Presidenca e BE: Duhet dialog pozitë-opozitë në parlament
Zëdhënësja e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian, Havier Solana, Kristina Gallach, reagoi dje në një intervistë për "Top Channel" lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe raportin e publikuar nga OSBE/ODIHR-i. "Ne jemi të kënaqur tashmë që raporti është publikuar në tërësinë e tij mbi përgatitjen e zgjedhjeve dhe mënyrën se si ato u zhvilluan dhe vërejmë se ky raport konfirmoi atë që thamë, se këto zgjedhje ishin më të mira se ato në të kaluarën", tha ajo. Çfarë do të thotë, shtoi Gallach se pati përmirësime, por për fat të keq u konfirmua dhe diçka tjetër për të cilën na vjen keq, fakti që pati politizim të çështjeve teknike të procesit. "Gjithsesi, tani, pas zgjedhjeve, qeveria dhe opozita duhet të punojnë zyrtarisht, secila palë në anën e vet, në mënyrë që të çojnë vendin përpara dhe më afër Bashkimit Europian", insistoi ajo. E pyetur mbi shqetësimet që ka shprehur Partia Socialiste lidhur me këtë proces zgjedhor dhe vendimin e saj për bojkotimin e Parlamentit, Kristina Gallach vlerësoi se "ajo çfarë mund të them është se nëse zgjedhjet, janë certifikuar si të mira nga vëzhguesit ndërkombëtarë, natyrisht me probleme, por që në përgjithësi konsiderohen të rregullta, atëherë të zgjedhurit në qeveri dhe ata që janë zgjedhur në opozitë duhet të sillen në mënyrë konstruktive dhe bojkoti nuk është mënyra më e mirë konstruktive". Ne, nënvizoi Gallach, u rekomandojmë të dy palëve, atyre që janë në përgjegjësi dhe të tjerëve që kanë përgjegjësitë e tyre në opozitë, që të punojnë me konstruktivitet, sepse në fund të fundit punojnë për të ardhmen e popullit të tyre. Bashkimi Europian vlerëson raportin përfundimtar nga OSBE/ODIHR-it. Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor në Shqipëri mirëpret vlerësimin se zgjedhjet përmbushën pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, megjithëse nuk arritën t‘u përmbahen standardeve më të larta për zgjedhje demokratike. Raporti thekson se zgjedhjet demonstruan përparim të dukshëm, në veçanti në lidhje me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit, kuadrit ligjor, të votimit, numërimit dhe gjykimin e kontesteve zgjedhore. "Ai vë në dukje gjithashtu se është për të ardhur keq për politizimin e aspekteve teknike të procesit, duke përfshirë edhe numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultatit, apo edhe shkeljet e vëna re gjatë fushatës zgjedhore", vijon deklarata. BE-ja thekson rëndësinë që ka ekzaminimi i mangësive të vëna re në zgjedhje dhe rekomandimet e përfshira në raport të ndiqen nga qeveria dhe palët e interesuara. BE-ja inkurajon të gjitha partitë politike në Shqipëri për të ndjekur një dialog konstruktiv politik. Në veçanti, duke mbajtur një dialog të përhershëm në Parlament, i cili konsiderohet element kyç i demokracisë. "Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kërkesë e domosdoshme për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE. BE-ja është e angazhuar të vazhdojë të sigurojë mbështetje për Shqipërinë në këtë proces të rëndësishëm, duke ndihmuar Shqipërinë për të ecur përpara drejt integrimit europian", përfundon deklarata.