Presidenca nuk është vend punësimi
Më datë 24 maj, Kuvendi i Shqipërisë duhet të fillojë procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Deri më sot, dy ditë para fillimit të procedurës, ekziston një situatë e paqartë si për procesin, ashtu dhe për individin kandidat për President. Kandidaturat e vetëshpallura nuk tregojnë asgjë, për aq kohë sa ato nuk janë mbështetur nga partitë kryesore parlamentare që kanë të drejtën e propozimit të kandidatëve për President dhe më pas votimin e tyre. Çfarë Presidenti na duhet? Dëgjohet shpesh të flitet që Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një person që të mos jetë ushtar i Kryeministrit në detyrë apo i Kryeministrit të radhës. Kushtetuta jonë ka ndërtuar një Republikë Parlamentare me një Kryeministër të fortë dhe që kontrollohet nga Kuvendi, nëpërmjet mekanizmave kushtetues të votëbesimit në momentin e marrjes së detyrës apo nëpërmjet mocioneve të besimit dhe mosbesimit. Ndërkohë, Kushtetuta jonë Presidentin e ka konceptuar si një figurë honorifike, i njëjtë me Presidentin e Greqisë, të Italisë apo Gjermanisë, me ndryshimin se Presidenti shqiptar, ndryshe nga presidentët e sipërcituar, ka kompetenca të shumta emërimi, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, pavarësisht se ato i ndan me Parlamentin dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo me prokurorin e Përgjithshëm. Megjithatë, kompetencat kushtetuese të emërimeve nuk e bëjnë aspak më të fortë Presidentin shqiptar krahasuar me homologun e tij grek apo italian, pasi ai nuk ka asnjë akses në vendimmarrjen e gjyqtarëve apo të prokurorëve, bile mund të jetë subjekt i gjykimit a procedimit penal prej tyre.
Ndryshe nga sa thuhet rëndom, Kushtetuta e përkufizon institucionin e Presidentit të Republikës si përfaqësues të unitetit të popullit (neni 86), dhe jo si garant i Kushtetutës, pasi këtë detyrë ligji themeltar ia ka dhënë vetëm Gjykatës Kushtetuese (neni 124). Ushtrimi i përgjegjësisë së të qenit faktor i unitetit të popullit nuk lidhet me ndonjë nga kompetencat e shkruara në Kushtetutë, por është një kompetencë e pashkruar gjëkundi. Kjo përgjegjësi është e natyrës morale, e lidhur në mënyrë të pazgjithshme me cilësitë e individit President të formuara ndër vite, veçanërisht me karakterin, personalitetin, vlerat morale dhe formimin në tërësi të personit që ushtron detyrën e kryetarit të shtetit. Me fjalë të tjera, kjo përgjegjësi mund të ushtrohet vetëm nga një person që, veçanërisht në situata krizash, me fjalën e tij (sepse kompetenca nuk ka) tu imponohet faktorëve politikë e institucional në vend. Është kjo arsyeja që zgjedhja e Presidentit të Republikës është një proces shumë i rëndësishëm që kërkon, sipas Kushtetutës, një shumicë të cilësuar, e cila krijon shanset që Presidenti të jetë një figurë mbi palët me qëllim që fjala dhe mesazhet e tij të mund të ndikojnë në paqtimin dhe normalizimin e situatave të vështira në vend, veçanërisht në situata krizash institucionale a politike. Atë që shohim shpesh të bëjnë ambasadorët e huaj në Shqipëri (nuk ndodh gjëkundi kjo në vendet normale) me mesazhet e tyre, Kushtetuta ia kërkon që ta bëjë Presidenti i Republikës. Por kjo mund të ndodhë kur në atë pozicion mund të vendoset një person që pranohet nga palët që në momentin e zgjedhjes. Duke qenë kështu, Kuvendi është i detyruar të zgjedhë si President të Republikës një person që ka cilësitë për të ushtruar përgjegjësinë e të qenit faktor i unitetit të popullit, dhe jo thjesht të mendojë të punësojë një individ. Nga ana tjetër, edhe personi të cilit i propozohet një detyrë e tillë, duhet të jetë i ndërgjegjshëm që pushteti i tij do të jetë një pushtet moral, dhe jo thjesht pushtet që emëron individë në detyra të ndryshme, veçanërisht në Gjyqësor. Ndryshe do të jetë në nderin e tij të mos e pranojë atë detyrë.
