E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paligjshmeri me fondet publike

Periudha e tranzicionit, herë pas here ka sjellë ballafaqime të dhimbshme të qytetarit shqiptar me realitetin e egër, që për një numër të madh arsyesh - shumica të parandalueshme - ka rrëmbyer jetë njerëzish të pafajshëm. Të tilla janë padyshim edhe ngjarjet tragjike të korrupsionit shtetëror të Gërdecit, tetë muaj më parë, apo shembja e një pallati banimi në Gjirokastër, fundjavën e shkuar, pa folur për vdekjet e minatorëve në galeritë e minierave të Veriut.

E përbashkëta e këtyre ngjarjeve fatkeqe është se ato mund të parandaloheshin, nëse institucionet shtetërore do të përmbushnin detyrimet e ngarkuara me ligj, nëse fenomeni i korrupsionit, që ushqen etjen e pushtetarëve për pasurim të paligjshëm do të ishte frenuar prej tyre. Në të vërtetë, as kjo nuk po ndodh (kontrolli mbi korrupsionin), por me sa duket as zbardhja e të vërtetave e, për rrjedhojë, edhe ndëshkimi ligjor i personave përgjegjës. E në këtë proces, me sa duket, nuk bëjnë punë as këshillat dhe kritikat gjithnjë e më të drejtpërdrejta të përfaqësuesve të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare të pranishme në Tiranë, apo të diplomatëve të vendeve mike të Shqipërisë. Është e kuptueshme se këta të fundit nuk kanë si të zëvendësojnë opozitën politike apo shoqërinë civile shqiptare. Kjo sepse apatia qytetare (mungesa e kontrollit qytetar dhe e llogaridhënies së zyrtarëve përpara tyre), si dhe mungesa e lexueshme e vlerave të komunitetit janë edhe kushtet, mbi të cilat ngjizet korrupsioni qeveritar, kapja e qeverisë dhe e opozitës nga korrupsioni elitar në rritje.

Vëzhgimi i kujdesshëm i reagimit të qytetarëve dhe qeverisë ndaj fenomeneve të përmendura më sipër sjell në tryezën e debatit një sërë problemesh, që mendoj se meritojnë të analizohen më në hollësi.

Së pari, e përbashkëta e reagimit të qeverisë dhe të qytetarëve të vendit është përqendrimi në pasojat dhe pak ose aspak në shkaqet që i sjellin ato (pasojat). Kjo gjen njëfarë justifikimi te qytetarët, solidariteti njerëzor i të cilëve duhet të na bëjë krenar të gjithëve. Kjo vlerë e pazëvendësueshme - solidariteti njerëzor, e njohur ndërkombëtarisht dhe e shprehur edhe më parë (p.sh., pritja dhe sistemimi me familjet shqiptare i rreth gjysmë milioni kosovarëve në vitin 1999 etj.), në fakt, nuk përçohet në formën e reagimit civil, kur është fjala për qeverisjen e keqe e të papërgjegjshme brenda vendit etj. Për më tepër, edhe segmente të shoqërisë civile, aktive në periudhën e parë të tranzicionit, nëse nuk janë shkrirë me politikën dhe shndërruar në pjesë pa identitet të saj, kanë humbur fuqinë e ndikimit në komunitet, e për rrjedhojë nuk luajnë dot më rolin e mobilizuesit dhe të ndërgjegjësuesit të qytetarëve ndaj defekteve të qeverisjes, korrupsionit etj.

Ndërsa qeverisja, duke qenë se kontrollon dukshëm pjesën më të madhe të mediumeve publike dhe posaçërisht të parave që drejtohen në to, krijon vazhdimisht lloj-lloj metodash për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve ndaj problemeve reale ekonomike e sociale të kohës sonë, si papunësia, varfëria, korrupsioni, krimi në rritje, mungesa e shpresës për një jetë më të mirë brenda vendit etj. Për këtë mjafton të kujtojmë deklarimet propagandistike të Kryeministrit mbi mirëmenaxhimin nga qeveria të krizës së Gërdecit, menaxhim gjatë të cilit trupa mjekësore e vendit demonstroi vlerat humane dhe solidaritetin njerëzor më shumë se urdhrat apo kontrollin qeveritar. Nuk po flas për reagimin pozitiv dhe mbështetjen e komunitetit të biznesit ndaj familjarëve të viktimave të tragjedive të sipërcituara, që gjithsesi meriton të vlerësohet.

