E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak rezultate nga nisja e reformës në shëndetësi

"Reforma në shëndetësi u drejtua në radhë të parë drejt një plage shumë të vjetër të sistemit, që blatonte në dy dekada dhe kishte të bënte me informalitetin dhe korrupsionin, përgjithësisht të përhapur e të kritikuar nga opinioni publik, media, por dhe nga qytetarët", tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Në themel të kësaj reforme intensive, sipas tij, ka qenë sistemi i referimit të pacientit, apo rruga ku kalon një pacient në shërbimin shëndetësor për të marrë ndihmën që i duhet për të zgjidhur sëmundjen e tij. Kjo reformë është ndërmarrë në partneritet të plotë dhe me mbështetjen e mjekëve, qytetarëve, si dhe Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

"Sot, në shumicën dërrmuese, çdo qytetar shqiptar njeh të drejtat e tij", theksoi Vasili, duke shtuar se "kjo marrëdhënie informale e dhënies së parave në dorë është minimizuar e pothuajse nuk ekziston në shumicën dërrmuese të strukturave shëndetësore shqiptare".

Tashmë, sipas tij, kjo marrëdhënie është e qartë dhe konkrete. "Qytetarët, të cilët sigurohen apo që shteti u ka garantuar ndihmë mjekësore pa pagesë, në bazë të statusit të tyre, qofshin pensionistë, fëmijë, nuk paguajnë në sistemin shëndetësor dhe nga ana tjetër ata që refuzojnë të ndërtojnë një marrëdhënie legale, nuk paguajnë sigurime shëndetësore, të cilët e refuzojnë sistemin shëndetësor publik do të përballen me pagesat e ligjshme të sistemit tashmë të aprovuara", nënvizoi ministri i Shëndetësisë.

Kjo praktikë, sipas tij, i jep fund informalitetit dhe marrjes së shërbimeve shëndetësore me para nën dorë. "Rezultatet janë të qarta dhe qytetari di se çfarë i përket në sistem", tha Vasili. Me këtë rast, ai u bëri thirrje qytetarëve të mos jenë ata që mbajnë gjallë një marrëdhënie korruptive, por të zbatojnë rregullat e qarta të vendosura prej disa muajsh që eliminojnë këtë marrëdhënie informale dhe korruptive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›