Muzakaj e internuar në qytetin e tij të lindjes, në Lezhë. Kasem Muzakaj është emri që përndiqet në dy breza vetëm pse kishte vdekur në mënyrë absurde - pse nuk kishte vezë e lesh, kjo taksë e jashtëzakonshme e regjimit në vitet ’46, e bëjnë të zhduket befasisht, por me një njollë për familjen e tij - ishte armik i popullit sepse “ishte arratisur”.
Familja Muzakaj nuk ka histori të jashtëzakonshme në ndryshim nga të gjitha familjet e tjera që internoheshin në diktaturë. Sa herë dëshmitë vijnë, pasojat e përndjekjes të çojnë tek absurdet. Preç Zogaj nuk ka rrezikuar të eksplorojë, por është ngulur mu në rininë e tij, në vitet ’80, me një dëshmi krejt personale dhe pa dyshim që do të shërbejnë për të hedhur shumë teza në të ardhmen se çfarë përfaqësonte mendimi i tij.
Në kohën e romanit ai është në vitin e fundit të gjimnazit në Lezhë, është student, bëhet gazetar dhe kur historia përfundon dhe “e fshehta” njihet, është një politikan aktiv i së djathtës.
Arturi, djali që trashëgon mbiemrin e Muzakajve - që nuk na thotë gjë për nga historia e këtij fisi - është portreti që përdor “jashtë kohe” Zogaj. Ai hyn dhe del në kohën e shkrimtarit. Është një përpjekje e autorit, personazhi kryesor i rrëfimit, për të hyrë në metafizikën e diktaturës, çfarë shkaktonte tek kohësia e njeriut totalitarizmi. Si shenjë dhe si jetë reale, ndonëse ishte e paperceptueshme, në roman autori i shpëton kësaj, duke e shndërruar “ushtrimin mendor” në situata ireale. Arturi është pjellë e kësaj - që e bind shpesh autorin ta kundrojë si një vizion-hije, që në fakt duhet të jetë dhe ndërgjegje personale. Kjo e ka shtyrë shkrimtarin të mos heqë dorë deri në fund të romanit, për të zbuluar gjithë ironinë e një “lufte” tiranike. “Gjyshi i tmerrshëm” - ky pagëzim i romanit është nga më tërheqësit. Është një njeri që nuk ekziston në roman, jashtë kohës, madje dhe të vetë diktaturës, gati si një njeri që jeton në një fshehtësi të pakuptueshme. “Gjyshi” bëhet halucinacioni që drithëron autorin, personazhin kryesor “jashtë kohe”, pra Arturin. Derisa merr kuptim ky personazh, shkrimtari e paraqet si qenie fizike, ndërsa kur reali humb dhe grotesku e përfundon historinë në banalitet, Zogaj e “zhduk” personazhin. Është nxitja e ndërgjegjes, mund të thuhet si e vetmja siguri për këtë roman. Rrëfimi dhe pranimi, zbulimi dhe e vërteta - irealja dhe realiteti: janë pa dyshim raporte që sa hedhin dritë në roman, fenomene që ftojnë për të hulumtuar në letërsi, si histori.
