E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presheva nuk është çështje e brendshme e Serbisë

 Edmond Panariti/ministër i Jashtëm

Flitet ditëve të fundit rreth idesë së asociimit të komunave serbe, sikur edhe propozime tjera, por ato deri më tash janë vetëm ide dhe asgjë nuk ka konkrete, sepse enklavizimi i Kosovës, sikur me rastin e Bosnjës është i kundërshtueshëm, jo vetëm nga ne shqiptarët, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, por edhe nga vet ndërkombëtarët. Prandaj eliminimi i strukturave paralele serbe në Veri dhe shkrirja apo integrimi i tyre në shoqërinë kosovare dhe institucionet e qeverisë së Kosovës do t’i ndihmonin padyshim edhe proceseve në Serbi, në pretendimet e këtij vendi drejt integrimeve evropiane…Ndarja e territoreve sipas minoriteteve nuk çon kah stabiliteti dhe është e rrezikshme për rajonin, në rend të parë për vet Serbinë, kur dihet se ky vend është multietnik dhe i ndërtuar nga një sërë komunitetesh. Kur është fjala për Luginën e Preshevës, ku atje situata u tensionua edhe më shumë pas largimit të lapidarit të UCPMB-së nga ana e xhandarmerisë serbe qeveria jonë është duke ndjekur me mjaft vëmendje dhe shqetësim. Të drejtat e komuniteteve, në këtë rast të shqiptarëve etnikë në tri komunat e populluara me shumicë shqiptare nuk mund të jenë të izoluara, nuk mund të jenë çështje e brendshme e Serbisë, pavarësisht se Beogradi deklarohet. Të mos harrojmë se deklarata, refrene të ngjashme kemi dëgjuar dikur edhe për Kosovën para viteve ‘98. Prandaj, unë do të thosha se çështja e minoriteteve, aq më tepër kur ato janë të diskriminuara, apo të privuara nga të drejtat e tyre elementare, çështja e tyre nuk është më një problem i vetëm të atij shteti, por çështje universale në trajtimin e së drejtës ndërkombëtare, kartave, konventave të cilat shpesh herë nga shumë shtete edhe pse janë nënshkruese të këtyre marrëveshjeve fatkeqësisht shkelen ose nuk respektohen nga ato…Pra edhe çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, diskriminimi i tyre sistematik nga shteti serb, ku me largimin e lapidarit u arrit kulminacioni i të këqijave mund të themi se tashmë ky problem nuk mund të jetë një çështje e brendshme e Serbisë. Prandaj edhe shteti ynë është i fokusuar, ka një vëmendje të posaçme, madje e kemi edhe detyrë kushtetuese që të interesohemi mbi statusin dhe gjendjen ekonomike, sociale dhe të drejtat e bashkëkombësve tanë kudo që ndodhen ata, në këtë rast të vëllezërve tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës bashkë me autoritet serbe të Beogradit duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve duke i dhënë përparësi dialogut për zgjidhjen jo vetëm të problemit të lapidarit por edhe shumë çështjeve të tjera të cilat presin për t’u zgjidhur, sikur çështja e teksteve shkollore, diplomave, arsimimit superior, dygjuhësia, papunësia, çështja e flamurit, simboleve, festat kombëtare. Themelimi i një Universiteti në Preshevë do të zgjidhte problemin e arsimimit në Luginën e Preshevës, do të ndikonte edhe në mos zbrazjen e Luginës nga rinjtë e të rejat shqiptare. Pra, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve duhet të dominojë fryma e dialogut dhe ne kërkojmë të vazhdohet me bisedime, si alternativë e vetme e zgjidhjeve të favorshme të problemeve të dy palët.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›