Aktiviteti i Fatmir Xhindit, ngrihet pistë e re nga grupi hetimor
Dy javë pas vrasjes së deputetit të PS-së në Roskovec
Hetimi
Hetuesit: Nuk ka asnjë pistë të përjashtuar, po thellohen hetimet edhe për pistën e re të ngritur së fundmi, ajo e bizneseve të vetë viktimës. Specialistët e hetimit kanë këqyrur me imtësi çdo dokumentacion të sekuestruar në ZRPP-në e Fierit dhe lejet e ndërtimit në këtë bashki, si dhe të tjera dokumente të aktiviteteve në pronësi të deputetit të PS-së
Dy javë pas vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, grupi hetimor shton një pistë të re ku pritet të thellohen më tepër hetimet. Duke qenë se viktima kishte disa biznese të vetat, me ose pa ortakë, hetuesit kanë zyrtarizuar hetimet edhe në këtë pistë, përveç të tjerave, asaj për konflikte personale, pistës së pronësisë dhe vrasjes për shkak të cilësive të veçanta. Fakti konfirmohet nga burime brenda grupit hetimor, që bëjnë të ditur se janë disa të dhëna që i detyruan të ngrenë pistën e re dhe të hulumtojnë në aktivitetet e viktimës për ta parë nëse mund të shkohet tek autori apo autorët e krimit. Deri tani, sipas burimeve, nuk ka asnjë pistë të përjashtuar nga ato të ngritura një javë më parë. Përditë shoqërohen të afërm, të njohur, shok e miq të viktimës, por edhe person me të cilët ka pasur konflikte apo debate jo vetëm ditët para ngjarjes, por edhe vite më parë. Gjithashtu, specialistët e hetimit kanë këqyrur me imtësi çdo dokumentacion të sekuestruar në ZRPP-në e Fierit dhe lejet e ndërtimit në këtë bashki, si dhe të tjera dokumente të aktiviteteve në pronësi të deputetit të PS-së. Këto të fundit kanë sjellë edhe ngritjen e një piste të re për hetimet. Grupi hetimor në bashkëpunim edhe me agjentët e SHISH po vazhdon hetimet, verifikimet dhe përpunimet e të dhënave për të shkuar në pistën konkrete dhe në emrin e autorit. Por, e vetmja gjë që kanë të saktë për momentin është skema e krimit, si ndodhi dhe mënyrën se si u largua autori apo autorët e vrasjes, ndërsa pistat shtohen apo përjashtohen nga njëra javë në tjetrën. Krimi i rëndë ka ndodhur më 2 maj të këtij viti, në momentin që deputeti Fatmir Xhindi ka qenë duke u kthyer në banesë nga fshati Kurjan i Roskovecit. Sapo ka shkuar në oborrin e shtëpisë dhe do parkonte makinën, deputeti është qëlluar në largësi dhe më pas shumë pranë nga ekzekutori. Për zbardhjen e këtij krimi, përmes informacioneve të dhëna nga personat që kanë dijeni, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 250 mijë euro.