Leskoviku është vendi si në gropë, që mban historinë e vërtetë të romanit - aty ku tregohet një copë kronikë e viteve ’80; kur xhelatët janë veteranë, janë njerëz hije që rrëkëllejnë konjakun dhe kafenë e përditshme në klubin e tyre, pa e prishur terezinë se dikush në atë fshat ishte harruar dhe vuante “dënimin” e partisë - si armik i popullit, djali i Kasem Muzakës. Deri në fund të romanit këtë emër shkrimtari e mban karrem, arsye për ta ndjekur dhe jashtë vullnetit për ta njohur, për ta sqaruar fatalitetin e harruar. Pra, dikush ishte dënuar jashtë një të vërtete dhe familja e tij vuante persekutimin; Arturi Muzaka mbetet pa studime të larta, e motra, Silvana Muzaka, e talentuar në matematikë, zbeh çdo dëshirë për t’i mbijetuar kohës, për shkak të “dënimit” nga partia. Është një familje që mban ankthe, që kanë pranuar ndëshkimin, si të merituar për shkak të “gjyshit të tmerrshëm”, Kasem Muzaka, që kishte tentuar të arratisej, se kishte frikë mos e vriste partia, sepse nuk kishte dhënë tatimin e jashtëzakonshëm “vezë dhe lesh”. Kjo histori është e mjaftueshme për të kuptuar shkrimtarin pse personazhet e tij dalin tepër, harrohen nga koha. Familja Muzaka rron mbi 20 vjet me këtë ndëshkim pa kërkuar asnjëherë sqarimin se çfarë ka ndodhur realisht me “gjyshin e tmerrshëm”. Shkrimtari i njeh. Dhe për të na bërë ndryshimin e madh mes tij, Lezhës, kësaj familjeje dhe vendit nga janë, Leskoviku - i duhet të udhëtojë për të na hedhur në një realitet tjetër, po aq të zymtë, po aq dëshpërues. Vetëm me një ndryshim të madh - duke nxitur lexuesin drejt një kohe që ta mbyllte jetën pa marrë të vërtetën nga pas. Është gati një thirrje e ngjashme për ta shpëlarë historinë e shqiptarëve të diktaturës, pa reminishencën e sëmurë e të deliruar, dhe të përjashtimit, dhe të harresës. Fatkeqësia më e madhe, na zbulon autori në udhërrëfim, është mosdalja e së vërtetës. Loja me të fshehtën bëhet më dyshuese, kur autori mbledh informacion nga bashkëfshatarët e Muzakajve. Është një mënyrë depërtimi në “sekretet” e njerëzve, shumë e kualifikuar. Duket se për këtë arsye ai ka marrë rrugën më të rëndë se poezia, të rrëfyerit në roman.
Autori e nxjerr veten jashtë rrezikut, frikës nga diktatura. Jo për “trimëri” intelektuale, por këtu nis realizimi i së vërtetës, ku instinktet e shkrimtarit e tradhtojnë atë për “të fshehtat”. Shkrimtari merr përsipër të nxisë jetën e Arturit, këtij njeriu që bën “shkrehje” të çuditshme të tensionit të brendshëm, ankthit, frikës gjithë natyrën psikologjike - duke u hedhur nga lartësitë ai çliron “mpiksjen e gjakut”, rifiton jetën. Nuk mund të thuash se është gjendje depresive e personazhit. Zogaj na e ofron këtë shpjegim, por dhe i largohet duke e lidhur me shkaqet e përndjekjes së familjes së Muzakajt, sa herë iu duhet t’i rikthehen tek “gjyshi i tmerrshëm”.
Janë aq të shpeshta këto episode në roman, sa mbahet si “sekret” sionik, mes autorit dhe vetë Arturit. Autori-Artur, është një lidhje e çuditshme psikologjike dhe shpirtërore, tepër e ngushtë, a thua se përmes kësaj të nënkuptojmë miqësinë ideale?!
Krejt në të kundërt nga poezitë, ku ndjeshmëria, erosi, dëshpërimi, melankolia etj. janë një realitet lirik, në roman nuk ndodh asnjë lidhje shpirtërore. Është një ngurtësim, metafizik, në këtë linjë: ka dy-tri shkëndija që të gënjejnë se mund të kemi një histori dashurie, por mbyllen krejt rastësisht - si ajo me Margaritën apo vajzën e inxhinier Paridit, që shëtit në Lisusin antik. Por në fund të romanit, në një episod kalimtar, kuptojmë se autori-rrëfyes është një bashkëshort.
Është një “dashuri” mistike, krejt e natyrshme, po këmbëngulëse, e shkrimtarit për qytetin e tij të lindjes, Lezhën, që në kapitujt e parë i jep krenari nostalgjike këtij qyteti.
Këto janë marrëdhëniet më të forta që vendos Zogaj në roman. Ndërsa ngjarjet nga mesi i kapitujve zhvendosen krejtësisht në krahinën e Leskovikut - aty ku zbulohet historia e romanit dhe një jetë e dyfishtë që bën autori, si udhërrëfyes, ndonëse “personazhin” kryesor e ka pas vetes, ku kuptohet vazhdimisht gjendja e ankthit për të njohur realin. Arturi këtu bëhet i padukshëm, i pa shoqërueshëm dhe tregimi bie në dorë të autorit, ku shpesh gjejmë qëndrime polemizuese, refleksione mbi atë kohë sesa përjetim i përfshirë aty. Ndoshta nga lexuesit do të mbahet menjëherë qëndrimi se të shkruash tani për diktaturën, qoftë të jetë edhe rrëfim, nuk ka asnjë kuptim derisa kjo nuk ka ndodhur si denoncim brenda atij sistemi! Në mënyrë simbolike Zogaj na shfaqet me metaforën e “diellit”, që duket pak artificë, në krahasim me jetën aq të errët dhe të zymtë, e për më tepër të fshehtë, të ndrydhur të shqiptarëve. Këndvështrimi sociologjik është tipari prej nga duhet blerë ky shkrimtar se si e sheh veten në këtë kontekst kohor, aq më tepër kur ky është refleksion letrar dhe jo përshkrim.
