E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, 70 mijë dosje në agjenci



Komisioni i Ligjeve miratoi dje ndryshimin e ardhur nga qeveria për në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit. Elvis Cefa, tha në Komisionin e Ligjeve se në AKKP do të inventarizohen të gjitha dosjet që nga fillimi i procesit në vitin 1993 dhe sipas tij. bëhet fjalë për 70 mijë dosje. Këto dosje janë vendimet dhe shqyrtimet e marra në 16 vite nga ish-komisionet e kthimit dhe kompensimit si dhe nga agjencitë rajonale të pronave. “Bëhet fjalë për 70 mijë dosje që do të vijnë në AKKP-në qendrore”, - tha Cefa. Sipas ndryshimeve të bëra në ligj, tashmë në vitin 2011 do të marrë fund procesi i njohjes së pronës dhe më pas agjencia do të merret vetëm me kompensimin financiar ose fizik. “Kryefjala e këtyre ndryshimeve është përgjysmimi i kohës që i duhet një subjekti të shpronësuar të marrë një përgjigje nga AKKP-ja. Subjekti tashmë nuk ka pse të bëjë ankimim administrativ dhe nëse nuk është i kënaqur me vendimin e AKKP-së i drejtohet direkt gjykatës”, - tha Cefa i cili shtoi: “Tashmë janë 8 mijë kërkesa që nuk kanë marrë një vendim nga AKKP-ja dhe tashmë afati për marrjen e një vendimi për to është 31 dhjetori i vitit 2011”.

E drejta e ankimimit

Projektligji i qeverisë përcakton të drejtën e ankimit për çështjen e pronësisë, por në lidhje me këtë çështje u debatua dje në Komisionin e Ligjeve. Kështu, u vendos që vetëm subjekti i prekur dhe Avokatura e Shtetit kanë të drejtën e ankimimit. “Ankimi, sipas dispozitës aktuale, bën fjalë për ankimin administrativ dhe atë në gjykatë. Ajo që kemi bërë me nenin 18 është heqja e ankimit administrativ për shkak të ristrukturimit sepse nuk kemi më zyra rajonale”, - tha përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë në Komision, Marsida Xhafellari.

Debati Halimi - Alibeaj

Çështja e së drejtës së ankimit u bë pjesë e debatit mes deputetëve të djathit në Komisionin e Ligjeve. Deputeti Eduard Halimi tha se në këtë proces, duke iu referuar edhe ligjit bazë, të drejtën e ankimit mund ta ketë vetëm subjekti përkatës dhe shteti nëpërmjet Avokaturës. “Duke u lënë të drejtën e ankimimit dy palëve, subjektit të shpronësuar dhe shtetit mendoj se do ishte e kompletuar dhe nuk do kishte vend për subjekte të tjera që mund të atakojnë vendimin. Jo vetëm procesi administrativ duhet të jetë fundor, por dhe procesi gjyqësor duhet të jetë fundor. Nuk mund të kemi padi pa fund ndaj vendimeve”, - tha Halimi, i cili u mbështet edhe nga kreu i Komisionit, Ilir Rusmali, i cili bëri edhe formulimin e nenit përkatës. “Neni 18. Kundër vendimit të AKKP-së subjekti i shpronësuar ose Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankimim”, - tha Rusmali. Por ish-ministri i Drejtësisë, Alibeaj, kundërshtoi këtë pikë, duke thënë se sipas procedurës civile, të drejtën mund ta ketë edhe një palë e tretë. “Po flasim për të drejtë të padisë ndaj aktit administrativ, e drejta për të paditur parashikohet në Kodin e Procedurës Civile. Ndoshta interesi për të goditur një akt administrativ mund të ishte më i gjerë se shteti apo kërkuesi. Mund të ketë dhe të tretë që mund të kenë të drejta mbi këtë pronë”, - deklaroi Alibeaj.

Projektligji

Vendimi për njohjen

Sipas këtij projektligji, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit do të japë një përgjigje, pozitive ose negative, për një dosje prone brenda 3 muajve në momentin që ajo niset të shqyrtohet. Në rast se subjekti nuk është i kënaqur me vendimin e AKKP-së, atëherë ai ka 30 ditë afat për të shkuar në gjykatë dhe të ankimojë këtë vendim.

Prekja e vendimeve të mëparshme

Projektligji i ka dhënë të drejtën AKKP-së që të shqyrtojë vendimet e dhëna në vite nga zyrat rajonale, ish-komisionet vendore etj. Vetë projektligji përcakton se një gjë e tillë është vendosur për shkak të abuzimeve që janë bërë me pronësinë. Sipas projektligjit, një rivendim i AKKP-së e bën të pavlefshëm vendimin e dhënë për një tokë të caktuar nga ish-komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit apo zyrave rajonale. Projektligji thotë se pas një indice që mund të ketë drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, nis procedimin e verifikimit të ligjshmërisë së titullit të pronësisë. Pas verifikimit, AKKP-ja merr një vendim për lënin në fuqi të vendimit të mëparshëm që mund të jetë dhënë vite më parë ose e shfuqizon atë. Edhe në këtë rast, subjekti i prekur ka vetëm 1 muaj afat për dërgimin e vendimit në gjykatë.

Afati

I gjithë ky proces nuk do të shkojë më larg se 31 dhjetori i vitit 2011 si afat i fundit ligjor për të dhënë të gjitha vendimet për pronësinë në këtë vend. Projektligji përcakton që edhe zyrat rajonale të AKKP-së të shkrihen.

Kompensimi financiar, Cefa: Presim numrat e llogarisë

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit, Elvis Cefa, tha dje se agjencia do të nisë kompensimin financiar për këtë vit për 211 subjektet fituese pasi të dorëzohen të gjitha numrat e llogarisë. Ai tha se deri tani jo të gjitha subjektet fituese kanë dorëzuar numrin e llogarisë. Cefa shtoi se me mbyllen e kësaj procedure, do të derdhen lekët tek fituesit. “AKKP-ja është në fazën e administrimit të numrave të llogarisë përkatëse. Jo të gjitha subjektet, 211 fitues, kanë dorëzuar numrat e llogarisë. Me plotësimin dhe dorëzimin e numrave të llogarive, AKKP-ja do të bëjë kalimin e parave në llogaritë përkatëse”, - deklaroi Cefa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›