Preçi: Paratë e qytetarëve në banka janë të kontrolluara, shqetësim ato jashtë sistemit

Interviste/Zef Preçi, ekspert i ekonomise, tregon efektet e ndryshimeve ne ligjin per pastrimin e parave, ku krijohet nje date-base per depozitat
Paratë që çdo qytetar shqiptar ka të depozituara si kursime të tij në bankë, do t’i bëhen të ditura edhe shtetit. Për çdo depozitë shteti do të ketë raportim periodik. Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, specialistët e financave i kanë bërë një amendim, ku parashikohet që pranë Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave do të krijohet një njësi e posaçme që do të merret me hetimin e çdo depozite të dyshimtë. Të gjitha këto risi parashikohen në draftin me disa ndryshime që i janë bërë ligjit për pastrimin e parave dhe që ka mbërritur në Kuvend. Në vijim të polemikeve nëse ndryshime të tilla duhet ose jo të pranohen, gazeta “standard” pak ditë më parë botoi opinionin e ekspertit të ekonomisë dhe deputetit të PD-së, Selami Xhepa, i cili ka përshëndetur këtë ndryshim, i cili sipas tij, bëhet sepse është i diktuar nga zhvillimet që po ndodhin në gjithë botën. Sipas Xhepës, transparenca e xhepave të shqiptarëve është nevojë e domosdoshme për sigurinë kombëtare të vendit dhe para kësaj, cenimi i privatësisë është diçka më e vogël. Por parë nga këndvështrimi i ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, këto ndryshime ai i sheh me “rezerva”. Ai mendon se vetë ligji për parandalimin e pastrimit të parave ka dy vjet që është miratuar dhe ende nuk është parë efektiviteti i tij, ndaj ndryshimet në të i duken jo në kohën e përshtatshme. Sipas tij, për të vendosur për kontrollin e kursimeve të shqiptarëve ky është një veprim që së pari duhet të miratohet nga vetë të interesuarit, ndaj ai mendon se duhen bërë debate mes ekspertëve dhe grupeve të interesit rreth këtij ndryshimi. Ndonëse ai është i mendimet se deri më tash ekzistojnë të gjitha strukturat përkatëse për të bërë kontrollin mbi paratë, ndaj një njësi tjetër thjesht do të rriste numrin e tyre. Preçi thotë se kuadri ligjor që kemi, është i mirë, ai vetëm duhet zbatuar me rigorozitet. Ai shprehet se edhe sot mund të hetohet çdo depozitë, ndaj nuk është i nevojshëm krijimi i një njësie të posaçme. Ai shton një argument tjetër, referuar arsyeve pse specialistët e financave kanë bërë një ndryshim të tillë, pasi ka qenë nevojë e përqasjes së legjislacionit evropian, sipas Preçit, ai nuk është në dijeni të ketë në ndonjë vend të BE-së ndonjë strukturë të tillë, si njësia që do të krijohet pranë Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Më tej, ai shton se qytetarët nuk duhet të frikësohen, edhe nëse miratohet një ndryshim i tillë, pasi në një shtet të së drejtës ata janë të mbrojtur, por gjithsesi i trembet edhe faktit që mund të ketë tërheqje depozitash. “Unë besoj në shtetin e së drejtës dhe në ekzekutivin që del nga Kuvendi, dhe në këtë kuptim nuk duhej të kishte vend për shqetësim, por nuk duhet përjashtuar edhe mundësia që nga frika e keqpërdorimit të këtij informacioni edhe/ose mosruajtja e tij konform rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale, mund të ndodhë që depozituesit, qytetarë a biznese qofshin, të tremben dhe kështu të thellohet prirja e tërheqjes së parave nga qarkullimi”, - thotë Preçi. Sipas tij, paratë në banka tashmë janë të kontrolluara. Problem, sipas tij, mbeten paratë jashtë sistemit dhe ky është problemi që duhet të shqetësojë ekzekutivin, për t’i kanalizuar ato në sistem.
