E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca: Njohja e Andorrës forcon pozitën ndërkombëtare

PRISHTINË- Njohja nga Andorra forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës vlerësoi sot Presidenca kosovare. Në një komunikatë theksohet se vendimi i Qeverisë së Principatës së Andorrës për njohjen e Republikës së Kosovës është një lajm i pritur, që vjen nga një vend demokratik dhe që është edhe veprim i angazhimeve të përbashkëta të vendeve mike, që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe afirmimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Bëhet e ditur se Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë manifestimit të 150 vjetorit të bashkimit të Italisë, më 2 qershor, ka takuar Koprincin e Andorrës, arqipeshkvin Joan Enric Vives i Sicilia, dhe në një bisedë miqësore është njohur me njohjen që ky vend i ben Republikës së Kosovës, si dhe me zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për lobimin për njohjet e reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.

Principata e Andorrës zyrtarisht ka pranuar pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke rritur numrin e njohjeve në 76. Konfirmimi zyrtar është dërguar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›