E Diel, 1 Nëntor 2026

Kategoria Superiore, Teuta “fundos” Dinamon në kryeqytet

Djemte e Martinit bene çudine e kesaj jave, duke mundur 2-1 kampionet ne fuqi. Korçe, Skenderbeu mund minimalisht Shkumbinin

Kampionët në fuqi, Dinamo, u mundën dje nga të rinjtë e Martinit. Kështu, Teuta e Durrësit bëri atë që edhe tifozët më të zjarrtë durrsakë nuk do të mund ta besonin: të mundnin ekipin kampion në shtëpinë e vet, në “Qemal Stafa”. Tashmë, pas kësaj humbjeje, ekipi i drejtuar nga argjentinasi Blanko rrezikon që të humbë “trenin” e të parave. Themi kështu, pasi Skënderbeu bëri detyrën dje ndaj Shkumbinit, ndërkohë që Flamurtari kryesues ka mundësinë e artë sot që me një fitore ndaj Besës t’u largohet bluve plot 7 pikë.

Dinamo-Teuta

Në “Qemal Stafa” ka pasur “dramë” për kampionët e vendit tonë në fuqi. Dinamo e ka parë veten shumë shpejt në dizavantazh, teksa durrsakët, me anë të sulmuesit të tyre të ri, Pepa, kanë realizuar në portën e Hidit. Një vendosje e gabuar e prapavijës dinamovite ka bërë që lushnjari të gjendej i vetëm me Hidin, duke e mposhtur këtë të fundit pa shumë vështirësi. Dinamo u shokua, ndërsa “djemtë e detit” morën zemër, duke mos luajtur aspak inferiorë ndaj kampionëve. Madje, në pjesën e parë, ishin ata që e kontrolluan lojën, ndërsa blutë qëndruan pasivë, të paqartë taktikisht dhe të mpirë në veprimet e tyre. Goditja e dyfishtë e djemve të detit mbërriti në të 26-n minutë, pikërisht atëherë kur skuadra e Martinit me anë të kundërsulmit vrasës, gjeti golin me anë të korçarit Frashëri. Në ato momente Dinamo e pa vetën në dizavantazhin e dy golave dhe të pafuqishme për të reaguar. Ndërkohë që, miqtë fituan edhe më shumë besim në aftësitë e tyre. Gjithsesi, në minutat e mbetura, Dinamoja reagoi. Në minutën e 47-të Bakaj merr një penallti që më pas e ktheu në gol një ish, si Emiljano Vila. Me këto shifra dy skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes dhe në fraksionin e dytë të takimit Dinamoja u shfaq më agresive. Bakaj u mundua ta zgjidhte situatën me veprime individuale, por duke qenë se u ruajt mirë nga mbrojtja e Teutës, nuk arriti që të bënte asgjë.

Skënderbeu-Shkumbini

Në Korçë pati “dramë”. Pikërisht në minutën e 89-të ka qenë Bërkiç (në pjesën e parë humbi penallti), sulmuesi serbo-boshnjak i Skënderbeut, ai që ka shënuar në portën e Shkumbinit, duke zhbllokuar bardhësinë e shifrave të fillimit të një “lufte” të luajtur në një acar të vërtetë në qytetin juglindor. Por, nëse deri në ato momente portieri peqinas, Kotorri, e kishte shpëtuar skuadrën e tij nga gola të sigurt, duke qenë një hero i vërtetë, brenda pak minutash e ka parë veten në “ferr”, sepse në minutën e tretë shtesë të ndeshjes, Shkumbini ka fituar një penallti, të cilën e mori përsipër ta ekzekutojë Kotorri. I vënë përballë kolegut të vet të Skënderbeut, Orges Shehi, Kotorri gaboi. Ose, më saktë, të themi se Shehi e ka pritur topin e tij, çka ka mbajtur në fuqi golin e Bërkiçit, të shënuar në limitin e kohës së rregullt, duke shtuar kësisoj edhe tri pikë tepër të çmuara në llogarinë korçare. Nga ana tjetër, Kotorri ka pasur në duart e tij të kurorëzonte me sukses qëndresën heroike për 89 minuta të Shkumbinit në këtë transfertë, por edhe performancën e vet të shkëlqyer, por ka gabuar në ekzekutimin e penalltisë, që do t’i jepte një pikë skuadrës peqinase. Duket se fati ka qenë me Shehin dhe Skënderbeun kësaj here, që kanë fituar me shumë vështirësi ndaj Shkumbinit, që tashmë është edhe pa president, pas dorëheqjes së Ylli Ndroqit.

Rezultatet

Të shtunën

Laçi-Vllaznia              0-1

Bylis-Tirana                1-1

Kastrioti-Elbasani     3-1

Dje

Skënderbeu-Shkumbini       1-0

Dinamo-Teuta                       1-2

Sot (13:00)

Flamurtari-Besa 

Ekipi    Nd  Pikë

1 Flamurtari 13  28

2 Skënderbeu 14      28

3 Dinamo       14        24

4 Vllaznia       14        24

5 Tirana          14        22

6 Teuta           14        21

7 Kastrioti      14        17

8 Laçi             14        17

9 Shkumbini   14        17

10 Bylis          14        12

11 Elbasani   14        9

12 Besa         13        9

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›