Z. Preçi, Ministria e Financave ka dërguar në Kuvend një draft ku kërkon ndryshime në ligjin kundër pastrimit të parave, sipas të cilit pranë autoritetit shtetëror që mbikëqyr pastrimin e parave, do të ndërtohet një data-base me të gjitha depozitat. Ju, si ekspert i fushës së ekonomisë, si e gjykoni këtë ndryshim që kërkohet?
-Personalisht jam njohur me draftin e ligjit në fjalë dhe në parim e shoh si një plotësim të mëtejshëm të kuadrit ligjor në fuqi në lidhje me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit dhe përmirësimin e luftës kundër korrupsionit. Në një plan më të gjerë, përgatitja e këtij projektligji reflekton deri diku edhe debatin mbarëbotëror mbi statusin e sekretit bankar mbas ngjarjeve të 11 Shtatorit në SHBA dhe njëkohësisht përpjekjet e shtetit shqiptar për të reflektuar mbi rekomandimet bazë të BE-së mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për një ecuri më të shpejtë në procesin e integrimit evropian, etj. “Rezervat” e mia ndaj ligjit në fjalë po i rendis në vijim.
Së pari, mendoj se koha e shkurtër qysh nga miratimi dhe fillimi i zbatimit të ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave (është miratuar ne vitin 2008, pra vetëm 2 vjet më parë) nuk mundëson të grumbullohet përvoja e nevojshme e zbatimit të këtij ligji, e cila nga ana e vet do të krijonte mundësi për vlerësime objektive mbi mangësitë e shfaqura apo dobësitë në zbatim që kanë si shkak vetë paqartësitë apo ambiguitetet e ligjit. Edhe pse nuk jam jurist, por në këndvështrimin e ndërtimit institucional, mendoj se teknika legjislative për ndryshimin e një ligji kërkon padyshim mbështetjen në analizën e përvojës së zbatimit të çfarëdo ligji. Përndryshe, përveç rekomandimeve të qarta dhe të drejtpërdrejtë të përshkruar në raportet e BE-se dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare që monitorojnë dhe mbështesin procesin e afrimit të vendit me BE, është e lehtë të kuptohet motivimi politik në përgatitjen e ndryshimeve të parashikuara në këtë projekt-ligj. Me këtë nuk dua të them se është një gjë e gabuar që një ligji të cilit nuk i është tharë boja ende t’i bëhen amendime, as se këto amendime frymëzohen apo motivohen politikisht. Kjo, sepse qeveria, si një ndër institucionet më të larta politike është mandatuar politikisht pikërisht për të bërë ligje të reja, për të shfuqizuar apo për të amenduar ligjet në fuqi. Së dyti, pranohet gjerësisht se problem qendror në kuadrin ligjor në fuqi në vendin tonë ka qenë dhe mbetet zbatimi i tij dhe jo “papërsosmëria” apo mangësitë e këtij kuadri. Me këtë nuk dua të them se nuk ka ligje që nuk duhen amenduar, por se amendimet në çdo rast duhet t’i nënshtrohen një debati të gjerë me rrethet e eksperteve, në grupet e interesit dhe në opinionin publik në tërësi. Në rastin në fjalë, përveç ndonjë shpjegimi periferik kryesisht në pozita mbrojtëse a partiake nga zyrtarë publikë apo të ndonjë personaliteti të mazhorancës parlamentare që ka qenë pjesë e iniciativës përkatëse ligjore nuk kam parë të debatohet më tej. Madje do të thosha se mungesa e debatit publik krijon terren jo vetëm për politizimin e panevojshëm të këtij ligji të rëndësishëm, por nuk jep mundësi për të kuptuar as arritjet, problemet, vështirësitë etj., në zbatimin e derisotëm të ligjit në fuqi mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit. Do të kishte qenë më e dobishme që qeveria dhe