Si e orkestroi Titoja Enver Hoxhën kundër Kosovës

Jugosllavet nuk e paten te veshtire t’i fusnin shqiptaret ne kete rol, sepse punet ne Shqiperi kishin ndryshuar ne favor te tyre qe ne vitin 1943, pas Mukjes.
Kjo është historia e vërtetë, “kurrë e shkrueme”. Dhe është mirë që këtë kanë filluar ta njohin edhe disa nga bashkatdhetarët tanë të nderuar kosovarë, të cilët më parë e adhuronin pa masë udhëheqësin kryesor të PKSH-së, shqiptar-vrasësin më të madh të të gjitha kohërave, Enver Hoxhën. Natyrisht, asokohe ata e shikonin Hoxhën si një simbol të shtetit amë, pa e ditur se ç’prapaskena kishte përgatitur ai me sllavo-komunistët dhe ç’gjëma u kishte shkaktuar shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit.
Njëri prej atyre vëllezërve kosovarë, është edhe atdhetari i shquar, z. Adem Demaçi, i cili vuajti për shumë vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë, për kauzën e drejtë të kombit shqiptar. Ja sa qartë shprehet ai tani, në një intervistë të botuar në gazetën “Ndryshe”, dt. 25 maj 2007, për atë pjesë të historisë:
“Pyetje: Në dimrin e vitit 1944, në Kosovë e Metohi dhe në disa nga trojet e tjera të shtetit jugosllav, hynë brigadat partizane shqiptare. Si e gjykoni ju rolin e tyre, ka qenë pozitiv, apo negativ?
Adem Demaçi: Shikoni, kjo është dinakëria e madhe e Titos. Pas fitores mbi fashizmin, jugosllavët llogarisnin në Kosovë një kryengritje mbarëpopullore, që ndoshta nuk do të kishte të pushuar deri në çlirimin e plotë të saj. Këtë kryengritje nuk do ta kishin të lehtë ta shuanin, sidomos në Drenicë. Një problem tjetër i madh për ta ishte se do të komprometoheshin para botës, në se do të hynin në luftë të armatosur e të përgjakshme kundër kryengritësve shqiptarë. Bash në këtë moment të vështirë e delikat, Enver Hoxha i bëri Titos një shërbim të madh. Ai dërgoi këtu brigadat partizane shqiptare, të cilat luajtën rolin e ftohjes së ngjarjeve dhe zbutjes së gjakrave. Sapo hynë ato, në të gjitha hapësirat e Kosovës, në të gjitha organizimet ushtarake të saj, u përhap fjala: “Shpërndahuni, vllazën, se nuk luftojmë vllau me vllaun...” Ai ka qenë grushti më i madh kundër Kosovës, lëre se si është interpretuar më vonë nga historiografia e politizuar shqiptare. Jugosllavët nuk e patën të vështirë t’i fusnin shqiptarët në këtë rol, sepse punët në Shqipëri kishin ndryshuar në favor të tyre që në vitin 1943, pas Mukjes”.
Po kush ishin krerët e dy divizioneve shqiptare, që Enver Hoxha dërgoi në Jugosllavi (d.m.th. në Kosovë), me kërkesën e Josip Broz Titos? Mbi çfarë kriteresh ishin përzgjedhur komandantët dhe komisarët e atyre formacioneve luftarake, të cilat - sipas marrëveshjes së fshehtë - kaluan kufirin verior, në fillim të dhjetorit 1944, dhe u futën në Jugosllavi, ku qëndruan deri në fund të vitit 1945?
Divizioni i 5-të komandohej nga koloneli Rrahman Parllaku, me përvojë të gjatë lufte, sidomos në jug të Shqipërisë (po edhe në veri), ku kishte dhënë prova besnikërie si kryetar i njësitit gueril, që vepronte në Vlorë, për asgjësimin e atdhetarëve antikomunistë.
Komisar politik ishte koloneli Ramiz Alia, të cilin “e kishte kalitur Partia” qysh në moshë të re dhe që vinte “internacionalizmin proletar” mbi idealet kombëtare shqiptare, të cilat nuk i njihte fare, për shkak të prejardhjes së tij joshqiptare.
