E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare, me zinxhirë në këmbë e duar nga Turqia

Ish- kreu i bandës së Lushnjes, i akuzuar për vrasjen e Klenti Banos, prerjen e kokës së Atur Dajës e shumë vrasje të tjera, u ekstradua dje


Alfred Shkurti, ose Aldo Bare, mbërriti nga Stambolli me një avion të posaçëm ndërsa u shoqërua nga dhjetëra forca policie


TIRANË - Një avion i posaçëm i mbërritur nga Stambolli, në aeroportin e Rinasit, solli të prangosur Aldo Baren, ndaj të cilit rëndojnë një sërë akuzash për një seri vrasjesh e krimesh të tjera në kuadër të organizatës kriminale që sipas prokurorisë ka vepruar në Lushnje pas vitit 1997.


Ish-kapoja i bandës së Lushnjës, i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, mbërriti në Rinas rreth orës 10:00, të paradites së djeshme kur një avion i vogël jo më tepër se 20 vendësh, zbriti në pistën e aeroportit të Rinasit, ku e prisnin një dyzinë efektivësh të RENEA-s, Policisë së Burgjeve dhe të njësive të policisë kriminale, të cilët ishin në gatishmëri për të pasur nën kontroll çdo situatë të mundshme të paparashikuar.


Çdo veprim i djeshëm në lidhje me ekstradimin e Alftred Shkurtit, i njohur edhe me emrin e ndryshuar Aldo Bare, është kryer në mënyrë sekrete nga autoritetet shtetërore si ato të Interpolit, Policisë së Tiranës, Ministrisë së Drejtësisë, apo zyrtarët e burgjeve. Sapo Bare zbriti nga avioni i lidhur me pranga e zinxhirë në duar dhe këmbë, iu dorëzua nga oficerët e Interpolit, punonjësve specialëve të RENEA-s.


Ai eci për pak metra i shtrënguar në krahë nga dy efektivë të forcave speciale të RENEA-s deri tek autoblinda e forcave speciale.


Veç blindit në ngjyrë bari të errët, në pistën e aeroportit, zona e vendit ku u ndal avioni i Bares, ishte e rrethuar me shumë automjeteve të forcave speciale, RENEA-s, Policisë së Burgjeve dhe Policisë së Rinasit. Ai është transportuar me blind nga pista drejt e në komisariatin e Rinasit, ku i është nënshtruar procedurave të kalimit kufitar.


Thuajse në të gjithë segmentet e ndryshme ku ishte vendosur të kalonte Bare, janë bllokuar ose nuk është lejuar të kalonte njeri. Masat e sigurisë sipas burimeve të policisë, ishin marrë qoftë për të shmangur ndonjë mundësi arratisjeje të tij. Më tej ndaj tij janë kryer edhe procedurat e tjera ligjore, si identifikimi i tij, marrja dhe administrimi i gjurmëve daktiloskopike (gishtërinjtë dhe pëllëmbët e duarve) etj.


Pas kryerjes së kësaj procedure, Alfred Shkurti është përcjellë për në ambientet e Burgut 313, në rrugën "Jordan Misja", ku edhe është akomonduar në një nga qelitë e këtij burgu.


Transferimi i Bares nga Rinasi në burgun në rrugën "Jordan Misja", është kryer në masa tepër të rrepta sigurie, nga një eskortë e përbërë nga disa automjete të Policisë së Shtetit, forcave RENEA, Policisë së Burgjeve etj. Shoqërimi i tij është bërë nën masa të forta sigurie, që sollën edhe bllokimin e plotë të rrugës Rinas-Tiranë.


Një eskortë policie e shoqëroi deri në burgun 313 në Tiranë, në një kohë thuajse rekord prej afërsisht 15 minutash, për shkak edhe të trafikut të momentit, në hyrje të Tiranës. Nesër ai pritet të paraqitet përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku duhet të njihet me akuzën e ngritur ndaj tij si dhe me masën e arrestit në mungesë vendosur ndaj tij në vitin 2006, kur nisi edhe të goditej banda e njohur e drejtuar prej tij.


AKUZAT


Aldo Bare, akuzohet për veprat penale të: Vrasjes me paramendim të Genci Kasharit, Xhevat Demirit, Nimet Zenelit, Masar Aliut,


"Vrasjes me paramendim" të mbetur në tentativë të shtetasit Artur Daja, Gramoz Selmanit dhe Masar Aliut,


"Mbajtjes pa leje të armëve luftarake",


"Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu,
"Krijimit të organizates kriminale"; të "Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale"

Si nisën krimet e Bandës
Përplasja me Tur Dajën dhe Vrasja e Banos


Vrasjet mes bandës së Lushnjes dhe asaj të Artur Dajës, filluan me ekzekutimin e Genci Kasharit, Ramadan Shkurtit dhe Bardhyl Rabijës, në korrik të vitit 1997, gjatë një përplasjeje me armë mes Bares dhe Dajës në një lokal. Më pas ato kanë vazhduar me ekzekutimin në sy të familjes të shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri, më pas vritet nga anëtarët e "bandës"shtetasi Nimet Zeneli.


