Prefekti Veçani kthen sh.a mbrapsht tani Flamurtari rrezikon Europën
Nëse Flamurtari dëshiron të operojë si shoqëri aksionere, kjo do të duhet të rishqyrtohet në një tjetër mbledhje të këshillit bashkiak. Ka qenë prefekti i Vlorës Eduart Veçani, i cili kthen edhe një herë në mbledhjen e këshillit bashkiak shqyrtimin nga e para të kësaj procedure. Së bashku me mosaprovimin, prefekti fton që shoqëria të bëhet me ofertë publike, për të mundësuar pjesmarrjen e sa më shumë përfaqësuesve, por edhe maksimizuar më tepër vlerën e shoqërisë aksionere. Përgjigja e prefektit vjen gati 10 ditë më pas mbledhjes së këshillit bashkiak të Vlorës, e cila miratoi unanimisht themelimin e shoqërisë “Flamurtari” si sh.a me aksioner të vetëm Bashkinë Vlorë, si dhe statusin e “Flamurtari football club” sh.a.
Në sqarimet që prefekti Veçani ka dhënë për këtë është kthimi i procedurave nga përcaktimi i kapitalit themeltar (që realisht është 20 milionë lekë), deri tek emri që mban shoqëria që sipas shpjegimeve është i njëjtë me emrin e mëparshëm të klubit. Duke ju referuar disa neneve, Veçani nuk i ka gjykuar si të rregullta proçedurat, duke i rikthyer ato sërish në këshill, ndërkohë që nuk dihet se kur do të jetë mbledhja me e afërt e këtij të fundit, në një kohë që këshilli ende nuk është konstituar. Kthimi i klubit në shoqëri aksionere, do të lejojë ekipin e Flamurtarit të përfaqësohet në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, në një kohë kur ndeshja më e afërt për ekipin vlonjat është vetëm pas 48 orësh me skuadrën e Buduçnostit të Malit të Zi.
Geri Çipi: Shpresoj që Veçani të jetë tifoz
Shefi i Flamurtarit, Geri Çipi, është shprehur i habitur në lidhje me kthimin pas të vendimit të Këshillit Bashkiak të qytetit të Vlorës, vendim që i ishte paraqitur prefektit të qytetit bregdetar, Eduart Veçanit. Çipi ka deklaruar se nuk është në dijeni të arsyeve që e kanë shtyrë prefektin të mos firmosë krijimin e sh.a Flamurtarit, pasi nuk e ka parë shkresën e prefektit, por beson se në fund gjithçka do të shkojë mirë. “Besoj se prefekti Veçani e do Vlorën dhe se është tifoz i Flamurtarit. Është thjesht çështje kohe, ai nuk do ta pengojë futbollin në Vlorë,” ka komentuar në linjë telefonike për gazetën shefi Çipi. I pyetur me ndikimin që do të ketë ky refuzim në lidhje me Kupat e Europës, shefi Çipi deklaron se Flamurtari do të bëjë detyrën e tij. “Sinqerisht nuk mendoj se prefekti do që Flamurtari të mos marrë pjesë në Kupat e Europës. Ne po përgatitemi dhe e kemi mendjen vetëm te Buduçnosti,” përfundon drejtuesi i klubit kuqezi.