Komandant i Divizionit të 6-të ishte koloneli Gjin Marku, i njohur si njeri i kompromiseve, si me gjermanët në Berat, ashtu edhe me sllavët. E veçanta e këtij është se kur kosovarët keqtrajtoheshin dhe niseshin drejt Masakrës së Tivarit, ai bënte dashuri me një korriere të ushtrisë jugosllave, të cilën më pas do ta merrte për grua.
Komisar i këtij divizioni ishte për një kohë koloneli Njazi Islami dhe më pas koloneli Myzafer Spaho.
Divizioni i 5-të përbëhej nga këto brigada:
E 3-a, me komandant major Hulusi Spahiun dhe komisar major Shahin Rukën.
E 5-a, me komandant major Shefqet Peçin dhe komisar major Hito Çakon.
E 23-a, me komandant major Hamit Keçin dhe komisar major Xhavit Qesen.
E 24-a, me komandant major Ndreko Rinon dhe komisar major Ethem Gjinushin.
Divizioni i 6-të përbëhej nga këto brigada:
E 6-a, me komandant major Jaho Gjolikun dhe komisar major Xhule Çirakun.
E 7-a, me komandant major Musa Dacin dhe komisar major Qazim Kapisyzin.
E 8-a, me komandant major Feti Smokthinën dhe komisar major Rasim Bazon.
E 22-a, me komandant major Sali Verdhën dhe komisar major Nimet Ymerin.
Brigada e 25-të, me komandant major Veli Doçin (Nimanin) dhe komisar major Nuri Arapin, u nda midis dy divizioneve.
Brigadat përbëheshin nga kompanitë, që kishin komandantët dhe komisarët përkatës. Ishin edhe shtabet e brigadave dhe të batalioneve, të divizionit të 5-të e të 6-të, me kuadrot përkatëse.
Mbi të gjithë këta, ishte Shtabi i Përgjithshëm, që kryesohej nga koloneli Gjin Marku, i cili mbante lidhje të drejtpërdrejta me Enver Hoxhën dhe përgjigjej për të gjitha veprimet dhe mosveprimet e atyre forcave të armatosura.
Duke ndjekur rrugën e Divizionit të 6-të “Sulmues”, luftimet dhe ngjarjet e tjera, aq sa tregohen në pjesët e publikuara të “ditarit”, nuk mund të mos vihet re mosha tepër e re e mjaft prej të rënëve ndër luftime. Dhe natyrshëm vijnë pyetjet:
Kush i mobilizoi ata adoleshentë dhe i dërgoi nëpër atë dimër të llahtarit, që të luftonin në Jugosllavi? Kush i caktoi në vijën e parë të zjarrit, drejt vdekjes së sigurt, ata fëmijë? Përse komandanti Gjin Marku nuk tregoi kurrfarë kujdesi për ruajtjen e jetës së tyre? Përse u sakrifikuan ata djem dhe vajza shqiptare? Kush tjetër, përveç drejtuesve kryesorë të divizionit, duhet të përgjigjet për ato jetë rinore të humbura në dhe të huaj, për llogari të jugosllavëve?
Ky është një tjetër krim i kryer nga drejtuesit kryesorë të PKSH-së dhe të ushtrisë, të cilin nuk mund ta kalojë në heshtje historia e rishkruar.
Nuk ka zemër njerëzore që të mos preket, kur shikon ato fytyra fëminore, të pafajshme; kur lexon emrat dhe datëlindjet e atyre djemve dhe vajzave, që janë radhitur në fundin e atij ditari të përgjakur:
Seit Lesko Leskaj – Lindi më 1927 në fshatin Tatzat të Delvinës. Djalë i vetëm. Student i Liceut të Korçës. U vra në Mal të Zi, më 6 dhjetor 1944. (Pra: 1944-1927=17 vjeç).
Fanjo Thoma Çiçaku – Kjo vajzë lindi më 1928, në fshatin Leusë të Përmetit. U plagos rëndë në luftime, në Mal të Zi, në dhjetor 1944; dhe vdiq mbas disa ditësh. (1944-1928=16 vjeç).
