E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegjia kërkon ndihmën e Gashit

Përfaqësuesja e Norvegjisë, e ftoi të dielën Ardian Gashin për ta ndihmuar përfaqësuesen e këtij vendi, në ndeshjen e së martës mbrëma ndaj Qipros, e vlefshme për kualifikimet e Botërorit ‘Brazili 2014’.

Selektori i ekipit norvegjez, Egil Olsen e konsideron të rëndësishëm futbollistin kosovar, i cili po shkëlqen në sezonet e fundit me ekipin Helsingborg në Suedi.

“Gashi e godet fort topin, kontribuon në mbrojtje dhe i mbulon disa hapësira në fushë. Kam besim të madh tek ky lojtar”, u shpreh trajneri norvegjez në konferencë për shtyp, para ndeshjes me qipriotët.

31-vjeçari ishte pjesë e përfaqësueses së Norvegjisë edhe në vitin 2004, por një periudhë ishte lënë anash dhe kishte vendosur t’i bashkohej përfaqësueses së Kosovës. Mirëpo, ftesa e vendit skandinav ishte e parefuzueshme dhe mesfushori gjakovar do t’i mbrojë ngjyrat e norvegjezëve, që nga e marta.

Përveç Norvegjisë së Gashit, në Grupin E për kualifikimet e botërorit ‘Brazili 2014’ bëjnë pjesë Kombëtarja shqiptare dhe Zvicra e pesëshes shqiptare.

Berisha zhvendoset në ekipin U-21

Ndërkohë, Valon Berisha është zhvendosur në ekipin U-21 të Norvegjisë. Sulmuesi i ri kosovar ishte ftuar në ekipin A për ndeshjet kualifikuese me Zvicrën dhe Qipron, por selektori Olsen vendosi ta dërgojë me ekipin e të rinjve, pasi që momentalisht nuk llogarit në shërbimet e tij.

19-vjeçari po shkëlqen me ekipin Red Bull Salzburg këtë sezon, pasi u transferua nga Vikings gjatë kësaj vere. Berisha është ende i ri dhe Norvegjia e konsideron si të ardhmen e futbollit të saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›