E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Kombëtar, sot emrat e 100 anëtarëve

Marrin vota zërat kundër, por edhe këngëtarja Çiljeta Xhilaga

TIRANË - Ndryshe nga sa ishte parashikuar se njohja me 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar do të arrihej brenda dy ditëve, që nga mbajtja e Kuvendit të së hënës, procesi i numërimit dhe nxjerrja e rezultateve ka zgjatur plot 5 ditë. Lista prej 100 anëtarësh e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike do të bëhet publike sot nga PD-ja.

Vonesa në nxjerrjen e rezultateve që ka zgjatuar për rreth një javë, që nga Kongresi është justifikuar me numrin e madh të kandidaturave, që konkurronin për në Këshillin Kombëtar. Në një prononcim për mediat të mbajtur dje në selinë e Partisë Demokratike, kryetari i Komisionit të Numërimit, Igli Cara, theksoi se numri i madh i kandidatëve e ka vështirësuar numërimin për të nxjerrë rezultatin në kohën e kërkuar.

Sipas tij, deri dje në mesditë ishin numëruar vetëm 70% e fletëve të votimit, ndërsa shtoi se vetëm numërimi i një flete votimi kërkonte rreth 8 minuta kohë. "Për shkak të numrit të madh të kandidatëve, numërimi është i vështirë. Deri më tani janë numëruar 70% e fletëve të votimit, ndaj mendohet se numërimi do të përfundojë në orët e vona të natës.

Kjo vështirësi vjen pasi një fletë votimi që të numërohet kërkon deri në 8 minuta", - tha dje Cara. Sipas burimeve të selisë blu, theksohet se edhe zërat që janë shfaqur kundër politikës së ndjekur nga Partia Demokratike, si Besnik Mustafaj apo Aleksandër Biberaj kanë marrë vota nga delegatët, por nuk është e sigurt nëse do të konfirmohen si anëtarë të Këshillit të PD-së.

Megjithatë, sipas kryetarit të Komisionit të Numërimit, Igli Cara, ajo që ka ndikuar në votimin e një pjesë të mirë të kandidatëve ka qenë edhe popullariteti i tyre, siç është në këtë rast këngëtarja Çiljeta Xhilaga, e cila ka qenë pjesë e kandidaturave për në Këshillin Kombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›