E Diel, 1 Nëntor 2026

Prej lumturisë nuk shpëton kurrë askush

Dy fjalë për shfaqjen "Banorët e Shkallës 6" me regji të Sonila Kapedanit

Shkova e pashë, "Banorët e Shkallës 6", një ish komedi e Kin Dushit e ripunuar nga Sonila Kapedani, që ishte edhe vetë regjisore e pjesës. Kisha një farë paragjykimi se vepra është shkruar nga Kin Dushi diku në vitet 70, dhe po i bëja pyetjen vetes, si do t'ia bëjë regjisorja të anashkalojë ngërçin e realizmit socialist.


Jo se Kin Dushi donte, por sigurisht që vepra jashtë kësaj fryme në atë kohë as nuk janë menduar, e jo më shkruar.


Dhe qysh tek muzika vura re se ky ngërç ishte kapur e zbërthyer, qysh tek nxjerrja e aktorëve në holl si statuja, e pastaj kur nisi akti i parë pashë që çelësi regjisorial i vetëm për ta shpëtuar si pjesë ishte vetëtallja sigurisht në masën e duhur.


Ngritja e patetizmit dhe e seriozitetit në një nivel superior e kthen një pjesë shumë serioze, në një pjesë komike. Ngadalë nisa të mendoj për një vepër tjetër, "Banja" e Majakovskit vënë kaherë nga Altin Basha, e sigurisht Majakovskij e kishte bërë gjithçka vetë me qëllim qysh në të shkruar.


Dhe kështu po mendoja se si Kin Dushit e shumë shkrimtarëve të tjerë i është ndaluar të shkruajnë atë që duan, ashtu si duan, po mendoja se si parimet e realizmit socialist krijuan as më shumë as më pak një hendek midis jetës reale dhe paraqitjes së saj në teatër, e se si pastaj ngadalë transformuan edhe jetën reale duke e bërë atë të dukej si diçka teatrale. Ndaj dhe nuk kishte arsye të kishte më teatër në teatër, pasi realizmi socialist në të gjitha fushat i dha jetës një teatralitet mediokër.


Dhe në fakt Sonila Kapedani e kishte kapur këtë ngërç dhe na e paraqet komikisht, gjatë gjithë shfaqjes qeshet sinqerisht me përçudnimin e njeriut nën një regjim opres, që i kthen njerëzit në kandrra të sistemit, çuditërisht sot njerëzit e atëhershëm me vese na duken njerëz normalë, dhe njerëzit normalë na duken njerëz me vese.


Ngjarja megjithëse e thjeshtë paraqet një shqetësim të përhershëm, lumturinë. Janë gratë që e kërkojnë lumturinë, sepse prej lumturisë nuk shpëton kurrë askush.


Gjithmonë gratë më të lidhura me realitetin real nuk jetojnë dot në një klimë karrierash dhe ambiciesh, sidomos kur mungon seksualiteti, sensualiteti dhe mbizotëron brutaliteti.


Është gjithnjë një grua e bukur që e ndjen se nuk jeton, që rebelohet dhe krijon një farsë, e luajtur mirë nga aktorja Ermira Hysaj, një aktore vitale, e bukur dhe plort sharm, e vendosur aty ku duhet prej regjisores dhe e mbështetur nga i gjithë kasti i mrekullueshëm i aktorëve të tjerë, të gjithë të rinj, dhe për këtë fakt u gëzova shumë.


Rrjedhshmëri logjike, pastërti në figura dhe fleksibilitet, mizanskena dinamike, një shfaqje që kalon bukur e shpejt, plot surpriza e të qeshura, e nuk të lë të mërzitesh.
E gjithë kjo më përforcoi bindjen se ne kemi aktorë të rinj premtues, regjisorë po ashtu të rinj po mjaft energjikë, kemi pothuaj të gjithë elementet e duhura për të bërë shfaqje premtuese, provokuese.


Fatkeqësisht e vetmja gjë që nuk kemi është institucioni që i menaxhon të gjithë këta elemente, ky institucion ka vdekur dhe rëndon mbi shpinën e të gjithë aktorëve, regjisorëve e autorëve të pjekur a të ri, rëndon si një këpucë e vjetër që e mbajmë aty kot si kujtim nga realizmi socialist që ende nuk na është hequr qafe pasi na duhet të blejmë një herë një palë këpucë të reja.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›