Presidenca ka marrë nishan shumicën e re!
Bujar Nishani dhe gruaja e tij, kanë bërë një ankesë publike se janë vënë në terror nga shumica e re dhe po përpiqen të shpjegohen për akuzat ndaj tyre në mënyrë shumë të pandershme. Shija më e keqe që të ngelet pas këtij reagimi, është varfëria e fjalorit dhe pafuqia për tu shpjeguar mbi të gjitha për fjalën terror. Nuk di kush mund të ketë ushtruar terror mbi Bujar Nishanin dhe sdi nëse është i qartë kur e përdor këtë fjalë, por është e qartë se ai po tenton të vetëpërdoret për tu vënë në shërbim të një regjimi vrasës, që shqiptarët e kanë zbuar me 1 milionë vota dhe që tani po përpiqet të rezistojë përmes Bujar Nishanit.
Meqë personalisht kam qenë kritik me zgjedhjen e Bujar Nishanit qysh në momentet e para të tij, për shkak të njohjes së thellë që kam për karakterin e tij të ulët, pabesinë, mungesën e integritetit dhe mbi të gjitha, që është një kamikaz partiak, i pamëshirë për të drejtat e njerëzve kur vihen në pikëpyetje interesat e tij politike, dua të sqaroj disa çështje që ai po përpiqet ti përdorë si bombë tymuese për të mbrojtur pozitën e tij të mjerë si përçarës i shoqërisë shqiptare dhe militant i mjerë i një regjimi vrasës, që u ndëshkua me votë.
Po e filloj me fjalën terror, për të kuptuar kush ka terrorizuar dhe kë në këtë vend, ne që kritikojmë Nishanin apo Nishani që përdor pushtetin. Po i tregoj një eksperiencë personale. Bujar Nishani ishte ministër i Brendshëm në dhjetor të vitit 2008. Dy ditë rresht para natës së Vitit të Ri, një oficer i Gardës, shofer i Familjes Sali Berisha, po rrinte në mënyrë të çuditshme para pallatit ku unë banoja. I shqetësuar njoftova një eksponent të rëndësishëm të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili pranoi më pas se e mbajti shënim emrin. Ditën e dytë në mesnatë, aty afër orës tre të natës, im bir dëgjoi sirenat e makinës sime dhe doli në ballkon. Makina kishte filluar po digjej në flakë. Më zgjoi i lebetitur, si një fëmijë që shikon se dikush po i rrezikon familjen. Këtu jemi afërsisht në termat e terrorit. Pashë makinën që digjej dhe lajmërova policinë dhe zjarrëfikëset. Zëvendësminsitri i Bujar Nishanit më pyeti nëse kisha ndonjë dyshim dhe unë i dërgova me sms emrin e atij që dyshoja. Pasoi një heshtje dhe pastaj një përgjigje që ky person nuk ekziston. Erdhën zjarrëfikëset me gjysëm ore vonesë. E para erdhi pa ujë. Pastaj njoftoi të dytën. E dyta erdhi, por e para u fik dhe nuk dilte dot nga rrugica, kështu që nuk e fiknin dot. Derisa u dogj e tëra, në sytë e fëmijëve të mi vërtet të tmerruar. Shteti nuk u ndje. Bujar Nishani ishte njeriu që duhet të më mbronte si ministër. Jo vetëm që nuk e bëri, por u bë palë me atentatorët dhe i shpërbleu ata.
Nuk mjaftoi kjo, por dhjetë ditë më vonë, ndërsa shkoja në punë në redaksi, e gjeta atë të rrethuar me policë. Dy komisariate policie ishin shkulur të rrethonin redaksinë dhe shtypshkronjën, duke mos na lejuar të hyjmë brenda. Arsyeja nuk jepej. Kërkova Bujar Nishanin të më sqaronte se çdonin aty policët, dhe me një përgjigje prej “shvejgu” më shpjegoi se nuk duhet ta kërkoja përgjegjësinë tek ai, por tek fakti që unë isha në luftë me ATË lart.
