E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentët e klubeve japin OK-in për Ligën

TIRANE- Presidentët e klubeve shqiptare kanë zhvilluar një mbledhje të rëndësishme të premten në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, duke i dhënë jetë krijimit të Ligës Profesioniste në Shqipëri. Në mbledhjen që zgjati 3 orë, u vendos që kryetar i Komisionit të Kategorisë Superiore të zgjidhet presidenti i nderit i Apolonisë Koço Kokëdhima. Por, kjo shënon hapin e parë drejt Ligës, pasi brenda një viti duhet të hartohet Statuti i saj dhe të bëhet regjistrimi në Gjykatë. “Ky ishte një hap pozitiv, por duhet ende një punë e madhe, pasi duhet hartuar Statuti dhe të regjistrohet në Gjykatë, në mënyrë që Liga të marrë formën e saj ligjore, - sqaroi sekretari i përgjithshëm i FSHF-së Eduard Prodani. – Presidentët patën shumë mendime ndryshe dhe kuptohet shumë debate, megjithatë ne e quajmë hap pozitiv. Mbledhja e parë e Komisionit të krijuar do të mbahet pas përfundimit të këtij sezoni, pasi nuk mund të ndryshojmë rregullat në mes të tij, ndërkohë që kompetencat do të jenë më shumë këshillimore”, u shpreh ai. Mbledhja e presidentëve, ku ishin të pranishëm presidenti i Tiranës Refik Halili, ai i Vllaznisë Valter Fushaj, kreu i Besës Nexhat Bizhdili, presidenti i Teutës Edmond Hasanbelliu, zëvendës presidenti i Dinamos Avni Braçe, presidenti i Gramozit Mustafa Taçi, ai i Laçit Pashk Laska si edhe trajneri i Kastriotit Ramazan Ndreu, është shoqëruar me debate të forta dhe akuza për tre orët e saj. Presidenti i Vllaznisë Fushaj ka kërkuar që kur të vijë momenti te Liga, kreu i saj të zgjidhet me votim unanim. “Nuk dua që disa klube të bëhen bashkë dhe të na presin në besë”, ka thënë ai. I pyetur pas mbledhjes nëse klubet janë gati që të marrin në dorë kompetenca të rëndësishme të Federatës, si zgjedhja e dizenjatorit të arbitrave apo gjëra të tilla të ngjashme, presidenti i Teutës Edmond Hasanbelliu u përgjigj pozitivisht, por sipas tij klubet duan të ruajnë të drejtën për të bërë propozime. Ndërkohë, presidenti i Besës Nexhat Bizhdili e quajti një hap tepër pozitiv këtë mbledhje. “Kam 10 vjet president dhe kjo është hera e parë që ne bëhemi bashkë, - u shpreh ai. – Më duket një hap pozitiv përpara për të patur një futboll më të mirë, pasi i dimë problemet që po kalojmë”, shtoi Bizhdili.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›