Prefekti i Tiranës nuk njeh votimin e buxhetit të bashkisë së Tiranës
Ruzhdi Keçi paralajmëron moslëvrimin e fondeve
Rregullorja e funksionimit të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, në nenin 19 të saj shprehet qartë se votat numërohen nga sekretaria e Këshillit dhe rezultatet i jepen kryetarit të Këshillit për t’u deklaruar. Por në rastin konkret, kryetari i Këshillit bashkiak të Tiranës e quajti votimin të pavlefshëm.
TIRANE - Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, ka bërë dje të qartë se është ai personi që vulos përfundimisht procesin e hyrjes në fuqi të këtij drafti. Keçi deklaroi dje gjatë një interviste televizive se buxheti nuk mund të lëvrohet me një votim të tillë, duke lënë haptazi që të kuptohet se ai nuk të çelë dritën jeshile për zhbllokimin e këtij buxheti. “Dega e thesarit Tiranë s’mund të lëvrojë fondin e buxhetit pa vendimin e këshillit, është e pamundur pa një vendim të Këshillit të ekzekutohet buxheti. Detyrimisht duhet vendimi i këshillit ndryshe bashkia mund ta lëvronte më parë”, deklaroi dje Keçi.
Në fakt vetë rregullorja e funksionimit të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, në nenin 19 të saj shprehet qartë se votat numërohen nga sekretaria e Këshillit dhe rezultatet i jepen kryetarit të Këshillit për t’u deklaruar. Më pas, vendimi i kalon Prefektit për firmën finale, përmes kryetarit të Këshillit Bashkiak. Por në rastin konkret, kryetari i Këshillit bashkiak të Tiranës e quajti votimin të pavlefshëm.
Prefekti Keçi theksoi me këtë rast se me votimin e mbrëmjes së të martës ligjërisht ai nuk mund të kryejë asnjë veprim.
“Miratimi i buxhetit të Bashkisë ashtu si çdo vendim tjetër i Këshillit Bashkiak fillon të ekzistojë pra merr fuqi ligjore pasi është konfirmuar për bazueshmëri ligjore nga Prefekti i qarkut. Buxheti i Tiranës nëse është miratuar do të vijë dhe më pas do të shprehet prefekti. Mua s’më ka ardhur asnjë vendim i kësaj mbledhje. Vendimet vijnë nëpërmjet kryetarit të Këshillit Bashkiak”, vijoi më tej ai.
Mbledhja drejtohet nga Kryetari i Këshillit dhe sipas tij mbledhja ishte nul. Kjo nuk ka konkluduar me një vendim. Një ditë pas këtij votimi, kryebashkiaku Rama deklaroi se buxheti hyri në fuqi duke e quajtur këtë çështje të mbyllur. Por siç sqaroi edhe prefekti Keçi, pa një vendim të Këshillit Bashkiak dhe pa firmën e tij përfundimtare buxheti do të duhet të kalojë sërish për votë.