E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Qëllimi ynë është integrimi në BE

Pas paraqitjes së programit nga Kryeministri Berisha, i cili ka bërë të ditur objektivat kryesorë të kësaj qeverie për katër vitet e ardhshme, ka qenë zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, që ka marrë fjalën në Kuvend. Ai ka vlerësuar qeverinë e re duke theksuar se së bashku do realizohen reformat e mëdha. Gjatë fjalës së tij, Meta ka falënderuar Kryeministrin Berisha për mirëkuptimin e treguar dhe për integrimin në programin e qeverisë, të pikave kryesore që ka pasur LSI-ja në prioritetet e saj. Meta tha se "ashtu sikurse dihet, LSI-në dhe PD-në i ka bashkuar qëllimi i integrimit në Bashkimin Europian dhe ky është interesi i të gjithë shqiptarëve". Më tej, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm ka theksuar se "pjesë e rëndësishme e programit qeveritar është reformimi i shërbimeve sociale, miratimi i ligjit të moshës së tretë, lufta kundër varfërisë, përmirësimi i sistemit shëndetësor e arsimor". Gjithashtu, Meta ka siguruar të gjithë qytetarët se si përfaqësues i LSI-së në qeveri do të përmbush të gjitha detyrimet, duke dhënë kontributin që shqiptarët të bashkohen me Europën dhe familjet e tyre të ndara. Nga foltorja e Kuvendit, Meta nuk ka harruar t‘i kthejë përgjigje jo të drejtpërdrejtë edhe kreut të opozitës, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se "sot (dje) është 16 shtatori, dita e Konferencës së Pezës dhe dua t‘i ftoj të gjithë që të mos ngatërrojnë mesazhin historik që kanë dhënë të gjithë patriotët shqiptarë pa dallim feje, krahine dhe ideje më 16 shtator 1942, i cili është mesazhi i bashkimit për interesat e vendit tonë dhe të kombit tonë. Interesi ynë është integrimi në BE, ndaj askush nuk duhet të mungojë në këtë detyrë të rëndësishme që na thërret vendi, interesi i tij dhe mbi të gjitha vota e qytetarëve shqiptarë". Pas zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Meta, fjalën në Kuvend e ka marrë ministri i Financave, Bode, ministrja Bregu, Basha, Prifti, Pollo dhe më pas disa nga deputetët e Kuvendit, të cilët kanë vlerësuar programin dhe kanë premtuar se me zbatimin e tij Shqipëria do të jetë më afër BE-së. Gjithashtu edhe ata, si Kryeministri Berisha, kanë ftuar opozitën të bëhet pjesë e këtyre reformave të mëdha për të mirën e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›