Pres. Obama mbron efikasitetin e paketës së stimujve të vitit të kaluar
Presidenti Barak Obama thotë se paketa e stimujve ekonomikë që ai nënshkroi vitin e kaluar, ndihmoi në ruajtjen e rreth dy milionë vendeve të punës dhe parandaloi përkeqësimin e krizës. Në fjalimin që mbajti sot në Shtëpinë e Bardhë, në përvjetorin e parë të Aktit për Rimëkëmbjen dhe Investimet, zoti Obama tha se mbështetja për paketën prej 787 miliardë dollarësh ishte veprimi i duhur, edhe pse politikisht e vështirë.
Ai tha se mbetet ende shumë punë për t'u bërë, pasi një numër mjaft i madh njerëzish janë të papunë. Por republikanët e opozitës thonë se programi nuk ka qënë i efektshëm dhe nuk ka bërë sa duhet për të ulur nivelin e papunësisë. Deri tani administrata ka shpenzuar gjysmën e shumës së paketës stimuluese prej 787 miliardë dollarësh.
Kritikët nga pala republikane thonë se paketa stimuluese është arsyeja kryesore pse Shtetet e Bashkuara kanë një deficit buxhetor kaq të madh. Nesër, Presidenti Obama pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për krijimin e një komisioni dy partiak për zgjidhjen e problemeve të vështira politike për uljen e defiçitit që mund të kapë 1.6 trilion dollarë vitin e ardhëshëm.