Aleanca KuqeZi: Të hapet konsullatë shqiptare në Çamëri
Aleanca KuqeZi i kërkoi qeverisë shqiptare që të hapë një konsullatë shqiptare në Çamëri.
Aleanca KuqeZi i kërkon qeverisë shqiptare dhe posaçërisht Ministrisë të Punëve të Jashtme që në kuadër të detyrimeve për ti shërbyer shtetasve dhe bashkatdhetarëve tanë shqiptarë, por edhe shtetasve të huaj që janë të interesuar për Shqipërinë, të hedhë hapat e duhura dhe të ndërmarrë veprimet diplomatike e juridike për të hapur në Çamëri zyrën konsullore të Republikës së Shqipërisë, tha Sekretarja për Çështjet e Integrimit në Aleancën KuqeZi, Margarita Kola
Shteti fqinj grek, prej vitesh, përveç ambasadës dhe konsullatës në Tiranë, ka hapur edhe dy zyra konsullore në Republikën e Shqipërisë, në Korçë dhe në Gjirokastër, kryesisht në shërbim të minoritarëve grekë, por edhe të qytetarëve shqiptarë. Duke respektuar detyrimet kushtetuese, por edhe parimin diplomatik e konsullor të reciprocitetit, Aleanca KuqeZi i kërkon qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të hapë sa më parë shërbimin tonë konsullorë në Çamëri. Një zyrë konsullore në Çamëri do i shërbente përmirësimit të shërbimit tonë juridiko-konsullor atje në dobi të qytetarëve shqiptarë dhe grekë, do të shpejtonte dhe do të ngrinte cilësisht shërbimet civile e administrative ndaj tyre si dhe do ti kontribuonte bashkëpunimit ekonomik e tregtar, turistik e kulturor midis dy popujve dhe vendeve tona.
Duke hapur zyrën konsullore të Republikës së Shqipërisë në Çamëri, shteti shqiptar dhe Qeveria jonë do të kryenin një detyrim të lartë kushtetues dhe një shërbim qytetarë që do e shndërronin atë krahinë nga një zonë të harruar në një zonë me përkujdesje të veçantë për banorët e saj dhe në një urë miqësie e bashkëpunimi midis dy vendeve tona.