E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca: Jahjaga nuk do japë dorëheqjen

PRISHTINE- Presidenca e Republikës ka sfiduar subjektet politike që e vunë në majë të pushtetit Atifete Jahjagën, e të cilat tani kërkojnë nga ajo që pa përfunduar mandatin të lëshojë rrugë për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kreut të shtetit, deklarimet në media t’i adresojnë në rrugë zyrtare. 

"Jahjaga vetë nuk do të marrë kurrfarë iniciative", ka deklaruar Arbër Vllahiu, këshilltar dhe zëdhënës i presidentes, i cili ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së Jahjagës, si akt për t’u lëshuar rrugë zgjedhjeve presidenciale.

“Nuk ka nevojë që vullnetshëm të ‘lëshojë rrugë’ . Procedurat janë të qarta dhe duhet si në çdo rast tjetër të respektohet ligji dhe Kushtetuta”, i ka thënë “Kohës Ditore” Vllahiu. “Nuk mundet presidenti i një vendi të deklarohet se ai është i gatshëm të dorëhiqet dhe të lëshojë rrugë sa herë ndërron raporti i forcave në Kuvend apo sa herë bëhen marrëveshjet dhe koalicionet e reja ndërmjet partive dhe subjekteve politike”.
(m.a/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›