E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premiership, rriten masat anti-doping

Një grup prej 30 futbollistësh elitarë në kampionatin anglez do t‘iu nënshtrohen kontrolleve të shpeshta anti-doping. Ata do të kryejnë analizat për substanca të ndaluara të paktën pesë herë në vit, formulë kjo e huazuar nga Olimpiadat, ku përfshihen edhe kontrollet në periudhën kur nuk janë në aktivitet (me pushime ose nuk luajnë për shkak dëmtimi). E gjithë kjo është pjesë e planit për të përforcuar masat kundër përdorimit të stimulantëve apo çdo lloj drogë nga lojtarët në Premiership. UK Sport, organizmi përgjegjës për kontrollet anti-doping në Mbretërinë e Bashkuar, ka planifikuar të krijojë një regjistër me 30 emra sportistësh, të cilët duhet të jenë të gatshëm t‘iu nënshtrohen testeve në çdo ditë të vitit. Shefi operativ i projektit "droga larg sportit" në UK Sports, Endi Parkinson deklaroi për gazetën "The Sun", se synimi është që të mbrohet imazhi i lojës. Për këtë arsye edhe futbollistët do t‘i nënshtrohen kontrolleve të rrepta, ashtu si atletët apo çiklistët. "Ky plan, i realizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Futbollistëve Profesionistë, do të bëjë që edhe lojtarët e top-këmbës të kontrollohen si të gjithë sportistët e tjerë. Në këtë mënyrë do të vazhdohet lufta kundër dopingut në të gjitha sportet. Gjithçka që bëjmë, për të luftuar fenomenin e substancave të ndaluara, është shumë pozitive", deklaroi ai. "Duam që ndërgjegjësimi dhe përqendrimi kundër dopingut në futboll të jetë në nivelet maksimale, pasi mund të rrezikohet që ky sport shumë i dashur ta shohë veten në një krizë të thellë". Parkinson theksoi se lista e parë me lojtarët që do të kontrollohen vazhdimisht do të përpilohet pas konsultimeve me Federatën Angleze të Futbollit dhe se testet do të fillojnë prej korrikut 2009. Aktualisht, në kontrollet anti-doping në Angli, në klubet evropiane dhe në futbollin ndërkombëtar, dy lojtarë përzgjidhen pas çdo ndeshjeje për të bërë testin e urinës. Substancat e ndaluara dhe droga kanë krijuar mjaft probleme. Çelsi largoi portierin australian, Mark Boshnik, pasi në vitin 2002 rezultoi pozitiv me kokainë, ndërkohë që në të njëjtën mënyrë, blutë vepruan edhe me rumunin Adrian Mutu, dy vjet më pas. Lojtari më i njohur anglez, që ka përfunduar në skandalin e dopingut, është mbrojtësi i Mançester Junajted, Rio Ferdinand, i cili u pezullua për tetë muaj (dhe nuk luajti në Euro 2004), pasi nuk iu nënshtrua një kontrolli anti-doping në fushat stërvitore të klubit. Ferdinand është justifikuar se thjesht kishte "harruar" t‘i nënshtrohej testit, por me rregullat e tanishme për këtë "shkelje", ai mund të ishte pezulluar për dy vjet. Kjo është arsyeja përse mbrojtësi i "Tre Luanëve" mund të jetë në listën e re të kontrolleve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›