E mbajti pesë vjet rrethuar me policë vendin dhe sot e kësaj dite ato zyra janë bosh dhe shtypshkronja ime me siguri është ndryshkur. Pra, ky njeri brenda dhjetë ditësh ka toleruar banditët që më kanë terrorizuar fëmijët duke djegur makinën, më ka rrethuar biznesin me policë dhe e mban akoma pesë vite ashtu të rrethuar, vetëm për shkak të ATIJ, dhe guxon të thotë që ky nuk është terror, por terror qenka të kritikosh Bujar Nishanin si president i paaftë, partiak dhe përkrahës i forcave regresive në Shqipëri, që kanë vrarë për të qëndruar në pushtet.
Nëse duhet të biem dakord për termat se kush ka terrorizuar kë, duhet që ky njeri të provojë njëherë vërtet kush është terror dhe pastaj të lëshojë broçkulla të tilla.
Së dyti, kam një shpjegim për përpjekjen e tij dhe gruas së tij për të përgënjeshtruar lidhjen e pronësisë me selinë e Partisë Demokratike. Në këtë pikë dua të sqaroj se njoh plot histori të mënyrës si trashëgimtarët, ku përfshihet dhe gruaja e tij, kanë marrë pronat. Ata kanë mobiluar gjithë shtetin sa ishte ministër zoti Nishani në mënyrë aq anektodike, sa po të shikoni, ky njeri mban pas vetes gjithnjë nja tre njerëz që ja ka emëruar gruaja në punë, vetëm si përmbarues të pronave të saj. Por, do të kemi kohë të merremi me ta. Ajo që dua të theksoj, është se vet Bujar Nishani, në intervistën e tij të parë në Tv Klan, ka thënë se familja e tij është e pasur, pasi ka marrë prona nga gruaja e tij, e cila është trashëgimtare e pronave të Qemal Karaosman Bej Elbasanit, mes të tjerash dhe firmëtar i pavarësisë. E ka me zë dhe figurë në intervistën e tij në Opinion. Dua ti bëj me dije se në vitin 1997, kur Sali Berisha u rikthye nga Presidenca në selinë e PD-së dhe hyri në zyrën e tij, në katin e dytë, mbi kafe Jurnal, Tritan Shehu e njoftoi se ajo zyrë nuk ishte më pronë e PD-së, pasi iu ishte kthyer pronarëve, që janë trashëgimtarë të Qemal Bej Elbasanit. Ata me të drejtë kanë marrë pronën nga kafe Sarajet, deri tek oborri i PD, nga krahu i poshtëm i Hotel Drinit. Pra, nuk ka thënë njeri që kanë gjithë PD-në, por kanë tokën që është ngjitur dhe një pjesë në ndërtesën e PD-së. Nëse Bujar Nishani ka gënjyer kur tha se gruaja e tij është trashëgimtaree e pronave të Karaosmanëve, është çështje tjetër. Nëse nuk na ka gënjyer, atëherë është mirë të mos spekulojë më me deklarata, së bashku me gruan. Nuk na hyn në punë si i ka ndarë gruaja me kushërinjtë pronat dhe as sa ka marrë aty, e sa ka lënë atje, por po i përmbahemi deklaratës, që vet Nishani ka bërë për trashëgiminë nga rrjedhin pronat e saj.
Në këtë pikë më tërhoqi vëmendjen dhe një detaj banal që vërehej në deklaratën e gruas së tij, që thoshte se Partia Socialiste do vijë në pushtet pas dy javësh dhe ka mundësi ti verifikojë. Ky është një koncept tipik i një klani partiakësh në krye të shtetit, që mendojnë se të drejtën për tu informuar e kanë vetëm ata që janë në pushtet. Përse kjo zonjë nuk del në konferencë për shtyp dhe ta bëjë publike, meqë qenka në pushtet, kush është pronar i kafe Sarajet, pas PD dhe ngjitur me të, dhe çlidhje ka ajo me ata. Dhe, meqë jemi tek sinqeriteti i saj, është mirë të na tregojë çbëri ajo me Universitetin Europian të Turizmit dhe një mafioz italian, që gënjyen për katër vjet studentë dhe pedagogë shqiptarë, nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit ku ajo punonte, duke qenë dhe partnerja e tyre? Ajo hesht për partneritetin me një klan mafioz të Italisë së Jugut që ka lënë rrugëve studentë dhe pedagogë që janë kërcënuar në emër të pushtetit
