Vlerësohet bashkëpunimi ndërparlamentar Kosovë-Hungari

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi priti sot një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Hungarisë, të kryesuar nga Tibor Mihaly Balla, me ç’rast u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe për marrëdhëniet që parlamentet e të dyja vendeve kultivojnë ndërmjet tyre. Si thuhet në njoftimin e Zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit, u çmua lart bashkëpunimi në kuadër të Projektit të Binjakëzimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe atij të Hungarisë.
Duke folur për aspiratën e institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për integrime euro-atlantike, kreu i legjislativit e konsideroi atë një proces jo të lehtë, për të cilin tha se nevojitet ndihma e parlamenteve të shteteve mike.
Sa i përket bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Krasniqi tha se Kosova i sheh bisedimet si mjetin e vetëm për zgjidhjen e problemeve që historia i ka grumbulluar ndërmjet dy vendeve, ndërsa kujtoi qëndrimin se Serbia në çdo proces negociator me Kosovën ka refuzuar çdo marrëveshje të ofruar nga bashkësia ndërkombëtare.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Hungarisë, Tibor Mihaly Balla, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në vendin tonë, tha se qëllimi i saj është njohja nga afër me zhvillimet në vend dhe përpjekja për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve. Projektin e Binjakëzimit Balla gjithashtu e vlerësoi të një rëndësie të veçantë./Indeksonline/