Së dyti, një problem më vete përbën paligjshmëria e reagimit të politikës në tërësi ndaj rasteve në fjalë. E kam për mënyrën e përdorimit të fondeve publike në përballimin e pasojave të krimit shtetëror të Gërdecit, apo të shembjes së pallatit në Gjirokastër etj. Pavarësisht shkaqeve, do të ishte jonjerëzore lënia e viktimave në mëshirën e fatit dhe mbështetja financiare ndaj tyre është deri-diku detyrë e pushtetit. Por, pushteti nuk mund dhe nuk duhet të përdorë paratë e taksapaguesve të të gjithë Republikës për të evituar reagimin (e drejtë) publik dhe politik të viktimave, d.m.th., për të minimizuar pasojat social-politike të "aksidentit teknologjik të Gërdecit" (sikurse cilësohet në faqen zyrtare të qeverisë). Kjo, jo vetëm po deformon qëllimin ligjor të përdorimit të fondeve publike, por edhe po legjitimon një përdorim politik të taksave të qytetarëve - thjesht për të mbushur "gropat" që hap çdo ditë korrupsioni në pronën, në biznesin dhe në jetën e qytetarëve të vendit.

Deri tani, askush nuk mund të thotë nëse është ndërmarrë ndonjë iniciativë ligjore nga qeveria për rregullimin ligjor të marrëdhënieve që lindin në një rast të tillë, midis punëtorëve dhe sipërmarrjeve private, si në rastin e Gërdecit, midis banorëve dhe sipërmarrjeve që veprojnë në territoret përkatëse të tyre. Po ashtu, askush nuk di nëse është bërë ndonjë hap ligjor për mbrojtjen dhe kompensimin e interesave të qytetarëve të dëmtuar përmes konfiskimit në rrugë gjyqësore të pasurive të firmave, që me veprimtarinë e tyre cenojnë jetën, biznesin dhe pasuritë e tyre. Nëse pranojmë që punësimi është një marrëdhënie juridike e rregulluar me ligj, qeveria dhe institucionet e shtetit duhet të rreshtohen në anën e ligjit, më shqip, duhet të mos u japin kohë (apo edhe t‘i ndihmojnë) kriminelëve të pastrojnë llogaritë (p.sh., Delijorgji & Co.) dhe mandej të përdorin fondet publike si bamirësi për të kompensuar viktimat.

Sipas mendimit tim, po aq e gabuar ishte edhe përpjekja e opozitës për të ndërmarrë një nismë ligjore që të kompensoheshin me fondet publike fermerët e dëmtuar nga misri pa kokrra. Nga këto veprime të çoroditura dhe joligjore të krijohet përshtypja se në këtë vend krimi dhe korrupsioni nuk po shihen më si akte të paligjshme, si vepra penale të dënueshme nga ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare (p.sh., gjenocidi - a nuk ishte ngjarja e Gërdecit një rast i tillë i denjë për shqyrtim në Tribunalin e Hagës?). Kulmin e përbën deklarimi publik, më herët kësaj jave, i një zyrtari të lartë të qeverisë, se ajo (qeveria) "ka negociuar një hua bankare prej 150 milionë eurosh për ta përdorur në raste fatkeqësish, si ajo e shembjes së pallatit të banimit në Gjirokastër(?!)".

Mendoj se praktikave të tilla të paligjshme dhe korruptive në përdorimin e fondeve publike u duhet dhënë fund njëherë e mirë, dhe se qeveria duhet të respektojë Kushtetutën e vendit dhe ligjet në fuqi mbi përdorimin e fondeve publike. Nëse një veprimtari biznesi dëmton një pronë tjetër private a publike qoftë (p.sh., pallatin ngjitur, si në rastin e Gjirokastrës), atëherë qeveria mund dhe duhet të rishikojë kuadrin ligjor për ndërtimin në tërësi, duke shtuar elementët e sigurisë, duke përfshirë sigurinë financiare për dëmet pasurore që ajo (firma) mund t‘u shkaktojë të tretëve. Por, kurrsesi ajo nuk mund të bëjë "dhurata" politike me fondet publike si në "kohën e shokut Enver", kur e gjithë ekonomia dhe buxheti i saj ishin të centralizuara. Më keq akoma, kur nga një veprimtari korruptive dhe monopol biznesi, si në rastin e Gërdecit, humbasin jetë njerëzish dhe qeveria, në vend që të ndëshkojë përgjegjësit me dhe pa imunitet, bën të kundërtën - ndëshkon financiarisht gjithë qytetarët, duke bërë kompensim me taksat e tyre, ndërsa personat ligjërisht përgjegjës presin radhën të lënë qelitë, e me ndihmën e qeverisë t‘ia mbathin në "botën e lirë", sapo një fatkeqësi e re të pllakosë ndër ne…



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›