Kuvendi të analizojnë funksionimin e derisotëm të institucionit publik të ngritur mbi bazën e këtij ligji edhe nën dritën e arrestimeve të shtetasve të huaj në territorin tonë për veprimtari kriminale pikërisht në këtë fushë, shkallën e bashkëpunimit të institucioneve të shtetit shqiptar ndërmjet tyre për një luftë të suksesshme ndaj këtij krimi etj., gjë që do të mundësonte një kuptim më të plotë në dhe vlerësim real të nevojës për amendimin e ligjit në fjalë. Së treti, duke u ndalur në përmbajtjen apo thelbin e ndryshimeve të propozuara, ka vend për diskutime të thelluara qoftë të natyrës doktrinare (raporteve ndërmjet pushteteve), qoftë edhe për të kuptuar pasojat e pritshme që mund të sjellë miratimi pa debat profesional, politik dhe publik i këtij ligji në formën e depozituar. Personalisht mendoj se është e panevojshme, madje e diskutueshme edhe nga pikëpamja e kompleksitetit që krijojnë raportet e dyfishta/shumëfishta të vartësisë një njësie të tillë, që nuk është gjë tjetër veçse rritje e peshës së ekzekutivit dhe vetë rolit të kryeministrit në këtë proces. Pa folur për çrregullimet, që janë evidente edhe sot në raportet funksionale ndërmjet organit të akuzës - prokurorisë dhe një numri institucionesh të pavarura - entet rregullatore ose në vartësi të ekzekutivit, në ligjet bazë të të cilave parashikohet kryerje e hetimit administrative, etj. Kjo është parashikuar në projektligjin në fjalë përmes krijimit të një njësie të specializuar në hetimin depozitave të dyshimta pranë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, por me titullar që emërohet nga kryeministri (?). Në planin politik, mendoj se një nisme e tillë, së bashku me një numër aktesh ligjore që kanë çuar në grumbullimin e shumë pushteteve apo përgjegjësive në duart e kryeministrit bien në kundërshtim jo vetëm me deklarimet e z. Berisha në fillim të mandatit të parë për “zvogëlimin e komisioneve, komiteteve dhe njësive vartëse në Këshillin e Ministrave”, por edhe pasqyrojë deri-diku situatën emocionale politike në vend, e karakterizuar nga mosbashkëpunimi i opozitës së majtë, gjë që ka detyruar Kuvendin të marrë nisma ligjore që çojnë në zhvendosjen e pushteteve të tjera (p.sh. të drejtësisë) në duart e ekzekutivit apo që i japin funksione të mirëfillta të gjykatave institucioneve monokratike të varura nga ekzekutivi.
Më konkretisht, në vlerësimin tim, kuadri ligjor në fuqi ka nevojë të zbatohet me rigorozitet, ka nevojë të plotësohet më tej me akte nënligjore dhe manuale shpjeguese që mundësojnë zbatimin e tij nga tërësia e hallkave dhe strukturave shtetërore, brenda dhe jashtë ekzekutivit, të angazhuara në parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit. Mbështetur në këtë arsyetim mendoj se draft-ligji ka nevojë të rishqyrtohet nga qeveria ose paraqitja e tij t’i lihet një kohë dytë, e cila merr në konsideratë përvojën e zbatimit, shkëmbimin e eksperiencës me agjencitë e specializuara të vendeve fqinje dhe atyre perëndimore, procesin e përafrimit ligjor me BE-në etj.
Bankat, të detyruara nga ligji, duhet të japin informacion çdo 6 muaj mbi depozitat dhe të dhëna mbi çdo depozitues Ndërkohë që pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave do të ngrihet në funksion të këtyre ndryshimeve edhe një njësi e posaçme që do të hetojë depozitat e dyshuara. A mendoni se një ndryshim i tillë do të prekë privatësinë e depozituesve?
