E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtime të përmbushura - projekte të reja investimesh, emblema e qeverisë

Kryeministri Sali Berisha, në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”, vizitoi dje Kurbinin, duke përuruar një sërë veprash madhore, investime të drejtpërdrejta të qeverisë. Gjatë vizitës në qytetin e Laçit, kreu i ekzekutivit përuroi përfundimin e rrugës që lidh këtë qytet me autostradën Milot-Tiranë, investim ky i buxhetit të shtetit, me vlerë 196 milionë lekë. Kryeministri u shpreh gjatë përshëndetjes së vet, se ndërtimi i kësaj rruge është një tjetër investim dhe premtim i mbajtur i qeverisë. “Inauguruam rrugën që lidh qytetin e Laçit me autostradën Milot-Tiranë, një investim prej 196 milionë lekësh. Ky është një tjetër investim dhe premtim i mbajtur i qeverisë time”, u shpreh Kryeministri. Rruga që lidh Laçin me autostradën është njëkohësisht segment i rrugës Laç-Patok në ndërtim, ku janë ndërtuar 1.5 kilometrat e parë të saj. “Dua t’ju informoj se po punohet në rrugën drejt plazhit të Patokut. Janë ndërtuar rreth 1.5 kilometrat e parë të saj, ndërsa pjesa tjetër është në projektim dhe brenda vitit që vjen, kjo rrugë shkon deri në plazhin e Patokut, një nga zonat më të bukura të bregdetit të Adriatikut”, vijoi Kryeministri Berisha. Duke folur për rëndësinë e autostradës Milot-Tiranë, Kryeministri u shpreh se qeveria së shpejti përfundon projektin për ta bërë atë me katër korsi dhe sipas standardeve më moderne infrastrukturore. Gjithashtu, më tej, Berisha vuri në dukje se në sajë të këtyre investimeve të qeverisë Shqipëria po shndërrohet nga Shqipëria e baltës dhe çakullit në Shqipërinë e asfaltuar dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. “Shqipëria rurale e baltës dhe e cakullit po kthehet në Shqipërinë e asfaltit, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe kjo është një nga premtimet e tjera të qeverisë që unë kryesoj. Siç po e shihni, rrugët e saj po kalojnë nga balta në asfalt”, u shpreh Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri Berisha mori pjesë edhe në përurimin e përfundimit të rrugës që lidh autostradën me Komunën Fushë Kuqe. Ky është financim i buxheti shtetit me vlerë 38 milionë lekë. Duke vijuar drejt komunës së Milotit, në rrethin e Kurbinit, Kryeministri mori pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve për ndërtimin e argjinaturës së lumit Mat, një investim i qeverisë shqiptare, shiriti i së cilës u pre nga deputeti i zonës Pal Dajçi. Kryeministri informoi se vetëm në këtë zonë, në të dy anët e lumit Mat, qeveria ka investuar 141 milion lekë. “Në kohëra të mira duhet të përgatitemi për kohëra të vështira”, tha Berisha. Sipas tij, lumi Mat ka një shtrat shumë të gjerë dhe përbën një rrezik, prandaj dhe marrja e masave, ngritja e argjinaturave është vendimtare për komunën e Milotit. Z. Berisha kujtoi këtu projektet e qeverisë që kryeson dhe të qeverisë vendore në projekte të tjera si shkolla, ujësjellës, kanalizime, infrastrukturë, etj. “Miloti është një qendër e lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e Kurbinit, ku kanë funksionuar 1600 shkolla shqipe, ku është mësuar me gërma dhe alfabetin latin që kemi ne sot”, vijoi Kryeministri, duke evidentuar traditat e gjithanshme të kësaj treve. Duke theksuar se premtimet dhe investimet janë emblema e qeverisë që drejton, Kreu i Qeverisë kujtoi vizitën që sapo përfundoi në komunën Shën Koll, ku sipas tij, janë realizuar 10 projekte.
Qeveria, 250 milionë lekë për investime në komunën Shënkoll/Kryeministri Sali Berisha përuroi dje qendrën komunitare të komunës Shën Koll në rrethin e Kurbinit, një nga investimet e fundit që qeveria ka bërë në këtë zonë rreth 50 km larg Tiranës. I shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe deputeti i zonës, Gjok Vuksani, Kryeministri Berisha preu shiritin e kësaj qendre, një investim prej 17 milion lekësh, që do të jetë në shërbim të komunitetit të kësaj komune me 9 fshatra dhe 15 mijë banorë gjithsej. Qendra komunitare e komunës së Shën Kollit, një ndërtesë sipas standardeve bashkëkohore, është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Për ndërtimin e godinës u akorduan 17 milion lekë, ndërkohë që 8 milion lekë janë dhënë për pajisjen e saj me salla interneti dhe lojrash, mjedise për argëtimin e moshës së tretë. Ndërtesa është projektuar në mënyrë të tillë që të jetë dhe në shërbim të invalidëve. Komuna e Shën Kollit, me një vijë bregdetare prej 8 kilometrash, bën pjesë në prefekturën e Lezhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›