Astrit Veip Selimi – Lindi më 1928, në fshatin Kalasë të Delvinës. Mbeti dëshmor në Bioçe të Malit të Zi, më 6 dhjetor 1944, në moshën 16-vjeçare.
Musa Tahir Abazi – Lindi më 1927, në fshatin Kuç të Kurveleshit. Ra dëshmor në Bioçe të Malit të Zi, më 6 dhjetor 1944, kur ishte vetëm 17 vjeç.
Qebir Feti Balilaj – Lindi më 1927, në fshatin Rexhin të Kurveleshit. Ra dëshmor në Akullnajën e Verushës, në Mal të Zi, më 17 dhjetor 1944, kur ishte 17 vjeç.
Jahja Namik Alite – Lindi më 1927, në qytetin e Gjirokastrës. Ra dëshmor në dhjetor të vitit 1944, në Akullnajën e Verushës, në Mal të Zi. Ishte 17 vjeç.
Boço Mero Caca – Lindi më 1927, në fshatin Bolenë të Kurveleshit. U vra në Mal të Zi, në dhjetor 1944, në moshën 17-vjeçare.
Riza Avdyl Hoxha – Lindi më 1928, në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Ra dëshmor në malin Suhagora të Bosnjes, më 24 janar 1945, në moshën 16-17 vjeçare.
Boço Hamit Sinovarfi – Lindi më 1928, në fshatin Kuç të Kurveleshit. Ra dëshmor në malin Suhagora të Bosnjes, në janar 1945, kur ishte rreth 16-17 vjeç.
Niko Harilla Rrapo – Lindi më 1929, në Himarë. Ishte njëri nga vogëlushët e Brigadës së 6-të, që dallohej për zgjuarsi e trimëri. Ra dëshmor më 24 janar 1945, në afërsi të lumit Drin, në Jugosllavi, në moshën 15-16 vjeçare.
Koli Niko – Lindur në Vithkuq të Korçës, më 1927. Rënë dëshmor në Jugosllavi, më 20 janar 1945. Haki Plaku – Lindur në fshatin Galush të Peqinit, më 1927. Mbeti dëshmor në Jugosllavi, më 6 dhjetor 1944, në moshën 17-vjeçare.
Demir Milaqi – Lindur në fshatin Kokëlvorë të Shijakut, më 1929. Plagosur rëndë gjatë luftimeve në Jugosllavi dhe vdekur nga plagët, në vitin 1944, në moshën 15-vjeçare.
Kjo listë e dhimbshme është mjaft e gjatë dhe vazhdon me emrat e djemve dhe të vajzave shqiptare, të moshave 17, 18, 19 e 20-vjeçare, jeta e të cilëve u shua në dimrin e ashpër të viteve 1944-45, përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, për llogari të sllavo-komunistëve të Titos e të Rankoviçit.
Shumë prej tyre nuk kanë arritur të bëjnë as një fotografi, në jetën e tyre të shkurtër e plot vuajtje. Disave nuk u dihet vendi dhe data e lindjes, po vetëm ajo e vdekjes.
Ky është një kapitull shumë i hidhur i historisë së popullit shqiptar, i cili nuk mund të mbyllet e të arkivohet pa u zbardhur mirë. Duhet të dalin njëherë e përgjithmonë në shesh fytyrat e atyre kriminelëve komunistë të Shqipërisë, të cilët në bashkëpunim të ngushtë me sllavët - armiqtë tanë shekullorë - shkaktuan aq shumë dëme njerëzore, materiale e morale, të pandreqshme, si tek ne ashtu edhe në Kosovë e ndër shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi.
Disa ish krerë të PKSH-së e të shtetit të diktaturës, të Sigurimit e të Ushtrisë, që ende rrojnë mes luksesh përrallore, duhet të japin llogari për të kaluarën e tyre kriminale.
Ata që nuk jetojnë, duhet të zbriten menjëherë nga altari i nderit, ku janë ngjitur padrejtësisht dhe të zhvishen nga titujt e lartë e dekoratat e pamerituara si “Hero Kombëtar”, “Nderi i Kombit” etj. Vendi i tyre është në koshin e plehrave të historisë.