-Bota e sotme është duke e ridimensionuar problemin e privatësisë së qytetarëve të vet, jetojmë në një botë më të hapur të dominuar nga transparenca në rritje dhe nuk mendoj se duhet të jetë shqetësim nëse përveç bankës edhe dikush tjetër (p.sh. gjykata apo prokuroria) marrin informacion në funksion të përmbushjes së detyrave të tyre kushtetuese. Kjo ka qenë dhe është e mirësanksionuar edhe në kuadrin ligjor në fuqi gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Prandaj, nuk mendoj se ka vend për t’ shqetësuar qytetarët depozitues në bankat tregtare rreth këtij problem. Por, siç e theksova më sipër, angazhimi i ekzekutivit në administrimin elektronik apo në formë të shtypur të miliona llogarive bankare të qytetarëve dhe bizneseve dhe aq më tepër të dhjetëra miliona veprimeve që kryhen ditë pas dite prej tyre është diçka e kushtueshme, e panevojshme dhe vështirë të gjejë justifikim një ndërmarrje e tillë. Të jemi eksplicitë me lexuesit: edhe në kushtet e sotme, nga institucioni në fjalë dhe nga institucione të tjera (e theksoj një numër institucionesh të tjera) mund të hetohet çdo depozitë e dyshimtë, madje edhe jashtë vendit (për vendet me të cilat Shqipëria ka nënshkruar instrumentet përkatëse ligjore ndërkombëtare apo dypalëshe). Ndryshimi është se këto hetime kryhen: së pari, nga institucioni përkatës - prokuroria, së dyti, vendimet përkatëse merren nga gjykatat dhe së treti, informacioni i grumbulluar përmes hetimit administrohet në përputhje me ligjin. Është pikërisht për këto arsye që kjo procedure pothuajse universale nuk krijon shqetësim për askënd, në radhe të parë për qytetarin që i depoziton paratë e veta në bankën e licencuar nga shteti (Banka Qendrore), përdoren në përputhje me rregullat e shtetit dhe mbi bazën e interesave të ndërsjella dhe çfarëdo kontrolli, hetimi, analize informacioni mbi lëvizjet e depozitave nuk shqetëson askënd…
Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë janë të interesuara të thithin sa më shumë depozita. A do të ndryshonte raportet e bankës me depozituesit një ndryshim i tillë dhe një mbikëqyrje mbi kursimet e qytetarëve?
-Personalisht dhe duke marrë parasysh përvojën e dekadës së parë të tranzicionit kur shërbimet sekrete dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kishin akses në informacionin/veprimtarinë e bankave, nuk mund të mos e konsideroj një angazhim të tillë total të ekzekutivit në administrimin e informacionit rreth depozitave bankare dhe lëvizjeve shtim/pakësim të tyre në kursin e kohës si njëlloj “frike” që mund të amplifikohet gjerësisht edhe për interesa politike, gjë nuk ka munguar as në të shkuarën e afërt… Unë besoj në shtetin e së drejtës dhe në ekzekutivin që del nga Kuvendi, dhe në këtë kuptim nuk duhej të kishte vend për shqetësim, por nuk duhet përjashtuar edhe mundësia që nga frika e keqpërdorimit të këtij informacioni edhe/ose mosruajtja e tij konform rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale, mund të ndodhë që depozituesit, qytetarë a biznese qofshin të tremben dhe kështu të thellohet prirja e tërheqjes së parave nga qarkullimi. Siç dihet, aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e monedhës sonë kombëtare - rreth 1/3 e tyre qarkullon jashtë kanaleve bankare. Ndoshta ky duhej të ishte edhe thelbi i vërtetë i debatit. Mendoj se ekzekutivi shqiptar do të duhej të shqetësohej si të gjente mënyrat përkatëse ligjore (p.sh. përmes aktivizimit të bursës) për të futur në qarkullim ekonomik në dobi të zhvillimit këtë pasuri kolosale kombëtare, pa folur për shumat e konsiderueshme në “monedhë të fortë” (euro apo dollarë amerikane) që ndodhen në xhepat e popullsisë për shkak të kontributeve shumëvjeçare të emigracionit. Ndërsa në funksion të qëllimit të amendimit të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, mund të thuhet qartë dhe hapur burimet kryesore të këtyre krimeve të renda janë kryesisht paratë që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare, paratë që investohen në biznese fantazmë, por që ndihmojnë “zbardhjen” e tyre, ashtu sikurse duhet të pranojmë se paratë e pista të vendosura në banka në formën e depozitave bankare të individëve apo biznesit mund të riciklohen jo aq me ndihmën e tyre (bankave) se sa me angazhimin e tërthortë të nëpunësve publikë dhe të autoriteteve politike vendimmarrëse.
Arsyetimi që i kanë bërë një ndryshimi të tillë specialistët e financave, është se kjo ka qenë e kushtëzuar nga përafrimi i legjislacionit përkatës shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Mendoni se qytetarët shqiptarë janë të gatshëm për të qenë kaq të hapur me institucionet që kontrollojnë çdo qëndrakë të tyre, duke ditur se në vendin tonë është dashur shumë punë për të kultivuar tek qytetarët edukimin se paratë e kursyera janë më të sigurta në bankë dhe jo poshtë jastëkut?
