Presidentes lituaneze, 15 min për të takuar Timoshenkon
Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, ka mbërritur në spitalin, ku po qëndron ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko.
Kjo e fundit, e cila po vuan dënimin prej shtatë vitesh burg për shkak të “abuzimit me detyrën zyrtare”, është transferuar në spital të mërkurën për trajtim të dhimbjeve nën mbikëqyrjen e një neurologu gjerman.
Mjeku kryesor i spitalit ka thënë se presidentes lituaneze do t`i jepen 15 minuta kohë për të biseduar me Timoshenkon.
Grybauskaite është udhëheqësja e parë e huaj që i lejohet të takojë Timoshenkon, që nga burgosja e saj në tetor të vitit 2011.
Të premten, edhe Qeveria italiane i ka kërkuar leje Kievit që t`i mundësojë nënsekretares për punë të jashtme të Italisë, Marta Dasu, të vizitojë Timoshenkon.
Rasti i ish-kryeministres ukrainase ka tensionuar ashpër marrëdhëniet ndërmjet Kievit dhe Perëndimit.
Diplomatët evropianë thonë se ai është i motivuar politikisht.