Historia e funksionimit të institucionit të Presidentit, në periudha të caktuara është karakterizuar nga një luftë, herë e hapur dhe herë e fshehtë, veçanërisht me kreun e Ekzekutivit. Shkaku i këtyre konfrontimeve ka pasur në bazë papajtueshmëritë midis tyre lidhur me problemet e kuadrit, e reflektuar kjo veçanërisht në emërimet e gjyqtarëve të lartë apo shkarkimet e zyrtarëve të tjerë si prokurori i Përgjithshëm a kryetari i SHISH-it. Në këtë situatë, fatkeqësisht, ka ndikuar edhe mungesa e një ligji organik të institucionit. Megjithëse kanë kaluar afro 14 vjet nga miratimi i Kushtetutës, ndërkohë që pothuajse të gjitha institucionet kushtetuese funksionojnë me ligjet e tyre organike, Presidenti i Republikës është i vetmi institucion që nuk e ka ligjin organik të institucionit. Miratimi i ligjit do të normonte qartë organizimin dhe funksionimin e institucionit në përmbushje të kompetencave kushtetuese dhe do të minimizonte sebepet e sherreve institucionale në lidhje me mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave.
Kemi dëgjuar shpesh të flitet që Presidenti duhet të zgjidhet nga populli, se vetëm kështu ai mund të bëhet i fortë për të zgjidhur problemet e vendit dhe mund të përballojë presionet e Kryeministrit e të maxhorancës. Modeli i zgjedhjes së Presidentit nga populli është prezent në disa vende, bile edhe rrotull vendit tonë. Por, asgjë ndryshim nuk sjell kjo mënyrë zgjedhjeje në rolin e tij në shtet. As në zgjidhjen e problemeve të vendit, dhe as në marrëdhëniet ndërinstitucionale. Sepse, në fund të fundit, edhe zgjedhja e Presidentit nga populli do të varet nga pesha e çdo partie në elektorat. Për rrjedhojë, do të fitojë ai kandidat që mbështetet nga partia më e madhe në vend. Një President i zgjedhur nga populli, por me kompetenca honorifike (sepse jemi Republikë Parlamentare), i shton shanset për më shumë sherre midis tij dhe Kryeministrit, veçanërisht në kushtet e koabitacionit dhe të kulturës ende të pakët shtetbërëse. Kjo sepse të dy, si Kryeministri dhe Presidenti, do të mendojnë se populli i ka votuar për të qeverisur vendin. Ndërkohë nuk është kështu, pasi në sistemin që kemi zgjedhur në Kushtetutë, kemi pranuar një Kryeministër të fortë që qeveris vendin i kontrolluar nga përfaqësuesit e sovranit në Kuvend, dhe një President faktor i unitetit të popullit, honorifik. Prandaj edhe kjo formulë zgjedhjeje Presidenti që parashikon Kushtetuta jonë mund të funksionojë për të zgjedhur një person mbi palët si përfaqësues i unitetit të popullit. Por kjo kërkon një klasë politike të maturuar, që në plan të parë vendos interesat e vendit dhe më pas ato të partisë e të individit. Historia e këtyre viteve ka treguar se partitë kryesore politike në vend kanë treguar pjekuri në momente të caktuara, ashtu siç ka momente që kjo pjekuri ka munguar. Të shpresojmë që këtë herë do të fitojë pjekuria.
Kushtetuta jonë, ashtu si në çdo Republikë Parlamentare, nuk i jep rol aktiv Presidentit të Republikës në drejtimin politik, administrativ e ligjbërës në vend. Ajo parashikon që Presidenti nuk mban përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij (neni 90/1). Ndryshe, një rol aktiv në drejtimet e mësipërme (që natyrisht nuk mund ti kënaqë gjithnjë të gjithë), do ta ekspozonte Presidentin ndaj kritikave të faktorëve institucionalë dhe politikë të pakënaqur, çka do të dëmtonte imazhin e tij për të qenë një faktor uniteti, dhe do ti bënte të pabesueshme mesazhet e tij në situata që kërkojnë ndërmjetësim për të zgjidhur konfliktin. Prandaj kushtetutat në republikat parlamentare parashikojnë që edhe kur ushtron kompetenca, aktet e Presidentit ose duhet të kundërfirmohen nga Kryeministri a ministri përkatës, ose duhet të ketë një propozim paraprak nga këta të fundit. Kjo zgjidhje që jepet nga Kushtetuta ka si qëllim që të mbrojë Presidentin nga pasojat eventualisht negative që mund të prodhojë një akt i nxjerrë prej tij.
Emërimet e gjyqtarëve të lartë apo e një kategorie zyrtarësh të tjerë, si prokurori i Përgjithshëm, kryetari i KLSH-së, Guvernatori i Bankës etj., janë kompetenca presidenciale, të cilat
