E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turpi i familjes partiake të Edvinit

Nuk kishte gjë më të turpshme se të shihje liderin e një partie historike në Shqipëri (pavarësisht se historinë e ka shkruar 99 përqind të rasteve për keq) që të bënte përpjekje të stërmundimshme për të shmangur çdo lloj daljeje publike, përkujtimi e krenimi për përvjetorin e 17-të të partisë që drejton. 12 qershorin e shkuar, Edvini e thelloi arratisjen e vet, duke u përpjekur që nëpërmjet një mesazhi ta quajë të larë borxhin që ai ka me dhjetëra mijë anëtarët e partisë që militojnë ende në PS, duke kujtuar se ai është skalioni historik i ish-komunistëve, i nacionalkomunistëve apo edhe i agraro-komunistëve. Asgjë nga kjo kujtesë politike nuk duhet të mbetet më në partinë e re të Edvinit. Opozita ndryshe (më saktë, qendrimet politike të tredhura), organizimi ndryshe, forume ndryshe (më saktë, që s’ekzistojnë fare) dhe solidaritet partiak ndryshe (më saktë qendrime njëshkolonë, nga frika se mos i prishet humori liderit) janë përvijimet e mëdha të partisë së Edvinit. Ky formacioni i ri politik është në tokë të huaj, e s’ka shumë vjet që është ngulur aty. Me Mimi Kodhelin e Saimir Tahirin si emblema të prurjeve të reja, Edvini po synon prej kohësh që të mund të legjitimojë organizimin politik që drejton për ta shitur si vazhdimësi të partisë tradicionale të “socialistëve dhe progresistëve”, siç i pëlqente Fatos Nanos ta argumentonte të njëjtin aksion imoral vite më parë.
12 qershorin e shkuar Edi Rama pati rastin të shfaqej si një drejtues i mirëfilltë i Partisë Socialiste të Shqipërisë, por nuk deshi. Atij i interesojnë pronat e socialistëve, por jo kostot e tyre, aq më tepër historia e tyre. Me 12 qershor, ai emëtoi një mesazh për anëtarët e vet, ku nuk figuronte as 8 nëntori i 1941, as 12 qershori i 1991, as ndonjë referencë tjetër e historisë së re politike. Me 12 qershor ai mandatoi një festim të kapilarizuar, ku fshatrat do të festonin fshatçe e qytetet sipas midesë së tyre. Asgjë publike. Gjithçka në fshehtësi e në ilegalitet, si krenaria e festimet e fshehta për një dobiç që ka dalë i bukur, por që s’duhet që bota të na e shohë. Edvini shfaqi me 12 qershor gjithë kompleksin e turpit që ka pushtuar familjen partiake, e prej të cilit s’do të mund të shkëputen dot, sa kohë nuk do të ketë një divorc të njëmendtë nga e kaluara socialiste. Rama është i detyruar të pranojë edhe 99 përqindëshin e punëve të zeza të së majtës, e jo vetëm hipotekën e anëtarësisë si një hipotekë turme, që do t’i duhet në aksionet e zeza të politikës së tij të re. 12 qershori i 2008 shërbeu edhe njëherë si tregues i shkërmoqjes ideologjike të së majtës shqiptare.
Që nga fshatrat e Pogradecit e të Mokrës, Rama lëshoi mesazhe mushke në drejtim të anëtarësisë socialiste, gjithë drojë se mos patriarkët e vërtetë të partisë do të shfaqen në Tiranë, më të përgjegjshëm se ai, duke marrë përsipër përgjegjësitë e së shkuarës, por edhe duke pretenduar me të drejtë hipotekën që u takon tek anëtarësia socialiste. I tmerruar se asnjëherë nuk i bindi organizatat e anëtarëve se është me të vërtetë kryetari që ato kërkojnë, Edvini është shndërruar në një pelegrin që endet fshatrave, i tmerruar se mos dikush i përmend bëmat e së shkuarës. Me 12-13 qershor Fatos Nano nuk u bë i gjallë në Tiranë e Ilir Meta që fort i zënë me punë për t’u thënë socialistëve se pelegrini i fshatrave është në tokë të huaj mes anëtarësisë socialiste, megjithatë sjellja krejt jopartiake e Edvinit, duke i ndaluar anëtarët të kremtonin 17-vjetorin e rithemelimit të partisë së tyre është një rast tjetër për të na kujtuar se ndoshta një rivendikim i tillë pronash mund të ndodhë së afërmi e ndoshta nga kjo përballje edhe mund të zbulohet diçka, për zgjedhjet e ardhshme të 2009-s.
 Nga Ilir Nikolla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›