E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premier Liga mbyll një tjetër sezon si superiore

Londër - Premier Liga angleze mbylli dje një sezon tjetër të suksesshëm, me një garë të fortë dhe spektakël impresionues. Skuadra e Mançester Junaited arriti të triumfonte këtë sezon për të dytën herë radhazi në kampionatin më të fortë të planetit.

Rivali kryesor i skuadrës së drejtuar nga Aleks Ferguson ishte Liverpuli i Rafa Benitezit, i cili e përfundoi sezonin në vendin e dytë.

Skuadra e Çelsit u pozicionua në vendin e tretë. Ekipi i rusit Abtramoviç e nisi garën me trajnerin Luis Filipe Skolari, i cili u largua në mes të sezonit për shkak të rezultateve të dobëta. Drejtimin e londinezëve e mori holandezi Gus Hidink, i cili solli ndryshime të padiskutueshme tek kjo skuadër, duke arritur ta çojë skuadrën deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.

Në gjysmëfinale Çelsi ishte më i penalizuari nga gjyqtarët, duke shkuar "padrejtësisht" në finale Barcelona e Pep Guardiolës.

Arsenali i Arsen Vengerit u pozicionua në vendin e katërt. Këtë sezon kjo skuadër pati shumë luhatje, por në javët e fundit arriti ta marrë sërish veten duke mos e vënë në dyshim pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve.

Përfaqësuesit e Anglisë në Ligën e Evropës do të jene skuadrat e Evertonit dhe Aston Vilës. Paraqitja e këtyre skuadrave këtë sezon ishte me të vërtetë e admirueshme. Aston Vila për disa javë me radhë u pozicionua në vendin e katërt, duke pretenduar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Ndërsa paraqitje e Evertonit ka qenë konstante pothuajse gjatë gjithë sezonit.

E veçanta e Premier Ligës angleze, ndryshe nga pjesa më e madhe e kampionateve evropiane, ishte moslëshimi i skuadrave të cilat i kishin përmbushur objektivat.

Kështu, Njukaselli, Midellsbrou dhe Uest Bromi, nuk u toleruan në asnjë mënyrë nga “bigët” në javët e fundit, duke shkuar kategorikisht në Premier Ship.

Përsa i përket golashënuesit më të mirë, në krye qëndron sulmuesi i Çelsit, Nikolas Anelka, i cili këtë sezon arriti të shënojë 19 gola, një më shumë se Kristiano Ronaldo. Ky është një rikthim me të vërtetë madhështor në kampionatin e më të mirëve për futbollistin francez.

Renditjen e plotë të Premier Ligës angleze mund ta gjeni në logon e këtij kampionati në home page.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›