Banalizimi i historisë kur zbulohet se Kasem Muzakaj nuk është arratisur kurrë, se është vrarë me të shtime “jerm” të njerëzve të kufirit, pa qëllim për ta vrarë, po thjesht për ta trembur - kthejnë histori tashmë të njohura për presionin psikologjik që përdorte diktatura për të tmerruar shqiptarët. Kasem Muzakaj nuk ishte “dede”, siç ishte marrë historia para përmbysjes së diktaturës, në fund të viteve ’80, e interpretuar prej “veteranëve” dhe “xhelatëve” që i shërbyen diktaturës. Fillimet e demokracisë shkrimtarin e kthejnë në vitet e afërta, kur pozicioni i tij tani është gati real, si deputet i Partisë Demokratike, si ministër. Ndërgjegjja dhe raporti më të vërtetën, e fshehta që mban njeriu brenda vetes, që shpesh i merr me vete - edhe kur bëhet fjalë për një vrasje të rastësishme, jo më që nuk diskutohen ato me “arsye” - janë pohimet e fundit të shkrimtarit. Harresa si vdekja dhe e fshehta si ekzistencë jashtë kohe, që të lë të tepërt - janë goditje që vijnë dhe për shqiptarët aktualë, jo vetëm ato të ’46-s, as të ’80-s, as të fillim viteve ’90. Duhet të ketë arsye të fortë, transformuese brenda shkrimtarit, të mendojë në mënyrë kaq të thellë dhe universale mbi këtë karakter të shqiptarëve që mbajnë peng jetën e njëri-tjetrit.
Kjo është e fshehta e Preç Zogajt nga diktatura e viteve ’80, i pari rrëfim i këtij lloji për një nga dekadat më të zymta për t’u jetuar.
***
A na ka sjellë Preç Zogaj në mënyrë të përsosur rrëfimin e së vërtetës, pranimin biblik, ndërgjegjen e vrarë të të gjithë atyre njerëzve që deshën s’deshën, punuan në mënyrë të fshehtë me diktaturën? A bëhet ky shkrimtar me këtë roman një zë përfaqësues i ’80-s, kur po ndihej tronditja e diktaturës dhe njerëzit po lëviznin të dilnin “jashtë asaj kohe”? Na duhet të pohojmë, ashtu siç flitet rrafsh në biseda tavolinash mes shqiptarëve, që të gjithë kemi qenë me këmbë brenda, por askush nuk distancohet për ta pohuar se ka qenë një gjymtyrë e diktaturës - Zogaj për këtë ia del, duke shkruar një roman.
Flitet për një roman jashtë kohe, për njerëz të tepërt që shpesh i sugjeruan formalistët rusë. Por romani i “tmerrshëm” i fundit i Zogajt pritet të befasojë për “biografitë”, një tragjedi e shtruar që ka në themel ndërvarësinë e fateve, në një shoqëri homogjene totalitare. Do të na dukej, po ashtu e befasishme, të hidhemi në një narracion të ri të një kohe, prej së cilës kemi marrë dëshmime fatale. Këtë herë, si duket, fati i njeriut pa të tashme, fati i njeriut jashtëkohor, që del tepër, që nuk e ka të mundur të presë kohën e tij - janë sugjerimi i parë, fillestar, që na mbërrin për të kuptuar pse duhet hyrë në romanin e ri të Zogajt - të gjitha këto në shpalosjen e një fabule reale, por që duke qenë aq e paperceptueshme për arsyen, nganjëherë devijon në përrallë, në grotesk. “Gjyshi i tmerrshëm”, romani më i fundit i shkrimtarit Preç Zogaj, vjen nga botimet e shtëpisë botuese “Dita XX”.