E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet muzeu “Ibrahim Kodra”

TIRANE-Cilido artdashës, shqiptar apo italian, i cili ka shfletuar faqet e gazetës "Corriere della Sera" të datës 7 shkurt 2010, padyshim ka mundur të lexojë në brendësi të saj njoftimin e shkurtër mbi artin e Kodrës: "In memoria di Ibrahim Kodra. Inaugura, alle 17.30, la mostra "Ibrahim Kodra. In memoria di un artista ultimo post-cubista" organizzata dalla "Fondazione per i ragazzi di Ibrahim Kodra" alla Residenza La Romantica, via Cantonale 3, Melide, açanto a Sëiss Miniature (Svizzera). Nella Residenza sorgerà il museu intitolato a Kodra". Do zgjidhej pikërisht 7 shkurti, dita e përvjetorit të vdekjes së Ibrahim Kodrës, për t'u inauguruar muzeu dedikuar shqiptarit dhe artistit të madh, në Melide, një nga zonat më piktoreske të Luganos, me iniciativën e biznesmenit dhe politikanit kosovar Behxhet Pacolli, i cili së bashku me z.Fatos Faslliu, janë autorizuar nga vetë Kodra "të kujdesen për trashëgiminë e tij kulturore". Në një ambient mjaft të këndshëm e mikpritës, nëpërmjet dritareve të mëdha të së cilës admirohet liqeni i bukur i Luganos, ku për çdo detaj është treguar një kujdes i veçantë, duke filluar që nga qirinjtë që të shoqërojnë përgjatë hyrjes, e deri në përshëndetjen e mirëseardhjes që z.Pacolli në hyrje të sallës i bën personalisht çdo të ftuari, pasditja e 7 shkurtit kthehet në një moment krejtësisht të veçantë për të gjithë. Në muret e kësaj ndërtese shumëvjeçare janë ekspozuar mjaft punime të Kodrës, totem-at karakteristike dhe dalluese të artit të tij, faqe gazetash nga shtypi i kohës, dëshmi që Maestro ka marrë në vite e deri edhe veshjet e tij "të çuditshme", këpucët dyngjyrëshe e çorapet shumëngjyrëshe, ku asnjë prej tyre nuk lidh me tjetrën. Sepse, kështu e shikonte botën ai, shqiptari Kodra, plot ngjyra që do ishin karakteristike edhe në punimet e tij. Për cilindo nga ne që e ka njohur Maestron dhe artin e tij, këto elemente dikur nuk përbënin asnjë çudi, ndërsa sot, tek i rishikojmë të ekspozuara, ato padyshim, kthehen në emocion. Do të ndalej gjatë dhe do të tregonte shumë momente private nga njohja me Kodrën, z.Pacolli do të fliste me mjaft dashuri dhe do thoshte se ndjehej krenar që përfaqësonte një figurë si Maestro Kodra, por do të shprehte njëkohësisht edhe keqardhje për indiferentizmin e shtetit shqiptar ndaj figurës së Kodrës.
Muzeu
Bexhet Pacolli flet gjatë dhe tregon punën që ka bërë në gjithë këto vite pas ndarjes nga jeta të Kodrës dhe atë që mendon të bëjë në të ardhmen, duke filluar së pari nga mbledhja e punimeve të piktorit, kudo që janë, për t'i ekspozuar në ambientet e këtij muzeu, projekti i të cilit është të zgjerohet akoma më shumë për t'u kthyer në një nga muzeumet më të mëdha të këtij lloji. Ndaj, edhe inaugurimin e tij, nëpërmjet kësaj ekspozite, e nderuan me pjesëmarrjen e tyre autoritete zvicerane, kritikë arti si dhe ata, që në këtë rast nuk mund të mungonin, mjaft shqiptarë të Milanos, një pjesë e të cilëve kishin pasur fatin ta njihnin Maestron personalisht. Padyshim, është paksa e vështirë të mundesh të flasësh me z.Pacolli, por gjithsesi gjej rastin për t'i drejtuar atij dy a tri pyetje. I qeshur dhe me mjaft përzemërsi, z.Pacolli do t'i përgjigjej pyetjeve të mia në lidhje me këtë projekti, i cili momentalisht realizoi fazën e parë të tij. "Po, ky është hapi i parë, - do përgjigjej z.Pacolli. - Ne kemi krijuar një fondacion që quhet 'Ibrahim Kodra', i cili është krijuar menjëherë pas vdekjes së tij. Ky fondacion ka bërë hapin e parë, që është hapja e muzeut 'Ibrahim Kodra' këtu në Zvicër, sigurisht muzeu i parë krahas shtëpisë ku ai ka jetuar, pra jashtë Shqipërisë dhe Kosovës dhe do të pasojë me hapjen e një Muzeu në Prishtinë dhe Tiranë, pasi mendoj se këto dy vende kanë ngelur pak mbrapa në këtë drejtim dhe kështu mund ta njohin Ibrahim Kodrën. Nëse Muhameti nuk shkon tek Kodra, Kodra shkon tek Muhameti, dhe nëse ata nuk kanë mundur të njohin Ibrahim Kodrën, tani ne do ta çojmë Ibrahim Kodrën dhe veprat e tij në Kosovë dhe Shqipëri. Dhe ne mbesim, po e theksoj, me shpresën më të madhe që amanetin e tij ta çojmë në vend, trupin e tij ta zhvendosim në Tiranë dhe varrin e tij ta dekorojmë në një mënyrë shumë të thjeshtë, me dy gurë, njëri nga Kosova e tjetri nga Shqipëria". Ndërsa, në lidhje me kontributin e shtetit shqiptar në projektet mbi Kodrën, z.Pacolli do shtonte se, "kontributi i shtetit shqiptar do të ishte shumë i madh vetëm nëse nuk do të pengojë dhe do mbështesë iniciativën mirëdashëse për Ibrahim Kodrën. Ibrahim Kodra e ka dashur shumë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ai e meritonte që amaneti i tij të realizohej, por siç ndodhi, ky amanet nuk u realizua. Më kujtohet, me shumë keqardhje, momenti kur u rrëmbye prej pushtetit të atëhershëm kufoma e tij prej aeroportit të Rinasit dhe e çuan për në një fshat ku ai nuk donte të varrosej.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›