Premtime dhe hakmarrje, Vlora e pret si finale
Premtime për fitore dhe hakmarrje ndaj Skënderbeut. Në Vlorë e presin sfidën e sotme si një finale të vërtetë. Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, beson se skuadra e tij nuk do të zhgënjejë ndaj korçarëve. Kreu i pankinës vlerëson kampionët në fuqi, por nuk u druhet, teksa beson te fitorja. “Jemi gati për të bërë detyrën në një ndeshje shumë të rëndësishme. Do të synojmë vetëm fitoren, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. E respektojmë Skënderbeun, por për ne nuk ka alternativë tjetër veçse marrjes së tri pikëve. E kam thënë edhe më parë, kualifikimi do të varet nga ndeshja në Shkodër me Vllazninë, por gjithsesi ne duhet të fitojmë. I ftoj tifozët të na mbështesin. Do të bëjmë më të mirën në këtë takim. Do të kthejmë te tifozët bindjen e plotë se Flamurtari di të ndryshojë, pas atyre rezultateve jo të kënaqshme”,- është shprehur trajneri Muça. Ndërkohë, kreu i pankinës vlonjate ka shigjetuar FSHF-në për kalendarin e ngjeshur. “Ky kalendar është bërë qëllimisht për të favorizuar ndonjë ekip që është penalizuar dhe për t’i hequr atij dënimin. Është gati e pamundur që në 24 ditë të luhen 8 ndeshje. Kjo i lodh së tepërmi futbollistët, madje ndikon edhe në karrierën e mëtejshme të tyre”, tha tekniku.
Levi: I ndal vlonjatët
Trajneri i Skënderbeut, Stansilav Levi, beson se mund të dalë me pikë sot nga Vlora. “Flamurtari është një ekip shumë i mirë, një kundërshtar me nivel, por gjithsesi ai është pas nesh. Por kjo nuk duhet të na bëjë euforikë, pasi gabimet për mua janë të papranueshme. Objektivat për ne nuk do të ndryshojnë asnjëherë dhe ky takim është nga më të rëndësishmit. Nga Vlora nuk duhet të kthemi pa një fitore”, ka nënvizuar trajneri.
Tomori pezullon 3 lojtarë në drekë, i kthen në darkë
Ka edhe të tilla gjëra. Presidenti i Tomorit të Beratit dhe njëkohësisht kryetar i Bashkisë së këtij qyteti, Fadil Nasufi, ka përjashtuar nga skuadra tre futbollistë: Ervin Llanin, Ylli Shametin dhe Emiljano Çelën. Pas një mbledhjeje të gjatë me lojtarët dhe stafin teknik, presidenti ka vendosur të jetë drastik, duke fajësuar tre lojtarët e mësipërm, jo vetëm për ndeshjen e fundit por edhe për takime të mëparshme, ku sipas Nasufit ata nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë. Madje, kryebashkiaku doli edhe në media me një deklaratë ku proklamonte vendimin e marrë, por çudia ndodhi pas disa orësh. Në mbrëmje ishin vetë lojtarët e mësipërm, të cilët konfirmuan se vendimi i presidentit kishte qenë emocional dhe se ata do të ishin sërish nga dita e sotme në skuadër dhe do luanin në ndeshjen e radhës ndaj Shkumbinit për javën e 17-të të Superiores.
Kupa
Grupi A
Ora 14:00
Tirana-Bylis
Kastrioti-Kamza
Grupi B
Ora 14:00
Flamurtari-Skënderbeu
Vllaznia-Laçi