Predha në Tiranë-Elbasan, u zbuluan gjatë punimit të rrugës

Mbi 200 predha të Luftës së Dytë Botërore dhe municione të tjera të rrezikshme ushtarake kanë dalë në drite si një rrezik për periferinë e kryeqytetit gjatë punimeve të rrugës Tiranë-Elbasan, pikërisht në afërsi të Bërzhitës. Dyshohet se është depo e vjetër nëntokësore e harruarr që prej viteve 40, që për fat të mirë gjatë gërmimeve nuk ka provokuar një Gërdec të dytë.
Punëtorët, të cilët kanë rrezikuar mjaft gjatë gërmimeve pasi menjëherë kanë dalë në sipërfaqe predhat, kanë lajmëruar policinë dhe efektivë të komisariatit numër 1, të cilët kanë bërë izolimin e zonës, duke mos lejuar askënd që të shkelë aty.Prej tre ditësh policia është në ruajtje të sipërfaqes të rrezikshme dhe është në pritje të ardhjes së specialistëve të ushtrisë. Pritet që kjo sasi municioni të lëvizet nga ky vend dhe ushtria të merret me demontimin e tyre.
Gjatë kësaj kohe janë ndërprerë edhe punimet e rrugës në këtë segment, të cilat priten të fillojnë në momentin që zona do të pastrohet nga predhat dhe nuk do të paraqitet asnjë rrezikshmëri për jetën e punëtorëve. Ndërsa kjo zonë njihet për këtë lloj rreziku, duke qënë se herë pas here janë parë municione të tilla në sipërfaqe të tokës, por asnjëherë në sasi të tilla, gjë që mund shtojë rrezikun dhe frikën për shpërthimin e këtij lloj municioni.