Gjatë kësaj kohe banda ekzekuton edhe persona të tjerë, ndërsa qëllimin kryesorë arrin ta përmbushë vetëm më 21 tetor 1998. Artur Daja vritet, dhe më pas i pritet koka që shfaqet në duart e anëtarëve të bandës në qendër të qytetit të Lushnjes, në fund trupit të pajetë i vihet eksploziv. Tashmë Bare ishte "mbreti", "profesori" apo sidoqë e quanin njerëzit e tij të cilët asnjëherë nuk ia kthenin fjalën.


Nga 1998 deri në 2006, banda e krijuar dhe e drejtuar prej tij, kryen dhjetëra krime, ndërsa është një ndër trafikueset më të fuqishme të drogës dhe armëve. Po kështu ajo kishte nën kontroll edhe Lagunën e Karavastasë dhe asete të tjera publike, përfshi edhe kontrollin e ekipit të futbollit të Lushnjes, apo edhe tenderin e pastrimit të qytetit. Në vitin 2000 banda dyshohet dhe është akuzuar se vrau inspektorin e krimeve Klenti Bano.


Pas vrasjes së njerëzve të Dajës, ekzekutohen nga banda Artan Sulçe, Bledar Haxhiu, Nosh Gjeloshaj, Alfred Pirra, si dhe janë plagosur Bernard Linatopi dhe Bardhyl Kurti. E gjithë kjo e shoqëruar me trafikun e drogës dhe armëve e të gomoneve që niseshin nga Laguna e Karavastasë dhe përfundonin në brigjet e Italisë. Sot tre shtete, kanë çështje të hapura ndaj anëtarëve të bandës ndërsa në Shqipëri dhe Itali, janë marrë vendime ndaj tyre.

Fillimi i vrasjeve


Në muajin korrik të vitit 1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija janë nisur me një auto-veturë në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja.


Kur janë afruar rreth 5 metra, i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur ne automjet kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe Artur Daja. Pas fillimit të goditjes edhe nga ana e lokalit kanë filluar të qëllojnë në drejtim të automjetit.


Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe Artur Daja. Ne verandën e lokalit nën shoqërimin e Artur Dajës ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj.


Pas shkëmbimit të zjarrit i pandehuri Aldo Bare së bashku me shtetasin e plagosur aty Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit. Në vendngjarje dhe pikërisht në automjet mbetën të plagosur Ramadan Shkurti (vëllai i të pandehurit Aldo Bare), dhe Bardhyl Rabija.


Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur edhe Artur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin të plagosurit Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, duke i qëlluar nga afër me armë zjarri, shkrepja që i solli vdekjen e menjëhershme. Për këtë vrasje të vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare akuzoi Artur Dajën si ekzekutor. Për këtë arsye së bashku me grupin e tij, i pandehuri Aldo Bare ka tentuar disa herë për të vrarë Artur Dajën.


Pas vrasjes të vëllait të tij i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën "Banda e Lushnjes". Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stërgu, Afrim Hoxha, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të të pandehurit Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë.


Vrasja e Xhevat Demirit


Pikërisht në këtë periudhë, me datë 03.08.1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjes, viktima së bashku me familjarë të tij janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare.


Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë i pandehuri Arben Boriçi i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.


Vrasja e Nimet Zenelit


Me datë 13.02.1998 në vendin e quajtur Kolonjë të Rrethit Lushnje është vrarë me armë zjarri shtetasi Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Boriçi e Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare i kanë zënë pritë fuoristradës Tojota me targa FR 8079 A. Personat e armatosur, pasi kanë parë furgonin të afrohej, kanë qëlluar me armë automatike në drejtim të tij.


Në fuoristradë udhëtonte shtetasi Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i shtetasit Artur Daja, si dhe shtetasit Masar Aliu dhe Nimet Zeneli, shokë të shtetasit Gramoz Selmani. Ky i fundit, pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për tu shmangur nga goditja e grupit, fshihej tek shtetasit e sipërpërmendur.


Menjëherë shoferi i furgonit, shtetasi Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat kanë dalë nga furgoni dhe janë larguar me vrap. Të pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stergu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit.


Gjatë ndjekjes shtetasi Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej. I pandehuri Ilir Stergu, së bashku me të pandehurin Arben Borici, i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri duke i shkaktuar vdekjen. Dy shtetasit e tjerë, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, kanë mundur t'i shpëtonin ekzekutimit.


Vrasja e Masar Aliut dhe Idajet Beqirit


Disa ditë më vonë, më datë 22.02.1998 në rrugën Kolonjë-Bitaj të rrethit Lushnje, me qëllimin e vetëm vrasjen e shtetasit Masar Aliu, persona të armatosur ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Enver Dondollaku,Ilir Stergu dhe Arben Boriçi, kanë pritur ardhjen me makinë të shtetasit Masar Aliu.


