E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti i Tiranës padi penale ndaj Policisë Bashkiake

“Duke marrë shkas nga shqetësime të ngritura në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme për probleme të trafikut në qytetin e Tiranës, Prefektura e Qarkut Tiranë ka konstatuar shpërdorimin flagrant të detyrës si rast i paprecedentë, “në rregullimin e trafikut” nga Policia Bashkiake për më tepër me uniforma të pa miratuara nga institucionet përkatëse.

Këto veprime përbëjnë përvetësim të funksionimit të Policisë së Shtetit dhe tejkalim të kompetencave ligjore të Policisë Bashkiake”, thuhet në njoftimin e kësaj prefekture.

Gjithashtu, prefektura shprehet se ka vërejtur në mënyrë të përsëritur prezencën e efektivave të Policisë Bashkiake me uniformë në tubime, veprim i cili bie ndesh me ligjin“Për tubimet”.

Gjithashtu, një veprim tjetër në kundërshtim me VKM nr.229, dt.23.04.2004 “Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, konsiderohet edhe prezenca e Policisë Bashkiake në kryerjen e homazheve nga funksionarë të Partisë Socialiste.

“Për sa më sipër; Prefekti i Qarkut Tiranë në zbatim të funksioneve të veta dhe në përputhje me kompetencat që i jep ligji i është drejtuar organit të akuzës për të gjitha shkeljet ligjore të konstatuara më sipër. Veprimtaria dhe funksionimi i Policisë Bashkiake, si ç’do organ tjetër në Republikën e Shqipërisë, rregullohet në bazë të dispozitave ligjore në fuqi. Kjo polici, nuk mundet kurrsesi të shndërrohet në një repart privat, që funksionon sipas teorisë Haxhiqamiliste”, thuhet më tej në reagim.

Në fund të deklaratës, prefekti i Tiranës shprehet se është i vendosur të ndërmarrë çdo hap për të garantuar zbatimin e ligjit në Qarkun e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›