E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimi progresiv, organizatat e huaja në Tiranë kundër

Organizatat e huaja që përfaqësojnë komunitetin e biznesit dhe investimet e huaja në Tiranë janë kundër vendimit të qeverisë për tatimin progresiv të kompanive të mëdha. Dhoma Britanik e Tregtisë ka nisur dy ditë më parë një tryezë diskutimi e cila do të përvijojë edhe në javën në vazhdim për të dalë me konkluzione dhe propozime konkrete për qeverinë. Sipas presidentit të Dhomës Britanike të Tregtisë, Zenel Hoxha, rritja progresive e taksave për disa kompani specifike penalizon eficiencën dhe ul përfitimet në sektorë kyç të ekonomisë. Ai gjykon se Ligji do të ketë një impakt negativ si në tërheqjen e investimeve të huaja ashtu edhe në tkurrjen e atyre që janë bërë. Sipas tij, kjo është një taksë progresive mbi eficiencën, kur interesi i Shqipërisë është të promovojë prodhimin, rendimentet e larta dhe investimet. “Të nëntë kompanitë që preken nga kjo taksë, një pjesë të madhe të kapitalit e kanë të huaj. Taksa do të ngadalësojë përfitimet, gjë që penalizon edhe vendin. Nuk ka taksa të tilla direkte në BE mbi marzhin e fitimit. Nëse gjendja është e tillë, do të thotë se Shqipëria po krijon pengesa të anëtarësimit të saj në Europë duke bllokuar tregun. Ne i kërkojmë qeverisë që të rishikojë këtë veprim të saj.” - shprehet Hoxha. Diskutimet për propozimet mbi draftin do të vazhdojnë rreth një javë dhe konkluzionet do t’i paraqiten Ministrisë së Financave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›