Presidenca Qipriote nuk favorizon Tiranën
Programi gjashtëmujor nuk e parashikon zgjerimin si prioritet kryesor
Ylli Pata
Shpresat e Shqipërisë për të marrë statusin kandidat në shtator, në njëfarë mënyre varen edhe nga Presidenca e radhës e Bashkimit Europian. Dhe që më 1 korrik, kjo Presidencë drejtohet nga Qipro. Një vend i ri i BE-së, i cili ka një marrëdhënie pak të çuditshme me ne shqiptarët. Nikozia ka marrëdhënie të afërta me
Athinën dhe është një nga pesë shtetet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur Kosovën. Por kjo është vetëm një anë e çështjes, pasi Presidenca e BE-së, kryesisht kur drejtohet nga shtete-anëtare të reja, kryesisht përbëjnë një promovim të vendit dhe jo një strategji kompakte, siç ndodh me shtetet e mëdha të rëndësishme të Bashkimit Europian. Presidenca Qipriote e BE-së ka publikuar në sitin zyrtar në internet, programin dhe prioritetet për gjashtë muaj, deri në dhjetorin e këtij viti. Në këtë dokument, zgjerimi është një nga çështjet më pak të rëndësishme dhe përmendet në fund të prioriteteve. Prioriteti i parë i përmendur në qëndrimin zyrtar të qeverisë së Nikozias, është Drejt një Europe më të mirë, ku theksohet se Bashkimi Europian ka nevojë për të forcuar bashkimin që të kalojë krizën ekonomike dhe të forcohet në skenën ndërkombëtare. Në këtë program theksohet se BE ka nevojë për të forcuar më shumë integrimin europian nëpërmjet forcimit të kohezionit social dhe sigurimit të një cilësie më të mirë të jetës. Prioriteti i dytë i Presidencës Qipriote të Bashkimit Europian është arritja e një Europe më efektive, që do të kontribuojë në një rritje substanciale, krijimit të vendeve të punës dhe politikave të integrimit. Bashkimi Europian duhet të punojë në bazë të /////princimit të solidaritetit për të siguruar një të ardhme më të mirë për veten. Pra një përqendrim më i madh i politikave të BE-së drejt shteteve anëtare duket se konsiston të jetë prioritet më i madh i drejtimit 6-mujor të Nikozias. Duke e detajuar më shumë këtë program, presidenca qipriote thekson se ndihma e BE-së duhet të promovojë politika efikase që të sigurojnë qeverisje të mirë dhe adresimin e paqartësive dhe destabilitetit politiko-ekonomik që vjen si pasojë e krizës ekonomike. Gjatë Presidencës Qipriote marrëveshja shumëvjeçare financiare e periudhës 2014-2020 do të jetë një prioritet i rëndësishëm, theksohet në dokumentin ku është anonçuar programi për periudhën deri në fund të vitit. Prioriteti i katërt i Presidencës Qipriote është titulluar Europë në botë, i afërt me fqinjët. Kjo pikë flet për politikën e jashtme të Bashkimit Europian, ku i jepet rëndësi bashkëpunimit me partnerët e Mesdheut, ku Qipro është aktor dhe pjesëtar i zonës gjeopolitike, por në fakt ka edhe fenomene të rëndësishme ku mbështetet kjo politikë. Ajo pjesë që na intereson më shumë ne, pra zgjerimi përmendet vetëm në fund të dokumentit. Janë vetëm katër rreshta që Presidenca Qipriote i ka rezervuar këtij prioriteti në programin e saj. Presidenca gjithashtu do të promovojë të gjitha proceset e lidhura me zgjerimin dhe do të punojë për forcimin e sigurisë së ushqimit, të japë një shtysë në ndihmën e BE-së për zhvillimin, do të sigurojë progres në zbatimit të prioriteteve të BE-së.
Presidenca Qipriote nuk favorizon Tiranën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip