Premier League në duart e të huajve

Biznesmenë nafte, bankierë, ish aktorë, investues industrialistë, filantropë, të varfër që janë bërë të pasur, aventurierë, njerëz të fuqishëm me të shkuar të errët...por jo vetëm, amerikanë, rusë, anglezë, malajzianë, zvicerianë, arabë, pakistanezë dhe iranianë. Të krishterë, myslimanë dhe hebrenj...të gjithë bashkë në një shtëpi, atë që quhet Premier League.
Nga analiza që i është bërë pronësisë së 20 klubeve elitare në ishull, del në sipërfaqe një realitet shumëngjyrësh, ku e përbashkëta të gjithëve është pasioni për futbollin, edhe ai për paratë.
Tottenham është në pronësi të biznesmenit britanik Joe Lewis. Chelsea i Roman Abramovich, Arsenali është në pronësi mbi 60% të amerikanit Sten Kroenke, Aston Villa ka një tjetër amerikan, Randolph Lerner dhe Manchester United i familjes yankee, Glazer, të cilët mbajnë lart në qiellin britanik flamurin me yllin e Davidit. Në anën tjetër të Manchesterit, te "Citizens" ligjin e bën sheiku arab Mansour.
Historia e pronarëve arabë nuk përfundon këtu pasi egjiptiani Assem Allam ka në pronësi skuadrën e Hull City, ndërsa Fulhami drejtohet nga amerikani me origjinë pakistaneze Shahid Khan. Një histori interesante është edhe ajo që na shpalos Cardiff City në pronësi të malajzianit Vincent Tan, i cili bëhet pjesë e dinastisë së gjerë myslimane që po hedh rrënjë në kampionatin anglez./indeksonline/