Pasi kanë pikasur ardhjen e makinës, kanë dalë dhe kanë ndaluar makinën. Ata kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Masar Aliu duke i shkaktuar vdekjen. Pas kësaj, ata kanë qëlluar edhe në drejtim të shtetasit Idajet Beqiri i cili ka qenë rastësisht brenda në automjet.


Vrasja e Luan Bilbilit


Me datë 18.08.1998 në vendin e quajtur "Kodrat e ullinjve" në afërsi të fabrikës së tullave të rrethit Lushnje, është gjetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Luan Bilbili, i cili konsiderohej si shok i shtetasit Artur Daja.


Në mëngjesin e ditës së ngjarjes, në shtëpinë e Luan Bilbilit kanë vajtur persona të armatosur, ku ndërmjet tyre kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Arben Boriçi.Më pas shtetasi Luan Bilbili është gjetur i vrarë.


Atentati i dështuar ndaj Bares


Në gusht të vitit 1998 është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Persona të armatosur, ndërmjet tyre të pandehurit, Ilir Stergu, Arben Boriçi, Enver Boriçi , Erion Cici, Jorgo (Agur) Muzaka, Rexhep Gina, në bashkëpunim me të pandehurit Aldo Bare; Enver Dondollaku; dhe Leonard Priftin (i vrarë), ditën e ngjarjes kanë shkuar në shtëpinë e Shkëlqim Haxhiut.


Pasi nuk kanë gjetur personat që kërkonin, i kanë vënë zjarrin shtepisë dhe kanë marrë me vete disa nga personat që ndodheshin brenda në shtëpi. Ngjarja në fjalë është e lidhur me një ngjarje tjetër e ndodhur në Lushnje në të njëjtën ditë.


Paraditen e ditës së ngjarjes, është bërë goditja me antitank e një makine në Sul Zotaj (Lushnje), ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal, i pandehuri Alfred Shkurti. Në vendngjarje ka qenë edhe furgoni i shtetasit Shkëlqim Haxhiu, nga ku është qëlluar me antitank dhe armë zjarri në drejtim të makinës ku ndodhej i pandehuri Aldo Bare dhe pjesëtarë të tjerë të bandës së tij.


"Futboll" me kokën e Tur Dajës në qendër të Lushnjes


Në datë 21 tetot 1998, në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjes, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje, pjesë të një trupi njeriu.Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjes, pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare, kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës.


Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë të pandehurit Ilir Stergu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, I vrari Leonard Prifti dhe persona të tjerë.


Si u krijua banda e Lushnjes


Si moment i krjimit të organizatës, e ashtëquajtura "Bandë e Lushnjes" apo "Grupi i Alfred Shkurtit" është vrasja dhe dhunimi i kufomës së shtetasit Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997 në qytetin e Lushnjes.


Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e shtetasit Artur Daja, banor i qytetit të Lushnjes. Pas vrasjes, shtetasi Aldo Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja dhe pjesëtarëve të bandës, krijoi bandën e tij. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë.


Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehuri Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre Aldo Bares me nofkat të tilla si : « I madhi » ; « Profesori » ; « Kryetari » e të tjera.


Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anetarët e organizatës të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psiqike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si : rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje.


Në vijim të veprimtarisë kriminale, kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në Lagunën e Karavastasë, në shoqerinë e sport-klub Lushnje, në bingon e qytetit e të tjera.


Banda


Alfred Shkurti, alias Aldo Bare (Në gjykim)
Ilir Stërgu (Në gjykim)
Afrim Hoxha (Në gjykim)
Arben Boriçi (Në gjykim)
Enver Boriçi (Në gjykim)
Enver Dondollaku (Në gjykim)
Jorgo Muzaka( Në gjykim)
Rexhep Gina (Në gjykim)
Arjan Aliço (Në gjykim)
Maksim Çela (I dënuar me 25 vjet burg)
Erion Cici (I dënuar me 25 vjet burg)
Dritan Vila (I dënuar me burgim të përjetshëm)
Leonard Prifti (I vrarë)
Erion Kashari (I dënuar në Lushnje)
Elton Mermali (I dënuar në Lushnje)
Petrit Liçi (I penduar, i dënuar me 7 vjet burg)


Të vrarë nga përplasja e Tur Dajës me Aldo Baren


Genci Kashari,
Artur Daja,
Xhevdet Demiri
Artan Sulçe,
Bledar Haxhia,
Nosh Gjeloshaj,
Alfred Pirra,
Klenti Bano
Nimet Zeneli
Masar Aliu,
Idajet Beqiri,
Luan Bilbili,
PLAGOSUR
Bernard Linatopi
Bardhyl Kurti
Arben Kicja

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›