-Referimi ndaj legjislacionit evropian ka natyrë të dyfishtë. Nga njëra anë institucionet e BE-së dhe SHBA-së, me të drejtë, ofrojnë këshilla dhe rekomandime të përgjithshme që kanë të bëjnë me ndërtimin e institucioneve të ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së lirë në vendin tonë, por zbatimi i këtyre rekomandimeve është detyrë dhe përgjegjësi e institucioneve shqiptare, ashtu sikurse janë ngritur dhe funksionojnë edhe një numër projektesh a programesh të specializuara me ndihmën e BE dhe SHBA-së për të mundësuar arritjen e disa standardeve të njohura në këtë proces, pa injoruar bazën kushtetuese të vendit. Në rastin në fjalë, duke qenë se të paktën për dijeninë time nuk ka ndonjë vend të BE-së që ka ngritur struktura të tilla komplekse, dhe në këtë kuptim mendoj se referenca se një ndryshim i tillë është bërë nën kushtëzimin e përafrimit të legjislacionit me BE-në e shoh më shumë si një reagim në mungesë të argumenteve specifike, një teknikë që shuan kundërshtimet publike a profesionale përdorur jo rrallë nga zyrtaret tanë të lartë…
Qytetarët shqiptarë, në një shumicë dërrmuese mbeten apatikë në sjelljen e tyre, deri diku lehtësisht të manipulueshëm politikisht dhe ende larg pritshmërisë për t’u vënë në rolin e monitoruesit mbi funksionimin e institucioneve shtetërore, mbi cilësinë dhe koston e shërbimeve publike të ofruara nga sektori publik… Në këtë kuptim, të paktën për kohën e sotme, nuk besoj se krijon ndonjë problem çfarëdo “destinacioni” i qarkullimit të informacionit mbi depozitat e tyre.
Në shumë raste hetimet e ndërmarra për pastrim parash kanë pasur vonesa, pasi të dhënat nga bankat është dashur një kohë e gjatë për t’i marrë. Këto ndryshime a pritet t’u vijnë më shumë në ndihmë institucioneve që hetojnë pastrimin e parave?
-Edhe me këtë argument jam njohur, por mendoj se nuk duhet të ngatërrohen problemet e zbatimit të ligjit me përmbajtjen e tij. Më konkretisht, nëse banka tregtare “X” vonon dhënien e informacionit duke rrezikuar kështu procesin hetimor ndaj “Y” qytetari me depozitë të dyshimtë rreth burimit të pasurisë (parave) të tij, atëherë banka ka shkelur ligjin dhe për këtë do të duhet t’u nënshtrohet penaliteteve që shkojnë deri në heqjen e licencës për ushtrimin e veprimtarisë së saj (kuptohet nëse ka implikime në veprimtarinë e pastrimit të parave apo financimin e terrorizmit) si dhe personat drejtues merren në përgjegjësi penale. Nëse ky shqetësim (vonesa në dhënien e informacionit) ka penguar punën e organit të akuzës në përmbushjen e detyrës së saj, atëherë le të forcohen penalitetet dhe përgjegjësia ligjore e titullarëve te bankat për t’i detyruar të respektojnë afatet e dhënies se këtij informacioni. Në fund të fundit duhet të kuptojmë se çfarëdo rregullimi i sforcuar ligjor siç janë edhe amendimet në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit, nuk bën gjë tjetër veçse ndihmon për të kapërcyer vështirësitë momentale të mazhorancës dhe ekzekutivit të dalë prej saj, por nuk ndihmon në ndërtimin e institucioneve adekuate një shoqërie të lirë dhe të përshtatshme për ekonominë e tregut. Madje, rrezikon të nxisë dukuri të rrezikshme, për të cilat do të duhet kohë dhe energji për sjelljen e tyre në parametrat e institucioneve të ngjashme në vendet e BE-së, drejt së cilës jemi përcaktuar të shkojmë.